Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ka shkarkuar trajneri e kombëtares Julen Lopetegui, pas vendimit të tij për tu bërë tekniku i Realit të Madridit.
Rubiales u shpreh se Lopetegui ka bërë një punë të mirë, por nuk mund ta pranojnë faktin që ai do të kalojë tek bardhezinjtë, kur vetëm pak ditë më parë kishte rinovuar kontratën e tij në stolin e Spanjës.
“Kemi vendosur të shkarkojmë trajnerin kombëtar. Fakti që arritëm deri këtu është edhe meritë e tij, dhe për këtë duhet ta falenderojmë dhe t’i urojmë fat. Skuadra kombëtare e Spanjës është ekip i të gjithë spanjollëve. Julen ka punuar në mënyrën më të mirë me skuadrën, por nuk mund ta pranojmë veprimin e tij në këtë rast”, tha Presidenti.
Rubiales gjithashtu theksoi se negociatat janë zhvilluar pa asnjë dijeni nga Federata , e cila e mësoi lajmin vetëm 5 minuta para konferencës për shtyp.
“Negociatat janë zhvilluar pa asnjë dijeni nga Federata, që e mësoi vetëm 5 minuta para konferencës për shtyp, ka një mënyrë të të vepruarit, të cilat duhen plotësuar”, ka deklaruar Rubiales .
Emërimi i tij në krye të Realit, sjell shumë ndryshime në skuadër por edhe pikëpyetje të shumta, ku më e rëndësishmja është ajo që ka të bëjë me Ronaldon . Në Spanjë kanë dilema në lidhje me të ardhmen e sulmuesit portugez, sidomos pas largimit të Zidane.
Discussion about this post