Një ndryshim themelor i protestës së opozitës (që pak u vu re)

Alfred Lela

Protesta e së shtunës, ditën e gjashtë të javës dhe e gjashta herë e opozitës, kaloi siç ndodh zakonisht me opozitarizmin në Shqipëri: me një përzierje padurimi; keqinterpretimi (tkurrja e pjesëmarrjes [edhe në letrat e Ramës]); diabolizmi (e shihni: celularët janë të shtrenjtë (!!!); dhe, paradoksaliteti. Ky i fundit lidhet me mungesën e dhunës. Gjallon një provokim, i hapur dhe banal, në studiot e debateve dhe mediat  proregjim, sipas të cilit, kur opozita proteston me Molotov etj., është e dhunshme; kur marshon pa asnjë incident, është e pazonja. Kur ta kapni këtë paradoks në diskutimin e kritikëve të opozitës, mendoj se keni arritur, njëkohësisht, te e vërteta dhe te mjerimi i bartëseve të kësaj teze me dy koka kundërvënëse.

Për të kundërshtuar mpakjen, apo tkurrjen, mjafton ndoshta një vëzhgues i paanshëm si gazetari i The Economist, Tim Judah, që ndodhej në Tiranë për të raportuar për protestën, dhe shkroi në Twitter ‘bulevardi është plot’.

Aty ku opozita fitoi dukshëm, edhe pse për të u fol pak, është elementi që e ka ligështuar më shumë kryeministrin Rama: shpalosja estetike e protestës. Një ndër shmangiet thelbësore të së djathtës shqiptare, pas hyrjes në skenë të Ramës, ka qenë ngulmimi i saj (konservator) për të konsideruar vlerat (narrativën etike) dhe për të shpërfillur format (narrativën estetike). Basha, shefi i ri demokrat që solli në lidership një pamje të re, ku mungonin artikulimet, në fjalë apo mimikë të llojit ancien regime, nuk mundi megjithatë që, atë të cilën e bartte vetë estetikisht ta përcillte edhe në parti. PD mbeti e vjetër në komunikim dhe në paraqitje, duke kryer edhe një shtrembërim në proces: të rinjtë që i atashoheshin partisë për të sjellë ‘frymë dhe mendim të ri’, paradoksalisht, bëheshin urë në përpjekjet për t’u ngjarë ‘xhaketave të vjetra’. Duke braktisur tipologjitë personale për tipologjinë kolektive partiake.

E cila, sa i takon komunikimit publik, kishte përvetësuar dhe mbante mu në ballë, shtampën e ‘Vizion2000’, një krijim ‘luftarak’ i fundit të viteve ’90. Të shtunën e 25 majit dikush ishte përpjekur që, ‘Vizion2000’, një narrativë për të traumatizuarit e fundkomunizmit, të zëvendësohej me një të re, që kishte në shenjë milenialët. Brandi i ri demokrat i komunikimit politik, ku vlerat nuk shpërfillen, por estetika lartohet mu te kuptimi i saj, që lidhet me mënyrën si bartet dhe jetohet jeta këtë shekull, duhet të ketë fatin e vazhdimësisë.

Futja e tepsive në arsenalin e mjeteve simbolike të protestës ishte një gjetje antitezë, që shpjegonte, pa thënë asgjë, rrotullimin rreth vetes dhe ‘tepsisë së plaçkës së luftës elektorale’ të qeverisë ‘Rama’.

Flamuri gjerman, një element i pandeshur në ‘zakonet politike’ shqiptare, ku sundon amerikani, krijoi një kontrast të duhur dhe sinjalizues të drejtuar kah të huajt. ‘Kandilët e qiellit’, flakë e mbështjellë me pëlhurë ku ishte shkruar ‘Rama ik’, e zhvendosën simbolikisht zjarrin, që ishte hedhur në protestën pararendëse në ‘këmbët’ e Kryeministrisë, në qiell: ku mund ta shihnin të gjithë dhe askush nuk mund të ankohej. Me gjasë, edhe ata që i kanë shkruar Ramës ‘të qëllonte mbi protestuesit’ , duhet t’u jetë zbutur xanxa puniste para xixëllonjave mbi qytet.

Po në simbolikën e dritës dhe të efektit të saj janë edhe celularët, të ndezur jo vetëm për të krijuar një ‘neon politik’, por edhe për të thënë, simbolikisht, se ata që kanë dalë në shesh janë në kërkim të një, ose disa gjërave, që i kanë humbur në ndërkohën e kësaj qeverisjeje. ‘Elektriku’ i celularit ishte për të krijuar efekt, por gjithashtu edhe për të shprehur kuptimin e parë të përdorimit: për të ndriçuar rrugën në errësirë; për të gjetur diçka në çantë; për të hapur derën e shtëpisë; për të identifikuar atë që ke përballë në terr; për të bërë një shenjë; për të kërkuar qiriun kur të kanë ikur dritat; apo, edhe për të bërë dritë kur OSHEE të ka lënë pa të.

Partia Demokratike e ka futur veten në një erë të re komunikimi, impresioni i së cilës duhet të jetë themeli i një diskuri të ri. Politika është efekt dhe, ‘çdo efekt i bukur krijon një armik’, ka thënë Oscar Wilde.

Por efekti, ‘armiqtë’ i kthen në ‘robër’.