Flash News

OP-ED

Një këshillë për 'këta tanët' nga Friedman: Në 'luftë' fiton ai që përshtatet

Një këshillë për 'këta tanët' nga

Alfred Lela

Thomas L. Friedman, autori i njohur dhe kolumnisti i The New York Times, në një shkrim në këtë të fundit theksonte se qëllimi i njerëzimit nuk duhet të jetë mposhtja e virusit, por adaptimi me të. Duke huazuar metaforat e përdorura nga presidenti Trump, ‘luftë’ dhe ‘armiku i padukshëm’, të cilat i ka po aq për zemër edhe kryeministri ynë, autori i njohur shkruan se, kur je në përleshje me Nënën Natyrë nuk mund të fitosh as si i fortë dhe as si mençur (dhe aq më pak si delirant), por si qenie elastike.

Friedman sjell shembullin e Suedisë e cila ‘nuk shkoi në luftë’ me virusin, por vendosi një modus vivendi të vetin, dhe pyet, a duhet të bëjmë si Suedia? të përshtatemi apo të themi ‘vari hejbet karantinës!’ dhe të shkojmë në 50 drejtime të ndryshme?

Kur Shqipëria po futet në muajin e dytë të pandemisë dhe të masave kundër saj dhe, nëse i besojmë një studimi të Universitetit të Singaporit, do t’i duhen edhe të tre muaj të tjerë për t’iu afruar zonës së lirisë, cilat mund të ishin disa nga format adaptive (të përshtatjes) të ndërmarra nga autoritetet?

Ajo që bie në sy është se të gjithë vektorët politikë janë tifozë të karantinës. Kryetari i opozitë,s që herët, kërkoi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kërkesë të institucionalizuar prej qeverisë; kryetari i ekzekutivit bëri ndryshime në Kodin penal duke i përforcuar ndëshkimet nëse ka shkelje të rregullave të karantinës; kryetari i shtetit e miratoi Kodin e ‘diktatorizuar’ pas disa ndryshimeve të kërkuara prej tij, të marra parasysh nga shumica parlamentare.

New York Times përkufizonte, në një shkrim tjetër, arsyet se pse një qasje si e Suedisë funksionon në vendin skandinav. Ndër të tjera faktin se suedezët besojnë te institucionet. Shqiptarët, jo. As te institucionet dhe as te njëri-tjetri. A i jep kjo të drejtë elitës politike, dhe a mund të marrë ajo një notë ‘adaptiviteti’ në raport me popullin e vet? Me gjasë po, por ne nuk mund të jemi vazhdimisht një ‘shtet sanitar’ duke qenë se jemi, si çdo strukturë tjetër etatiste, një realitet monetar. Gjë që na sjell te pyetja: si do të përshtatemi në raport me ekonominë? Askush nuk beson se adaptim mund të quhet propozimi i deputetit socialist Ilir Beqja që të ulen pensionet. Apo ai i zv/kryeministrit Braçe që u kundërvihet pronarëve duke mbrojtur punëtorët. Në mos dritëshkurtësi, qëndrimet e tyre dëshmojnë shkëputje nga realiteti. Nëse prindërit e z. Beqja do të mund të hiqnin dorë nga pensioni, ngaqë i biri ‘fatlum’ ka mjaftueshëm para, si do t’ia bënin mijra pensionistë shqiptarë që jetojnë me 100 euro në muaj apo më pak? Përpjekja e zëvendësit të Ramës nuk mund të gjykohet jashtë toneve patetike të ‘birit të popullit’, të cilat megjithatë, nuk i shkojnë dikujt me një post të lartë shtetëror.

Në vend të luftës, cilat do të ishin format e përshtatjes me Covid-19 që mund të nismonte qeveria? Më e para, të ndaluarit e trajtimit të përballjes me Covid-19 si ‘luftë me një armik të padukshëm’. Jo për faktin se në zanafillë të epidemisë ishin vetë njerëzit e qeverisë që të hidheshin në grykë, duke të trajtuar si prishës të qetësisë dhe lumturisë kombëtare, po t’u përmendje masa parandaluese për virusin që kishte kapluar Italinë, por se tashmë ‘lufta’dhe koronavirusi janë bërë psikologjikisht rëndues. Nëse krijon një kordon sanitar fizik, shemb një tjetër që është edhe më i brishtë, atë mendor.

Së dyti, duke rialokuar fonde që janë të bllokuara ose të drejtuara në projekte të tjera të infrastrukturës apo shëndetësisë. Disa prej PPP-ve të shumëdiskutura, si psh check-up i famshëm tashmë i pezulluar, ngjajnë si anekdota paqeje treguar në kohë ‘lufte’. Apo duke ‘ngrirë’ punë publike vazhdimi i të cilave në kohë krize të shëndetit publik ngjajnë si diçka që dyshohet se janë: mjegull për ujkun e parasë publike që në kohë ‘lufte’ bëhet dyfish i uritur.

Së treti, duke i shndërruar energjitë që përdoren për propagandë në burime menaxhimi. Politikanë të lartë që shpërndajnë qese ushqimesh, apo batuta babaxhane si të ishin nuska shërimi, ndjekur nga ekipe të piarit dhe televizionet që luajnë komplekse personale në valë kombëtare, janë valle mu nën hundën e mjerimit.

Me dakordësinë që ka treguar për masat shtrënguese, është e qartë se politika nuk ka besim te populli i vet. Duke i lehtësuar ato masa me ‘sensibilitet menaxherial’ qeveria, në emër të elitave politike, mund të kërkojë të fitojë mbrapsht një pjesë të besimit, tradicionalisht të humbur, të qytetarëve.

 

Të fundit