Flash News

KRYESORE

Nishani në Berlin, takon Steinmeier: Gjermania e interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Nishani në Berlin, takon Steinmeier: Gjermania e interesuar për

Presidenti Bujar Nishani, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, u prit të premten nga Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me të cilin pas një bisede të shkurtër kokë më kokë, diskutoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe çështjet e procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdushme dhe domethënëse të Gjermanisë ndër vite, si dhe besimin se marrëdhëniet e partneritetit strategjik do të thellohen më tej. Nishani e siguroi gjithashtu homologun Steinmeier se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës dhe partnerë të besueshëm të Gjermanisë.

“Asistenca gjermane për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik të vendit, anëtarësimi në NATO dhe mbështetja e qenësishme në procesin e integrimit evropian, kanë krijuar një lidhje shumë të fortë mes të dy vendeve. Shqipëria sot nuk është thjesht konsumatore, por kontribuese aktive për sigurinë dhe paqen, si në nivel rajonal ashtu nivel botëror.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit tha se procesi i integrimit evropian mbetet mekanizmi më i mirë nxitës për vendin dhe për shqiptarët ky është projekti më madhor, pas anëtarësimit në NATO.

Pasi e njohu presidentin gjerman me vëmendjen që i kushtohet kryerjes së refomave përkatëse, Nishani u ndal në reformën në drejtësi dhe fillimin e procesit të zbatimit të saj, duke vlerësuar dhe kontributin individual të Gjermanisë dhe ekspertëve të saj në hartimin e legjislacionit, sipas standardeve më të mira gjermane e evropiane.

Steinmeier nga ana e tij e përshëndeti marrëveshjen politike për reformën në drejtësi dhe shprehu besimin se ajo do të përmbushet me sukses dhe në kohën e duhur.

“Është shumë e rëndësishme për investitorët gjermanë që të gjejnë një ambient të përshtatshëm investimesh, pasi përtej asistencës, Gjermania ka ambicien të jetë partner tregtar dhe investues në Shqipëri e vende të tjera të rajonit” u shpreh Presidenti gjerman.

Në mënyrë të veçantë të dy Presidentët u ndalën dhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kërcënimet nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, si dhe identifikimin e përfshirjes së influencave nga vende të treta në këtë rajon, me synim ndryshimin e agjendës evropiane e euroatlantike të vendeve të rajonit.

Presidenti Nishani theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi, duke zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, pa përjashtim. Gjithashtu, ai theksoi se rajoni po kalon momente sfidash dhe vijimi i kontributit të Gjermanisë dhe partnerëve ndërkombëtarë është shumë i nevojshëm.

Steinmeier vlerësoi rolin dhe influencën pozitive të Shqipërisë në rajon dhe e siguroi se Gjermania është shumë e interesuar dhe po investon seriozisht për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të mbetet gjithmonë e angazhuar dhe kontribuese në këtë drejtim.

Të dy Presidentët priten të takohen sërish të shtunën, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që zhvillohet në Brdo të Sllovenisë dhe ku Presidenti Steinmeier është i ftuar i posaçëm i liderëve.

Të fundit