Flash News

OP-ED

Një replikë me Minxhozin për Shqipërinë që (nuk) po zbrazet

Një replikë me Minxhozin për Shqipërinë që (nuk)

Alfred Lela

Kolegu Skënder Minxhozi, me të cilin ndajmë studion e Real Story në News 24 si analistë, por besoj edhe miqësi, ka botuar një shkrim te media që drejton, Java.al, ku rreh të sigurojë argumente se ‘eksodi shqiptar’ i viteve të fundit është një ekzagjerim me shtysa politike. Ka të ikur, duket se thotë Minxhozi, por jemi më mirë se të tjerët.

Për këtë na ballafaqon një tabelë-studim të Kombeve të Bashkuara, në parashikimin e së cilës popullsia e Shqipërisë pritet të tkurret me 18 përqind deri në vitin 2050. Vende të tjera më të mëdha se ne, ish-komuniste gjithashtu, si Hungaria, Rumania dhe Bullgaria e kanë shumë më keq, sugjeron kolegu duke iu referuar së njëjtës tabelë.

Gjasat janë që Minxhozi qëllimisht ka zgjedhur këtë statistikë për të bazuar shkrimin e vet, dhe jo për shembull një databazë të The Economist, i cili e degdiste Shqipërinë në humnera pesimiste. Kanë qarkulluar plot studime të tjera të cilat nuk janë optimiste dhe e kundërshtojnë Minxhozin, rreth asaj që disa e quajnë ‘eksod’ e të tjerë një kurbë normale migratore.

Sa më takon statistikat, databazat dhe studimet janë vetëm projeksione algoritmike dhe, rrjedhimisht, përllogaritje fotografike që nuk e kapin dot pamjen lëvizëse të historisë, kulturës, ekonomisë dhe popullatave. Kjo sepse algoritmet janë akontekstuale (nuk i njohin dinamikat e brendshme të popujve). Ato duhen parë me dyshim, si kur tregojnë shifra të ulëta që mund t’i shkojnë për hosh argumentit të Minxhozit e të tjerëve, ashtu dhe kur shfaqin ububunë hebraike të marshimit nëpër shkretëtirë të kundërshtarëve të këtij argumenti.

Sondat dhe studimet gjatë dekadës së fundit kanë dështuar disa herë, në mënyrë spektakolare, të paktën në raste zgjedhjesh. Ditur këtë, atyre mekanizmave që nuk masin dot të sotmen, le të mos ua besojmë të ardhmen.

Një detaj tjetër ulëritës që më bën personalisht skeptik ndaj organizmave të huaj të statistikave dhe studimeve është se CIA World Factbook, për shembull, shkruan se 'Shqipëria ka një popullatë 70 përqind myslimane', duke u bazuar në një census të kohës së Zogut. Një pakujdesi e tillë nuk mund të vijë as nga një libër (book), as nga një fakt (fact) dhe aq më pak nga CIA. Dëshmon thjesht rëndësinë mikroskopike të vendit tonë, si edhe moskokëçarjen e mekanizmave shumështresësh, si OKB për shembull, që i shohin vende si yni vetëm si mundësi për të ezauruar fondet vjetore. Pa harruar askurrë një ksenofili dembele të shqiptarit për të cilin çfarë vjen nga jashtë është e pakundërshtueshme.

Këto studime dhe statistika nuk kanë as shkencë dhe as frymë, për faktin se përshkohen nga mungesa e interesit së pari dhe, së dyti, e mosnjohjes së vendeve. Besoj, as unë dhe Minxhozi me shumë kolegë, nuk kemi nevojë për numrat që vijnë nga jashtë për të kuptuar Shqipërinë. Sa i takon mërgimit ai kuptohet lehtësisht nga ata që kemi afër dhe që shprehin dëshirën e shpërnguljes dhe mbajnë sytë hapur për një rast ikjeje. Janë ata që presin me padurim çdo vit që kalendari të shënojë vjeshtë dhe të sjellë prospektin e Lotarisë amerikane. Apo të gjithë ata që shohin nga antarësimi i Shqipërisë në BE jo përkitjen, më në fund, në një klub vlerash të përbashkëta, por mundësinë për të punuar dhe jetuar në një vend europian. Të gjithë këta nuk mund t’i kuantifikosh në mënyrë absolute, por fantazma e tyre (për të përdorur një metaforë të Marksit) po e kërcënon sot Shqipërinë.

Jam dakord me Minxhozin se nxirja e Shqipërisë është një profesion malinj dhe bëhet për arsye politike por, ndoshta, në kohë opozite e ka vijëzuar edhe ai vetë një penelatë të tillë për atdheun. Nuk jam dakord n'anë tjetër me krahasimin e Shqipërisë me vendet e tjera, thjesht në bazë numrash. Statistikat e prodhuara nga algoritmi i tabelës që paraqet Minxhozi përllogarisin, ma do mendja, lehtësinë që rumunët dhe hungarezët e kanë për të lëvizur dhe punuar në BE, gjë që shqiptarët nuk e gëzojnë. Ato janë të paplota, qoftë edhe për faktin se numrat e migrimit shqiptar janë ‘në të zezë’. Duke qenë se një pjesë e mirë janë qëndrime apo kalime të paligjshme kufijsh, ata nuk kapen nga statistikat. Shqiptarët që jetojnë pa dokumentacion, ose janë të regjistruar si kombas të tjerë në Britaninë e Madhe për shembull, janë numra që do e rëndonin çdo enumeracion të emigracionit. E me radhë.

Nëse duhet një numër, sepse vetëm me anë të absolutes mund t’i kuptojmë konceptet, atëherë mund të mjaftojë ai i 300 mijë shqiptarëve që rregullisht përgjatë tre viteve të fundit shprehin dëshirën akute për të emigruar në Amerikë. Në fund dhe shkurt, po i dashur Minxhoz, ka një ethe të ikjes nga ky vend. Mund ose jo të ketë të bëjë me Edi Ramën dhe qeverinë e tij, megjithatë ekziston si problem, në mos si dramë kombëtare.

Si zgjidhet, do duhej të ishte shqetësimi ynë, jo si relativizohet.

Të fundit