Flash News
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Alfred Lela
Sidomos për më të rinjtë, që e njohin pak ose aspak dhe as shprehin ndonjë vullnet për historinë politike të Shqipërisë së para viteve '90, emrat Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu nuk thonë gjë. Emri i njërit, ndoshta, mund t'u kujtojë epitetin që kryeministrit aktual, Rama, edhe ai prodhim i para viteve '90, u mvesh njerëzve më media dhe politikë, majtas apo djathtas, nuk ka rëndësi sa kohë janë kundërshtarë të tij: kadrinjtë.
'Kadrinjtë' pra, janë ata që nuk pajtohen me politikat e Ramës dhe duan t'i marrin pushtetin atij. Ashtu si 'kadrihazbinjtë' ishin ata që donin t'i bënin 'puç' Enver Hoxhës, gjithshtu për t'i marrë pushtetin. Emrin tjetër 'Beqir', më të rinjtë mund ta lidhin me ministren e sapoemëruar të Infrastrukturës, Belinda Ballukut.
Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu ishin eksponentë të lartë politikë dhe ministra të regjimit komunist të Hoxhës. Njëri vrau tjetrin dhe e pasoi në hierarki duke e pësuar më pas po nga ai në emër të të cilit vrau. Në një rend kronologjik, por jo filozofik, ka rëndësi të thuhet se ishte Kadri Hazbiu që vrau Beqir Ballukun, dhe disa komunistë të tjerë të lartë. Një dekadë më vonë pati të njëjtin fat duke rënë nën thikën e së njëjtës 'tradhti'.
Ironia e do që Belinda Balluku, ministrja e re, të jetë mbesa e Beqir Ballukut 'të mbetur në duart' e Kadri Hazbiut, dhe ajo i ka zënë vendin Damian Gjiknurit, nje familjeje me lidhje me pushtetin komunist, por në fazën e rinovimit, kur Nano ftoi profesoratin për të zëvendësuar 'gardèn e kuqe' të komunistëve të vjetër.
Kjo lidhje duhet, jo vetë për të thënë se si neobllokmenët, një term dhe tezë që dukej (pa të drejtë) e keqpërdorur nga Berisha e të tjerë, këmbejnë vendet në qeveri, por edhe për atë se historia përsëritet në aulat e komunizmit shqiptar, edhe pse e përmbysur. Edhe pse kësaj radhe jo si dramë, por si farsë.
Nëse, për të përdorur sërish analogjinë e Ramës, ishin 'kadrinjtë' e regjimit që eleminuan 'beqirët', tani 'ballukët' kthehen për të hequr qafe 'hazbinjtë' e pushtetit të ri.
Ngjan e tillë, më rrafshin e një fushate spastrimi, ajo që po ndodh me administratën e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, që dikur sundohej nga Gjiknuri, le të themi një 'kadri' i pushtetit të Ramës, ndërsa tani ka rënë në dorë e një Balluku. Ministrja e re, me vendime dhe deklarata që shkojnë në kufijtë e purgës, ka filluar shkarkime drejtorësh, anulime dhe skanime koncensionesh. Më i zëshmi ishte vendimi për t'u thënë STOP 'koncensioneve të pakërkuara' që ishin 'buka dhe djathi' i qeverisë Rama në mandatin e dytë. Paradigma politike që e përkufizonte më shumë se çdo gjë.
Duket se 'beqirballuku' ka dalë nga thellësitë e ftohta të hakmarrjes dhe harrimit për të kryer, katarsisin dhe vendetën njëherësh, ndaj 'kadrinjve' që e shtynë atë dhe shtetin që ai kish ndërmend shtatë pash në dhe.
Oh, mos e merrni seriozisht, ju lutem! 'Kadrinjtë' e Ramës janë vetëm duke simuluar një katarsis në gjasë të të cilit bëjnë sikur po i qesin fare 'hazbinjtë' e pushtetit. Nuk është ashtu siç duket, sepse skema është e teatrit të vjetër socrealist të politikës së pushtetit: fajin në fillim e kishin 'beqirët', pastaj 'kadrinjtë', pastaj 'mehmetët', por asnjëherë Enveri.
Sepse Enveri nuk dinte gjë.
Në fakt, faji ishte i Enverit asokohe dhe i Ramës tani.
Si të kesh kapur gruan në tradhti është ky rast. Mos beso nëse dëgjon 'nuk është ashtu siç duket'!