Nisma e re: Tarifa zero për mjetet elektrike

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka vendosur të rimbursojë për herë të parë për mjetet elektrike dhe plug-in çdo tarifë të regjistrimit, si një nismw, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis dhe cilësinë e ajrit.

DPSHTRR bën të ditur se janë disa tarifa të cilat do të bëhen zero për këto kategori makinash duke nisur me kontrollin fizik, lejen e qarkullimit kombëtare, targat standard, si dhe certifikatë pronësie, të cilat në total arrijnë në 7,500 lekë të reja për çdo mjet GREEN por që tashmë kjo shifër do të mbulohet nga drejtori.

Nga DPSHTRR sqarohet gjithashtu se po përgatiten për miratim në Këshillin Drejtues të DPSHTRR dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë edhe nisma të tjera GREEN, krahas propozimeve në kuadër të ndryshimeve në ligjin për taksat për mjetet rrugore.

Zerimi i tarifave për mjetet elektrike është në vijim të një sërë reformave të ndërmarra në sektorin e Shërbimeve të Transportit Rrugor gjatë muajve të fundit, siç është ajo për realizimin e ndryshimit të pronësisë së mjeteve pranë sporteleve të DPSHTRR pa qenë nevoja për të shkuar më tek noteri, por edhe risia e cila bëri të mundur evitimin e radhëve të gjata nëpër sportele përmes rezervimeve on-line.