Flash News

KRYESORE

Një shtet i kapur

Një shtet i kapur

Red Varaku

Adam Smith shkruante se fitimi është shumë herë më i madh në vendet që janë në prag të një kolapsi ekonomik, sesa në vendet të cilat kanë stabilitet ekonomik. Ky fitim i madh, shkruante ai, realizohet përmes futjes masive të ekonomisë në borxh. Ai realizohet nëpërmjet kontrollit politik mbi ekonominë, një buxheti klientelist, dhënies me qera të sektorëve më të rëndësishëm ekonomikë dhe strategjikë të vendit, realizohet nëpërmjet skemës korruptive të konçesioneve.

Sigurisht, që kjo ndodh sepse pushteti përqendrohet në një numër të vogël njerëzish. Kur pushteti përqendrohet në duart e një numri të vogël njerëzish, ai është thjesht një pushtet “i kapur”. Një pushtet i kapur nuk përbën tjetër veçse një sistem të falimentuar ekonomik dhe politik. Një grup i tillë njerëzish ka kapur sot sistemin politik dhe ekonomik në Shqipëri. Ky grup i vogël, ka krijuar një kapitalizëm të një stili mafioz, si dhe ka prodhuar një sistem politik tërësisht kriminal. Pushteti politik dhe financiar në duart e këtij grupi ka për qëllim vetëm zhvatjen dhe grabitjen e pasurive të Shqipërisë.

Pra, qeverisja në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse një orgji e ethshme vjedhjeje dhe plaçkitjeje, ku të gjithë, politikanë, bankierë, financierë, kriminelë flakin tej maskat dhe turren drejt pasurive kombëtare me barbarinë dhe babëzinë më të paimagjinueshme, e cila të sjell në kujtesë një shprehje të Alija Izetbegoviq, i cili shkruante se “Problemi sot nuk është ngopja e të varfërve, por ngopja e të pasurve, të cilët janë po aq të uritur”.

Ky hall e ka zënë edhe shoqërinë shqiptare me “pushtetarët” e rinj, të cilët edhe pse kane fituar miliona euro përmes zhvatjes së pushtetit dhe tenderave korruptivë, janë ende të uritur. Për ta pasuria është kthyer gati në një sëmundje. Një patologji e pashërueshme. Lista e dinosaurëve të krimit dhe politikës, të cilët kanë përfituar nga sistemi është pafund. Oligarkë të cilët përdorin politikanë të blerë dhe gjykata të shitura për të bërë ligje të cilat i shërbejnë vetëm atyre për të monopolizuar edhe më tej tregun. Ose politikanë që përdorin kompanitë offshore për të larguar paratë nga Shqipëria duke lënë kështu me qindra mijëra të papunë. Gjykatës të cilët shpërblehen me dhurata të majme nga oligarkë, biznesmenë dhe grupe kriminale për dërgimin në “gijotinë” të rivalëve vendas dhe të huaj.

Qeverisja është shndrruar në një vjedhje të organizuar nga shteti. Ky spekulim politik dhe financiar ka gërryer dhe shkatërruar demokracinë si dhe mekanizmat të cilat bënin të mundur një demokraci të shëndoshë dhe të qëndrueshme, e cila duhet të mbrojë interesat e të gjitha shtresave dhe jo vetëm interesat e oligarkëve, politikanëve të korruptuar dhe kriminelëve. Sistemi ynë politik sot, nuk është gjë tjetër veçse një grusht shteti financiar, i cili ka në dorë të gjithë sistemin.

Nëse nuk e ndalim, kjo kastë do të vazhdojë të plaçkisë me ndihmën e mekanizmave shtetërore edhe pasuritë e fundit të mbetura në këmbë nga stuhia e batërdisë dhe babëzisë. Ajo do të shkatërrojë përfundimisht qytetarinë nëpërmjet kamzhikut të pushtetit, brutalitetit të dhunës dhe darëve të borxhit, duke na rikthyer në vitet e errëta të kolektivitetit të sëmurë të para viteve '90, kur qytetarët nuk kishin asnjë mundësi për të përmirësuar qeverisjen përmes votës, edhe pse ata e kishin të drejtën për të votuar por jo për të zgjedhur.

Ashtu si edhe atëherë, kemi të bëjmë pikërisht me të kundërtën e demokracisë, e cila nuk është gjë tjetër veçse një qeverisje anti-politike dhe një lloj “totalitarizmi demokratik”, ku institucionet nuk bëjnë gjë tjetër veçse maskojnë kolapsin e plotë të institucioneve demokratike si dhe mbrojnë elitën e korruptuar, e cila përmes intrigash dhe manipulimesh, qëndron në krye të sistemit.

Por, si mund ta ndalim lakminë dhe etjen për pasuri dhe pushtet të kësaj kaste “horrash dhe pushtësh” për të cilët ankohemi prej gati një shekulli? Karl Popper i përgjigjet kësaj pyetjeje shumë thjesht. Ai shpjegon një fakt shumë interesant. Ai sqaron se "njerëzit të cilët e kërkojnë dhe adhurojnë pushtetin, si dhe ata që arrijnë të vendosen në majë të piramidës së tij kanë një intelekt dhe moral më të ulët se mesatarja e njerëzve normalë“, ata janë njerëz fare të rëndomtë, me një nivel intelektual mëse mediokër. “Çështja”, shton ai, “nuk është gjetja e mënyrave për të vendosur njerëz me moral dhe me integritet për të na udhëhequr”, sepse njerëzit me moral të lartë dhe integritet të fortë, zakonisht i rrinë larg politikës dhe pushtetit, çështja është si të ndërtojmë barriera dhe institucione për të kufizuar dhe frenuar oreksin për pushtet dhe pasuri te këtyre individëve pa moral dhe pa nder".

Të fundit