Flash News

KRYESORE

Një retorikë liberale

Një retorikë liberale

Gentian Gaba 

Kam qenë fare i vogël, në muzgun e regjimi komunist, dhe nuk kam kujtime nga ajo periudhë. Më vonë kam mësuar se Shqipëria renditej në pesëmbëdhjetë vendet më të varfra në botë për të ardhurat për frymë. Kam mësuar se gati treqind mijë familje konsumonin gjysëm kile mish në jave, pesëqind mijë familje konsumonin një kile gjalpë në muaj, dhe po aq familje gatuanin në banjë për shkak të mungesës së hapësirës.

Kam mësuar nga prindërit e mi, se të gjithë ishin frekuentues të radhëve për ushqime, veshje e gjithçka tjetër. Për të blerë një televizor duhet të siguroje më parë një autorizim. Lodrat modeste me të cilat luanim unë dhe fëmijët e tjerë bliheshin vetëm për Vitin e Ri. Im atë më ka thënë se duhet të mbanin radhë për të blerë bukën, por edhe për qumështin e domosdoshëm për mua dhe motrën time. Në rast se nuk do të shkonte në kohë, mund të mbeteshim edhe pa bukë.

Kur muri i Berlinit zuri nën vete këtë kamp përqendrimi dhe  sovjetët e komunizmit të përhapur nëpër Europë, një fllad lirie u përhap edhe në Shqipëri. U tha se ishte fundi i historisë. Kapitalizmi dhe liria ekonomike sollën liritë politike, një mbrothni të panjour për shqiptarët. Konkurrenca dhe liria, një binom fatsjellës, prunë edhe demokracinë.

Një demokraci që ndoshta mund të bëhej më mirë, ndoshta kaq lejoi kultura jonë politike. E brishtë dhe imperfekte, por u bë. Të mos harrojmë së është “forma më e keqe e qeverisjes, pas gjithë të tjerave”. 

Sot duket se demokracia dhe liberalizmi nuk janë në ditët e tyre më të mira. Ndonëse historia ka treguar se nuk ka sistem ekonomik më të mirë se kapitalizmi, dhe gjithçka pozitive që ky model garanton, zemrat e qytetarëve nuk ndizen për tregun e lirë.

Ka pasur miliona vullnetarë për kauzën e fashizmit dhe komunizmit, por kurrë nuk është flijuar dikush për tregun e lirë. Pse ndodh kështu? Pse  bindin më shumë argumentat moraliste dhe solidariste të ithtarëve të komunizmit, në mbrojtje të politikave shtetërore dhe centralizuese që janë vërtetuar dështake nga historia, dhe më pak të dhënat empirike dhe konkrete që mbështetësit e tregut të lirë, të pronës private, të lirisë individuale, mund të sjellin si provë e suksesit të këtij sistemi?

Ludwig Von Mises, një nga mbrojtësit më të zjarrtë të kapitalizmit dhe liberalizmit thoshte: “Ekonomia e tregut nuk ka nevojë për militantë dhe propagandistë, nëse ju kërkoni monumentin e saj, shikoni rreth e rrotull jush”. Sigurisht, nëse çdo shqiptar, ose qytetar i botës së lirë, do të vlerësonte me një arsye të ftohtë përparimet në jetën e përditshme, përtej kontradiktave që çdo sistem njerëzor mund të mbartë, do ta mendonte si ekonomisti vjenez.

Por, kjo nuk ndodh dhe, shumë thjeshtë, mund të jetë një problem komunikimi. Sot, në epokën e informacionit, nuk mund të bindet dikush që një sistem ekonomik është më efiçent dhe i drejtë se një tjetër duke dhënë prova statistikore dhe arsyetime të ftohta dhe abstrakte. Nuk mund të merret për të mirëqenë se njeriu është një “homo eoconomicus”, i cili vepron në mënyrë racionale  dhe bën zgjedhjen më optimale. Njerëzit janë të përbërë nga pasione, jo të gjitha racionale, dhe nuk priren vetëm nga arsyeja.

Për këtë arsye liberalizmi ka nevojë për një retorikë, një fabul, duhet të gjenerojë një simpati, t’ju flasi mendjeve dhe zemrave të njerëzve, sidomos duke pasur parasysh që ka elemente morale të jashtëzakonshme për t’u vetjustifikuar pikërisht këtu, në këtë vend ku qytetarët kanë vuajtur për dekada me radhë ortodoksinë marksiste. Tregu, prona, fitimi i ndershëm, sipërmarrja, duhet të dalin nga një urrejtje atavike e ushqyer me lugën e hekurt të luftës së klasave gjatë diktaturë së proletariatit. Një retorikë është e domosdoshme, sidomos kur duket se shqiptarëve po ju rilind një nostalgji për atë të shkuar të hidhur. Një retorikë për konkurencën dhe lirinë, që nuk përmirëson vetëm tregun, por shoqërinë tonë.

Një retorikë që të sjellë në sinore bashkohore ata që kanë idealizuar një sistem që krijonte radhë për bukë; ose të paktën të qartësojë nostalgjikët e radhëve të bukës, se nuk mund të pengojnë ata që bukën e fitojnë vetë, dhe bashkë me të fitojnë edhe liritë e tyre.

 

Të fundit