Një letër (pak e njohur) e Lumo Skëndos drejtuar Ismail Qemalit: Je rrëfyerë gjithënjë grek dhe kurë Çqipëtar

Përse e botojmë këtë shkrim?

Në numrin e 42-të, të ditës së shtunë, datë 2 maj 1909, të së përjavshmes “Lirija” që Midhat Abdul Frashëri alias Lumo Skëndoja nxirrte në Selanik, botohet një letër drejtuar Ismail bej Qemalit, teksti i plotë i së cilës, tok me faksimilen, botohet më poshtë, e cila, siç marrim vesh nga përmbajtja, nuk është as e para (autori na kumton se disa muaj më parë ka nisur një letër të ngjashme që ai vetë shkon dhe e quan  të hapur, pra, publike; mos vallë kjo do të thotë që paskësh nisur edhe ndoca letra vetjake, po që së fundmi u shtrëngua, nga se (?) t’i drejtohet publikisht, njeriut me të cilin ka pasur njohje, madje edhe hyrje-dalje familjarisht) dhe, pas të gjitha gjasave, as e fundit.

Çfarë e shtyn Lumo Skëndon të ngrejë akuza aq të rënda ndaj burrit që pas afro tre vjetësh do të ngrejë Flamurin e Pavarësisë në Vlorë dhe do të shpallte faqe botës shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, teksa kjo e fundit e cilësuar jo më kot si i “sëmuri i Bosforit”, ndodhej në grahmat e fundit? Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi në mënyrë shterruese kësaj pyetjeje, po një gjë mund ta themi pa ngurruar e pa pasur drojë se mund të lajthisim e gabojmë; arsyeja lypset të ketë pasë qenë e fortë. Tek lëçisim letrën, që shembëllen më fort me një pamflet politik, ajo çka bie në sy është toni i rreptë dhe akuzat e drejtpërdrejta, përmes të cilave autori shigjeton pa mëshirë njeriun të cilit i drejtohet. Pikë së pari, Ismail beu, ashtu si edhe i ati, Mahmud beu, gjykohen si njerëz të grekut që i kanë shërbyer dhe vijojnë t’i shërbejnë atij. Në kontekstin historik të kohës, pra, jemi në vitin 1909, lexuesi lypset të ketë parasysh se Ismail Qemali është deputet në Mexhlisin turk, ndërkohë që Greqia është shkëputur prej kohësh dhe ka fituar pavarësinë, ashtu si edhe një pjesë e mirë e vendeve ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë. Për t’i bërë sa më të qëndrueshme e të besueshme akuzat e rrepta, Lumo Skëndoja përmend e citon të atin, atdhetarin e madh të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashërin, kur thotë “Ismail beu prapë grek, prapë grek! Mendjen’ e ka qysh t’a marrë Çqipërinë Greqija!”po nuk lë pa kujtuar e thirrur në ndihmë për t’i tërhequr vëmendjen lexuesit edhe konsideratat e ungjërve të tij, zëmëdhenjve Naim e Saim Frashëri, te të cilët, gjithashtu, sipas Skëndos, Ismail beu është rrëfyerë gjithënjë grek dhe kurë Çqipëtar. Nga ana tjetër, pa hyrë në hollësi, Skëndoja nuk përton të numërojë në adresë të letërmarrësit edhe paudhësitë e kryera përgjatë udhëtimeve të tij poshtë e përpjetë nëpër Europë, të cilat, po t’u zemë besë fjalëve të letërshkruesit i kanë shërbyer vetëm Greqisë dhe jo Shqipërisë e shqiptarëve. E vërteta është që, përtej emfazës dhe tonit të fortë retorik, autori mbetet vetëm në përdorim epitetesh të rënda, po nuk zbret në hollësi dhe nuk na ofron fakte e të dhëna konkrete rreth atyre për çka e akuzon Ismail beun. Me interes janë emrat e disa personazheve historikë që paraqiten nga Skëndoja si miq e mentorë të Ismail Qemalit, fjala vjen, Kalo Qirjaqi, Hristo Vasili, Kazazi, të gjithë njerëz në shërbim të grekut, ashtu siç përmend me emër edhe një farë Rexheb Pasha, si viktimë e pabesisë së dëftuar ndaj tij prej të sipërpërmendurit.

    Duke riprodhuar versionin e plotë të kësaj letre nuk mëtojmë as të përdhosim figurën e nderuar të Plakut të Vlorës (Zot na ruaj!) dhe, në të njëjtën kohë, as t’i hyjmë atij procesi revizionues të historisë, siç flitet poshtë e përpjetë nga politikanë, kinsehistorianë, studiues dhe profanë gjithfarësh. Thjesht dëshirojmë të ngremë një kind të perdes së madhe e të rëndë të historisë së vendit dhe, doemos, t’i hedhim një sy kërshëror jetës dhe veprës së personazheve të saj, për të shpalosur faqe botës anë pak të njohura të historisë, si dhe tipare e veti të mbajtura në terr të karaktereve të atyre burrave që bënë Shqipërinë dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e saj. “Historiografia socialiste shqiptare ka pasur prirjen ta shihte pothuajse gjithçka bardhë e zi,” thotë historiani Bernd J. Fischer dhe sot, kur jemi të lirë e të çliruar nga censura e vetëcensura, nuk kemi si të mos i japim të drejtë studiuesit në fjalë dhe, njëkohësisht, i drejtohemi të drejtës morale të shohim atë çka ishte fshehur pas Perdes së Hekurt të ish-historiografisë zyrtare. E vërteta e pamanipuluar i shërben higjienës mendore e morale të një kombi, madje edhe atëherë kur qëllon të ketë shijen e hidhur të pelinit.   /Politiko.al

 

Letr’ e hapurë

Ismail Qemal be Vlorësë, n’Athinë

E dimë që po përunjemi duke zën’ ngoje emrin e zotëris’ s’ ate, dhe na vjen turp për këtë punë, po duhet që t’u apim të marrin vesh atyreve që edhe s’të kanë kupëtuarë.

Disa muaj më parë të shkrova në këtë gazetë një letrë të hapurë, po për fat të keq Zotrote s’di ç’është as turpi as nerezi: n’atë zemrë tënde këto dy ndjenja s’kanë hyrë kurrë, se gjithë vendin e ka zënë mejtim i interesit dhe i intrigavet.

Jo Ismail be s’ke turp, turpin s’e di fare ç’është, dhe njerëzinë s’e ke njohurë: Çqipëtarëvet q’u-gënjyenë dhe të zgjodhë depyte ti tani po ja u çpërblen me tradhëtim, me dhelpëri. Se nukë je Çqipëtar, edhe se s’ke qënë kurrë.

Njeriu ka dy burime vetije: prindërit dhe stërvitjenë. Ti je i bir’ i Mahmud beut , do me thënë djal’ i një Vlonjaku që i falësh Greqisë: yt’ atë vdiq n’ Athinë duke nderuarë emrin dhe besënë. Po në je, si donje nga trupi djal’ i ati njeriu, nga stërvitja je djal i Kalo Qirjaqit, i një greku që të ka rriturë me helm e me vrerë. Ku do tà gjenje pra çqipëtarërinë?

Isha djal i vogëlë, kur Zotrote, nà tetë-mbëdhet vjet më parë, vinje dhe kuvëndonje me t’im atë; ahere unë s’ndodhesha në fjalimet tuaja, po si iknje ti gjidhënjë dëgjonja t’im atë që thosh: Ismail beu prapë grek, prapë grek! Mendjen’ e ka qysh t’a marrë Çqipërinë Greqija!

Më pastaj akoma shumë vite kam diturë kuvendet që ke bërë me t’im ungjërit, Me Naim benë dhe me Sami benë, dhe gjithënjë je rrëfyerë grek dhe kurë Çqipëtar, aqë sa unë që në djalëri të kam pandehur protosingjelon e Patrikut a çirakun e Ministorit të Greqisë.

Ike n’ Evropë. Oh, kush munt të numurojë gjithë ndyrësinë, gjithë poshtërsinë e asaj jete? Për ty ashtu sikundrë që njerëzija është në fjal’ e pa njohurë, ashtu edhe nderi s’paska fare no një dëftesë! Që më parë, që kur ishe në Stamboll e dinim ç’farë dolandërëçi, ç’far hartopekt dhe eskrok ke qënë, po jet’ e Evropësë të nxori fare në shesh.

N’ Evropë nga gjithë qytetët pëlqeve rrugat e ngushta t’ Athinësë dhe kafenet e errëta; atje u poqe jo vetëm me shpirtërat e Kalo Qirjaqit dhe të Mahmud beut, po dhe me shokët e tu Kazazin dhe Hristo Vasilin. Me këta djaj u-bëre dhe ti një palikar i vërtetë, u-bëre një tradhëtor’ i mirë dhe një gënjeshtar i mbaruarë! Grekërit ty të gënjyenë, po dhe ti i gënjeve dhe kështu në mes dy gënjeshtrave lidhtë pazarllëkun: Çqipëri e poshtme – se Gegërinë ti nuk’ e zë për Çqipëri – do të jet’ e Greqisë! Këtu u-rrëfeve që je i vërtetë djal’ i Kalo Qirjaqit! 

Nukë zë ngoje të tjera punët e turpshime të tua, nukë dua të numuroj gjithë sa gënjeshtra dhe sa dhelpëri ke bërë; po në mes të të gjithave mos të harrojmë sa ndyrë u-solle me Rexheb pashën, dhe sa i pabes u-tregove.

Këto janë punët dhe mendimet e tua. Mos më thua se i ndërove, se edhe si u-ktheve në Çqipëri prap’ atë udhë ke mbajturë: atë miqësi që keshe me kushullën e Grekut në Vlorë, ato pazarllëke që ke bërë, ato s’i harrove as si u-bëre depyte, se je i pabesë për një gjë të mirë, po për ndyrësi dhe për tradhëtim je shum’ i dreqtë dhe besnik. Këtë po tregon dhe këtë radhë aty n’ Athinë.

Midhat Abdul Frashëri.