Flash News

OP-ED

Një President që ka frikë

Një President që ka frikë

Rahim Ombashi

Për punë, këto ditë gushti u ndala në Ohër e pastaj në qytetin e Strugës. Duke soditur atje ku del Drini i zi, i cyta në muhabet ish-studentët e mi të fisshëm e patriotë, qytetarë të atyre anëve, për etimologjinë e fjalës “Strugë”. Shihnin njëri-tjetrin në sy e nuk mora përgjigje. E keni, i jap udhë fjalës, te ‘Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”, botim i vitit 1980, ku del me dy kuptime: STRUGË I f. “Mbulesë e leshtë që hidhej krahëve si rrobë ose që përdorej si shtrojë; lloj bërruce e bardhë, që e përdornin barinjtë në disa krahina të Veriut të Shqipërisë. Strugë e bardhë. Struga e Zadrimës. Hodhi (shtroi) strugën” dhe kuptimi II STRUGË f.1. “Vend me ujë dhe me shkurre moçalore; vend i ulët, si gropë, që mban ujë edhe gjatë verës. 2. Vijë uji.”

Ka mundësi që emri të jetë vënë më fort prej kuptimit të dytë dhe shtova se takimi u bë disa herë më i ngrohtë edhe prej komunikimit të ngrohtë. Bisedë mes shqiptarësh, por edhe në një truall shqiptar, paçka se administrativisht nën një shtet tjetër.

“Gjithçka tjetër janë veçse absurditete të politikës, - shtoi dikush në bisedë.”

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe kur jemi duke shijuar koran e belushka të gjolit të Poradecit, nuk ka si të mos ngjyejmë pak pelin politik. I dhashë ujë përsëri muhabetit, se edhe në politikën tonë rrallë, po ka nisur të bulëzojë ndjesa, njerëzorja. Pas njoftimit për sjelljen në atdhe të eshtrave të Lumo Skëndos, pas rivarrimit që iu bë eshtrave të Eqrem Vlorës, në prushin e gushtit lajmërohet nga ATSH-ja se Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar me titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, katër ish-të përndjekur që vojtën në ish-kampin e Tepelenës nga regjimi komunist.

Edhe ligjërimi i presidencës është disi ndryshe, larg të folurit institucional që të njofton ftohtë e thatë dhe me zemër në dorë: “Në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, pati nderin e veçantë të merrte pjesë në veprimtarinë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, për të nderuar e vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarëve të këtij kampi, që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, si personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare.”

Nuk u besoja syve. E lexova e rilexova njoftimin zyrtar. Jo, nuk ishte veç një lajmërim, përpara kisha lajm. Presidenti i majtë, i zgjedhur me votat e majta të parlamentit të Shqipërisë, ‘pati nderin e veçantë…’

Më poshtë njoftimi sqaron: “Presidenti Meta duke vlerësuar sakrificën për liri të të përndjekurve politikë ka nderuar më titullin e lartë Për Merita të Veçanta Civile katër ish-të përndjekur: Gjelë Gjikola, Mrikë Gjikola, Drane Jakja (pas vdekjes) dhe Lek Pervizi. Ata janë katër nga figurat frymëzuese që vlerësova me titullin e lartë, pikërisht në vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të sakrificës dhe humanizmit të njerëzve të thjeshtë.”

Në fjalën e vet ai shtoi se “… këta janë vetëm 4 nga shumë heroina e heronj që kanë vojtur në këtë kamp famëkeq, që nderohen në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe kërkon paqësisht të jetojë të ardhmen”, duke u bërë shembuj të vetëdijes qytetare dhe kombëtare për të ardhmen

Kreu i shtetit shqiptar e mbyll fjalën përshëndetëse: “Nderim përjetë gjithë viktimave të pafajshme, ish-të përndjekurve politikë dhe disidentëve të Shqipërisë, që dhanë jetën në emër të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor!”

E kemi pritur këtë çast, që jo vetëm na emocionon, por që bëhet edhe fakt. Presidenti i Republikës sonë ka frikë…! Sa fisnike! Në një fjalë të artë Sami Frashëri porosit: “Njeriu të mos ketë frikë nga ligji, të ketë turp nga bota, të ketë frikë nga ndërgjegjja e tij.” Krenohesh kur ndien e kupton se Meta qytetar e bashkë me të Presidenti, i frikohet ndërgjegjes së vet. Shtrin dorën e pajtimit, sepse shoqëria jonë duhet ta kalojë sa më lehtë gjendjen e ankthit social dhe të përballet paqësisht me të shkuarën. Komunikimi ndihmon të shmangen përplasjet, veçmas kur ka mbështetje institucionale.

Takimi u përmbyll me grishjen shtetërore: “Është detyra jonë që të ndriçojmë historinë tonë, me qetësi dhe drejtësi, në emër të forcimit të paqes sociale e të realizimit të një pajtimi kombëtar të vërtetë. Kjo sakrificë e jashtëzakonshme duhet kujtuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos përsëritur drama dhe tragjedi të tilla për shoqërinë dhe për popullin tonë, për mos e ndarë më atë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe për të patur gjithmonë parasysh atë që ka thënë Shën Nënë Tereza: ‘ne të gjithë i përkasim njëri-tjetrit’.

Faleminderit të gjithëve, për këtë iniciativë kaq kuptimplotë për të ndriçuar këtë vend dhe sidomos për këtë zgjidhje kaq të mençur, për të mbjellë filiza të rinj këtu në Tepelenë, që na kujtojnë se këto sakrifica të jashtëzakonshme duhet t’i vëmë në shërbim të mbarë kombit për një të ardhme më të mirë dhe më të paqtë!”

Me vete Presidenti kishte kryetarin e bashkisë së Tepelenës, ministren Kumbaro, kryebashkiaken e Shkodrës. Një hap jo i thjeshtë, por që u hodh. Ndoshta vijon.

Pa u shtirë, pa nënkuptime që mbajnë anën e njërës palë, të cilat shpien ujë te padrejtësia. E kuptoj më thellë pse Ai flet shtruar, pse shfaqet aq rrallë, pa lakej bjerraditës, nuk ka qejf bujën dhe pëlqen të rrijë jo pak në shoqëri me veten.

Yasushi Inoe, një shkrimtar i madh japonez këshillon: “Që të jesh njerëzor, duhet të jesh i vetmuar.”

*Autori është Dekan i Fakultetit te Shkencave Humane - Universiteti Bedër

 

Të fundit