Zef Zefi
Mbërritja e komunistëve: Çfarë janë këta, pyesnin shqiptarët për maskat (prej fronti) të komunizmit që filluan të duken në Shqipëri në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar, ndërkohë në Mirditë, këtë maskë ata s’e hoqën dot dhe për 20 vjet të tjera, (vitet ’60) derisa e nënshtruan me zjarr, hekur e luftë të pastër civile. Kishin mbërritur bolshevikët, mercenarët shqiptarë kozmopolitë, të shitur tek internacionalizmi antikombëtar.
Me rënien e Mirditës dhe malësive të tjera, këta armiq të betuar të lirisë, instaluan, shpallën, aplikuan dhe afirmuan luftën. Lufta u bë kryefjalë e çdo fjalie, duke filluar nga fëmijët e çerdhes deri te funeralet; kryefjalë e mbledhjeve, takimeve, kongreseve, festave, gjykatave, në kushtetutë, në kode penale, civile, deri te kodi i familjes dhe ai gjenetik.
Lufta e këtyre maskave ideologjike “shqiptare”, shfarosi shqiptarë më shumë se luftrat pushtuese, botërore e rajonale të shek XX. “Lufta e klasave, është forca kryesore lëvizëse që çon përpara zhvillimin e shoqërisë dhe konsolidon fitoret e socializmit,-” direktivonte, ideologu dhe udhëheqësi terrorist shqiptar me triumfalizëm mbasi e kishte vdekur politikën, shtetin, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
“Lufta dhe Perversiteti asgjësojnë shtetin…- thotë filozofi (i majtë) bashkëkohor M. Rekalkati i cili nuk i referohet ferrit shqiptar, luftës civile ndërshqiptare “…njerëzit jetonin në paranojë duke ia nështruar individualitetin dhe subjektivitetin e tyre, ideologjisë…,partisë, -pastaj vazhdon; -…busulla e masave ishte orjentuar në drejtim të idealit, proceset historike ishin të ndara për ontologji të mirët kundër të këqijve.
Përfundimisht, shekulli XX ishte shekulli i fanatizmit paranojak, lufta e plumbit, vdekja e fjalës, vdekja e politikës. Sot, në shek XXI, politikën po e vdes perversiteti…”-përfundon filozofi. Perversët…? Fjala pervers, në përdorimin e zakonshëm, ka hyrë si term që lidhet me perceptimin frojdjan, dmth si praktika seksuale të devijuara ose të dhunshme, si tejkalim i nevojës për riprodhim. Frojdi, seksin e kafshëve e konsideronte normal, ndërsa atë njerëzor pervers. Sepse, ndërsa kafshët e bëjnë atë vetëm për nevojat e ekonomisë së species, njerëzit më shumë se për riprodhim, e bëjnë për të kënaqur një pulsion tjetër, atë të dëshirës së un-it, gjë që te kafshët mungon.
Zhak Lakan (1901-1981) një nga psikanalistët dhe filozofët më të famshëm francezë, që e ka studiuar dhe shpjeguar këtë pulsion human (dëshirën) në raport me ligjësitë natyrore apo me ato humane të (kufizimeve) morale, shoqërore, kushtetuese apo penale. Ai del në përfundimin se perversiteti i vërtetë, pra perversët klinikë, nuk janë personazhet biblikë që thyejnë këshillën e Zotit për pemën, as personazhet e Dostojevskit, për arsye se të parët, biblikët, mbas fajit ndjejnë turp për lakuriqësinë e tyre, edhe të dytët, dostojevskjanët, pavarësisht se e thyejnë, kufirin, rregullën, ligjin, e njohin atë, përderisa reflektojnë.
“Perversi klinik ndryshon nga njeriu transgresiv,- thotë filozofi,- sepse perversi i vërtetë, nuk e ka sensacionin e turpit, as reflektimin. Përkundrazi ai synon, fshirjen e të gjitha rregullave, normave etike të bashkëjetesës së një shoqërie, mbi të cilat janë ndërtuar ligjet, për rrjedhojë ekzistenca e shoqërisë, për rrjedhojë shteti.” Zhak Lakan, në “Leksione…” ka vendosur në njërën anë Emanuel Kant, filozofin iluminist të rregullimit të shoqërisë nëpërmjet ligjit, i cili përcaktonte kriteret etike të jetës normative, ligjore e shoqërore, ndërsa në polin e kundërt, shkrimtarin, filozofin dhe teoricienin libertinist Markezin De Sade (1740-1814), prej të cilit ka rrjedhur edhe fjala e njohur ‘sadist’.
Objektivi final i perversit klinik është asgjësimi i magjistraturës, i nocionit të së drejtës, të vërtëtës, i mëkatit, Zotit, nocioneve kulturore, historike, etike dhe morale e, në këtë vakuum, të themelojë ligjin absolut të vesit, në shërbim të dëshirave të shfrenuara e kënaqësisë së egër të instiktit. Ky lloj perversi, pavarësisht se duket konfuz, është i qartë, i kthjellët, i ndërgjegjshëm, i korruptuar, i pamëshirshëm. Ai hidhet mbi objektin (viktimën) e tij që janë: moralisti, mësuesi, edukatori, akademiku, gjykatësi, gazetari, opozitari apo çdo lloj institucioni a entiteti që i kujton atij ligjet, rregullat apo normat.
Kongresi i frikës… Çfarë janë këta, bolshevikë apo perversë, duhet të kenë pyetur ndonjë nga të shkolluarit e ndonjë delegacioni. “Habitati i lumturisë së perversit- thotë Zhak Lakan- është mjedisi dhe shoqëria ku mbisundon frika, kriminaliteti, vuajtja, përbuzja, mjerimi, ankthi, poshtërimi, ku viktima është depersonalizuar, një objekt bosh, që ekziston vetëm për të kënaqur epshet dhe veset e xhelatit sadist.”
Jemi në vitin e shtatë të qindvjetëshit të Dytë të Shtetit shqiptar. Dhe (nuk) përbën çudi për shumicën e shqiptarve se nga gati shtatë vjet, 6,5 vjet (me tendencë drejt 99,99%), qeverisin shkaktarët, bijtë e bolshevikëve, dorasët e vertetë, njëkohësisht përfituesit e drejpërdrejtë moralë e materialë të LUFTES ndërqytetare (klasave) mbi shqiptarët.
Përgjatë 75 vitesh mbas Luftës së Dytë botërore, kohë kur shtetet e tjera moderne u bënë, “shteti” shqiptar, në qeverisje fuqiplotë ose bashkë-qeverisje ka qenë në duart e tyre. Kjo, e barabartë me mbi 87% të kohës për shtetbërjen, por në vend të shtetit kjo e majtë u dha shqiptarëve Luftën, antishtetin, varfërinë, perversitetin.
Këto shifra nuk duan shkollë më shumë se arsimi i detyrueshëm 4-8-9 vjeçar, aq me pak gjithë-ologjistë, a komsomolas, për të kuptuar se Atdheu ynë i përbashkët i të majtës e të djathtës, ka qenë në një palë të vetme duarsh. Ato të majta. Ndërkohë që të gjitha pëgjegjësitë për mosbërjen e shtetit, i ngarkohen, opozitës, viktimës. Ndërsa të djathtat për 10 vjet qeverisje, maxhoranca modeste apo të larme (përjashtuar 1992-96) nuk do të mund ta pengonin kurrë as PKSH, as PSSH, as LSI, as “Rilind-jen për t’ua bërë shtetin shqiptarëve.
Discussion about this post