Flash News

OP-ED

Një PROGRAM me ide dhe shpresë për Shqipërinë dhe për Opozitēn

Një PROGRAM me ide dhe shpresë për Shqipërinë dhe

Besnik Aliaj

Opozita në Shqipëri ka disa kohë që ka ndërmarrë një qëndrim jo të zakonshem, jo vetëm ndaj nje qeverisje aspak konvencionale, por edhe në përballje me publikun dhe ndërkombëtarët, që pas viteve 80-të kanë qenë përcaktues zhvillimesh në Shqipëri. Ky qëndrim radikal kulmoi me heqjen dorë nga mandatet në Parlament, dhe refuzim pjesmarrje në zgjedhjet vendore, që opozita i konsideron të paracaktuara nga qeveria dhe interesa ekstra-strukturore dhe ekstra-ligjore.

E gjitha u shoqërua me një frymë në rritje protestash, përplasjesh dhe denoncimesh ndaj “korrupsionit dhe partneritetit të qeverisë me krimin e organizuar” që kulmuan me lëvizjen “Rama Ik” dhe zgjedhjet mjaft të diskutueshme e të njëanshme të 30 qershorit. Ky koment i vogël nuk synon të sensibilizoje dikë për problematikat tepër shqetësuese e në rritje të vendit, të sistemeve të qeverisjes dhe të demokracisë së kërcënuar në Shqipëri se sa të adresoje vetë Opozitën shqiptare në këtë moment suspanse post- “pseudo-elektorale”, se ajo në fakt ka arritur tashmë në një moment cilësisht kulmor kur duhet të bëjë patjeter dhe urgjentisht një kapërcim të madh të vetvetes duke provokuar së pari një ndryshim në mentalitetim dhe paradigmat e saj si alternativë serioze përballë qeverisjes.

Për të qenë më i qarte me atë që po përpiqem të them, unë, në ndryshim nga shumica e njerëzve - që sot shfaqen disi konfuzë e pesimistë me vakumin e krijuar ndaj të sotmes dhe të ardhmes - e shoh në fakt këtë moment si një “shtrat” perfekt për të konceptuar dhe iniciuar një ndryshim esencial për vendin, për demokracinë fuksionale, për zhvillimin dhe mbi të gjitha për vetë Opozitën si institucion.

Opozita sot në fakt ka arritur diçka jo të vogël. Ajo ia ka dalë me sukses pas 6 vitesh opozitë tepër të vështirë që të informojë tashmë qartë e me fakte, duke ilustruar në mënyrë inteligjente, jo vetëm skeptikët dhe opinionin e gjerë publik në vend, por edhe faktorët ndërkombëtarë (që dukej çuditërisht sikur “mbështesnin” deri tani vetëm qeverinë), në lidhje me problematikën tepër serioze të autoritarizmit në të cilin ka rënë tashmë Shqipëria dhe Projekti i saj Europian.

Në fakt, sot Opozita e 2019 duket se është në kushte të ngjashme me Opozitën 2003, por nuk duket shumë e ndërgjegjshme për këtë. Edhe në atë kohë Opozita pas 6 vitesh rezistence të vështirë kulmoi me lëvizjen “Nano ik” përballë korrupsionit galopant në rritje, dhe turpit të “Dushkut të vogël e të madh”. Pas këtyre protestave masive, publiku atëherë priste me padurim që Opozita të ofronte një zgjidhje konkrete e të prekshme, përtej protestave e përplasjes masive. Pritej një PROJEKT bindës NDRYSHIMI, atë të “duhurin” që shndërrohet shpejt në një ortek social-ekonomik.

Publiku nuk është më “naiv”. Ndaj ndryshimi duhet të jetë bindës, përmbajtësor e aspak elektoral. Prandaj edhe atëherë publiku priste krahas programit edhe fytyra të reja dhe njerëz bindës e të pakonsumuar që ngjallnin shpresë se diçka do të ishte realisht ndryshe nga sa vetë Opozita kishte gatuar në pushtet 1992-1997, dhe ndryshe nga sa qeverisja e atëhershme kishte abuzuar gjatë 2008-2003. Dhe ndryshimi cilësor erdhi si një proces duke kulmuar në 2005 me një ekip dhe një program me ide të qarta e plot shpresë, larg shablloneve mediatike dhe zhargonit lodhës të përditshëm politik.

Të gjithë kontribuan kështu nga pak për ndryshimin e shumëpritur. Pra Opozita sot duhet të nxjerrë mësim nga përvojat e kaluara pa i kopjuar ato, dhe pavarësisht se situata tani është më komplekse, ndërsa zhgënjimi është tepër më i madh. Por për një gjë duhet të jemi të qartë: më 30 qershor Opozita dhe sidomos PD arriti për herë të parë pas 2013 të jetë e rreshtuar më në fund në një front me shumicën absolute të shqiptarëve. Kjo është një pikënisje e shkëlqyer për ndryshim sepse dëshmon për një trajektore e një vektor mjaft pozitiv të Opozitës.

Edhe pse askush nuk duhet të gaboje duke menduar se këta përkthehen të gjitha në vota automatike për opozitën. Kjo sepse ashtu si në 2003 edhe ne 2019 mjaft nga ky front 85%-ësh mendojne akoma se të gjithë janë njësoj. Se qeverisja sot ka dështuar e duhet të ikë, por ndërkohë Opozita nuk është gati të marrë pushtetin. Se PD e LSI janë njësoj me PS. Se ne qeverisemi në një lojë dinake prej 30 vitesh nga të njëjtit njerëz. Se nuk ka akoma sinjale të besushme për ndryshim. Ndaj ajo që mund t'i them sot Opozitës me modesti, por me shumë dashamirësi, është se pas 30 qershorit ka ardhur koha që Opozita duhet të bëhet gati seriozisht vetë në mënyrë që ajo të vijë në pushtet e të qeverisë. Jo për të ndërruar karriket e rradhës, por për të bërë ndryshimin e madh dhe cilësor, që më në fund e stabilizon dhe normalizon këtë vend që ka qenë boll i “çuditshëm” për 3 dekada. Që i rikthen më në fund dinjitetin shqiptarëve, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. Që ndëshkon më në fund të paprekshmit dhe të pandëshkueshmit duke sjellë më në fund besimin te ligji e morali.

Që i jep fund zvarritjes së turpshme me pronat, me të drejtat humane, investimet e huaja dhe zhvillimin. Që i rikthen shqiptarëve sovranitetin e shitur me përdhunë te faktorë ekstra-ekonomikë dhe ekstra-kombëtar. Që i rikthen pushtetin dhe legjimitetin e vërtetë taksapaguesve dhe komunitetite vendore. Që lufton mafian, ekstra-legalitetin dhe informalitetin. Që promovon kulturën, artin, edukimin, shëndetësinë, transportin, sipërmarrjen dhe zhvillimin që sot janë për faqe të zezë.

Që mendon për qytetarin dhe kontribuon për shoqërinë me fytyrë njerëzore. Shqipëria duhet të kthehet urgjentisht në normalitet të brendshëm së pari. Ajo duhet të garantojë e mbrojë sisteme të balancuara e të vaksinuara të qeverisjes. Pastaj të bëhet edhe një partner serioz e dinjitoz me Europën dhe botën më gjerë. Ky ndryshim tashmë nuk bëhet më vetëm me protesta, përplasje e denoncime, por mbi të gjitha me një frymë të re, me program të qartë, me ide të reja, dhe mbi të gjitha me njerëz të “rinj” e të pakonsumuar. Njerëz të ndershëm e që flasin cilësisht e realisht atë çfarë mendojnë e besojnë, dhe nuk janë mjerisht zëdhënësa të njëshit e statuskuosë. Tashmë nuk është më as koha për qejfmbetje e luftë brenda llojit. Tashmë është koha të ndryshohet diçka që fillon nga vetja. Mos dëgjoni më “sirenat/djajtë” rrotull, por besoni te ndryshimi dhe marshoni drejt tij. Eshtë koha për reflektim e bashkim në një front të vetëm të gjithë faktorëve konstruktivë që ende e duan këtë vend përtej karrikes së pushtetit.

Ndaj mund të themi se na duhet urgjentisht një orë e më parë një PROGRAM i plotë me ide dhe shpresë për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe sidomos për vetë Opozitēn.

Të fundit