Flash News
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Një thirrje për 30 qershorin: Të (pa)vendosur të të gjithë Shqipërisë, bashkohuni!
Alfred Lela
Të pavendosurit, apo të pabindurit, nga asnjëra prej alternativave politike në Shqipëri, janë shtuar gjatë dekadës së fundit. Këtë shumim e ka ndihmuar jo vetëm prirja e një kulture skepticizmi, por edhe njëjtësimi i alternativave. E djatha dhe e majta, si dallime ideologjike, janë kthyer në shaka pa kripë; politikanë që këmbejnë parti apo parti që ndërrojnë koalicione, nuk kanë qenë gjë e rrallë; të rinjtë që shfaqeshin kundër të vjetërve, bëheshin më të vjetër se ata sapo merrnin një post; çrreshtimi politik si fenomen global, gjithashtu ka bërë punë e vet.
Sigurisht, skeptikët as nuk 'digjen' për një një opsion ku të mbështeten, pasi ata mendojnë se janë vetë alternativa. Atyre nuk u mungojnë bindjet, por ngaqë i kanë bindjet e thella, refuzojnë gjithë çka detektojnë, jo si parim apo besim, por si estradë.
Nesër është 30 qershor 2019 dhe çfarë ndodh në rrafsh politik, elektoral dhe social është, në fakt, përligjia e asaj që skeptikët e kanë ditur tashmë prej kohësh: gara është pa sfidë; përballja pa alternativa, partitë janë kuti boshe pa dallim.
Jemi në një kalendar të ri politik (që s'është gregorian, por kaq shumë trumpian) në Vitin e Alternativës Zero.
Nesër në Shqipëri përvijohen më fort se kurrë tre blloqe politike: mbështetësit e qeverisë, mbështetësit e opozitës dhe neutralët. Nëse, në pamje të parë, duket si një betejë ku do skërmiten vetëm dhëmbët çatallë të dy grupeve të para, në fakt janë të tretët të cilët, nesër, nuk kanë betejën, por luftën e fitores ose humbjes.
Një neutral, apo i pavendosur, apo skeptik është dikush që nuk ka një parapëlqim solid, por mund të zgjedhë, njërën sigël ose tjetrën, në varësi të një ndryshoreje arsyesh apo rrethanash. Një prej tyre është edhe çka shpesh ndodh të kthehet në motivimin kryesor politik: ajo/ai nuk voton pro një force, por kundër një tjetre.
Janë pikërisht këta njerëz që e caktojnë fatin e zgjedhjeve në Shqipëri, dhe në shumë raste edhe në botë. Po këta do ta bënin Durrësin dhe Dibrën, bashkë me dosjet përkatëse të manipulimit të zgjedhjeve, inekzistente. Ata do të rrëzonin Dakon, Niçen (Nënjeriun e zgjedhjeve), Ndraxhin dhe Ymer Lalën bashkë, nëse dilnin nga aura e skepticizmit.
Ata nuk shfaqen dhe ka gjasa që të jetë kështu edhe nesër. Sidomos nesër, sepse 30 qershori ka vetëm një opsion: Qeverinë.
Nesër ata nuk e kanë në dispozicion as artefaktin e tyre të parapëlqyer, votën kundër. Qeveria dhe opozita ua kanë hequr këtë mundësi, secila në mënyrën e vet. Por kjo 'shumicë e heshtur' së cilës i drejtohen me hipokrizi të gjithë liderët shqiptarë, përcakton nesër fatin e demokracisë në Shqipëri. Nëse vetë janë të bindur, duhet të kthejnë në rrugë apo t'i kthejnë mendjen edhe një njeriu që kanë afër dhe e kujton 30 qershorin si ushtrim të një të drejte dhe një mekanizmi demokratik.
Në mënyrë indirekte kreditet e bojkotit nesër i shkojnë opozitës, dhe ndoshta mendoni se ajo nuk ka bërë gjë për të merituar një dorë prej jush. Mund të jetë kështu. Imagjinoni rrezikun e kundërt: legjitimitetin që i vishni pushtetit duke votuar nesër. 30 qershori është një kuti e zbrazët, një datë boshe në kuptimin logjik të garës dhe hierarkisë, që mishërohen te demokracia. Duke qenë i tillë, një zvetënim i demokracisë, ai mund të bëhet edhe e kundërta e vet: ngadhënjim i autokracisë.
Më 1 korrik, nëse shqiptarët e trajtojnë 30 qershorin si një ritual normal të kalendarit të zgjedhjeve, Rama dhe qeveria e tij do të gdhihen me 61 bashki, me pushtet absolut të këshillave bashkiakë, këshillave të qarqeve dhe prefekturave. I njëjti establishment ka ndërkohë në grusht shumicën në parlament dhe telekomandën e dronit të 'opozitës së re', siç u dëshmua në votimin e fundit në Kuvend. Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese janë jashtë funksioneve dhe shumica e trupës së re që po instalohet në qeverisjen e drejtësisë i përket, si afilacione dhe jo vetëm aq, së majtës.
Do të thotë një pushtet absolut i cili ka lejen e 'sovranit' dhe ndërkombëtarëve për të bërë si të dëshirojë me vendin. Ku jetojnë edhe të pavendosurit.
Nëse mungesa e alternativës solide ju ka mbajtur larg zhvillimeve, imagjinojeni veten në angështinë e Alternativës Zero.
Është në dorën tuaj ta shpërfillini Opozitën, por nesër keni mundësinë të përbuzni një qeveri absolute, e cila është armiku i çdo alternative.
Sepse e mendon veten si alternativën e vetme dhe më të mirën.