Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Gent Gaba
Java që po mbyllet në mënyrë makabre, me fatkeqësinë e një të riu që shërbente në Gardën e Republikës, dhe dyshimet e shumta që nisën të qarkullojnë vrik pas përhapjes së lajmit, është rezultati i një klime sociale dhe politike tejet të tensionuar. Komentet e ndryshme, qysh në dekikat e para të një drame, e bëjnë këtë mort një ilustrim të një kulture të dyshimit që prej kohësh është ulur këmbëkryq në vendin tonë.
Nuk është pasojë e një apo disa politikanëve, të një apo disa gazetarëve, të një apo disa komentuesve, por e brishtësisë të institucioneve tona publike, të cilat nuk u ngritën kurrë në lartësinë e një Shteti, por, mbetën çifligje të kontrolluara nga fituesi i garës zgjedhore të radhës. Për këtë arsye çdo moment i jetës publike, nga më i parëndësishmi tek ai më jetiku, rrethohen nga qerthulli i zakontë i mosbesimit, ku secila palë thotë të vërtetën e vet dhe institucionet, nën hyqmin e një pale, nuk arrijnë të përçojnë besimin e duhur te qytetarët.
Ndonëse dyshimi është diçka e vjetër për demokracinë tonë të re, kemi ardhur në një moment shumë delikat ku ky fenomen po njeh dimensione të panjohura më parë, për shkak të aftësisë së Kryeministrit aktual për të thurur romuze, që kanë funksion kryesor ngritjen e një klime përçarëse, të cilën e përdor ekskluzivisht për të rritur pushtetin e tij politik. Përtej epiteteve me “hiena” dhe “esadistë”, në plejadën e veprimeve dhe mosveprimeve të kryera nga Rama në këto pesë vite qeverisje, ngjarjet e kësaj javë, e ilustrojnë më së miri nevojën për të sfiduar të vërtetat që shiten si absolute.
Momenti i parë është ai mbi verdiktin e ardhur nga Luksemburgu për fatin e negociatave. Nuk pati një çelje të tyre këtë qershor, edhe pse qeveria kërkonte pikërisht këtë, edhe si pasojë e rekomandimit pa kushte të Komisionit, që mesa duket nuk paska qenë kusht për vende si Franca dhe Holanda për të dhënë një dritë jeshile. Megjithatë, Rama ngriti duart lart, jo në shenjë dorëzimi, por fitoreje, në një tentativë ‘madhështore’ për të bindur të gjithë se JO do të thotë PO, dhe që në qershorin e ardhshëm negociatat do të happen. Duke harruar se Këshilli është shprehur që kjo do të ndodhë vetëm në bazë të progresit të bërë.
Momenti i dytë ka të bëjë me Teatrin Kombëtar. Ndërkohë që luftonte me ‘dallgët e egra të Europës’, me një gjest prej despoti, apo gangsterllëku politik, futi në Parlament projektligjin që do t’i hapë rrugë shembjes së Teatrit. Një gjest prej evropiani në të vërtetë! Përballë këtyre akteve, të cilat janë vetëm ballina e një tërsie mashtrimesh dhe abuzimesh të koleksionuara ndër vite, Rama qëndron sfidues, madje edhe provokues, ndaj gjithë atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe apo edhe të ngrenë shqetësimet e tyre përballë autoritarizmit.
Në një shoqëri përherë e më të atomizuar, ku secili kërkon të shohë rehat ndeshjen e skuadrës së tij të preferuar në këtë Botëror, e pa asnjë shqertësim për tema që tejkalojnë pragun e derës së shtëpisë së secilit, rrugët duken vërtetë të limituara. Dhe, të na pëlqejnë apo jo, ato çojnë të gjitha tek Opozita. Jo thjeshtë si renditje të partive që rreshtohen nën petkun e këtij emërtimi, por si një institucion i domosdoshëm në këto momente historike. Përballë një pushteti gati absolut dhe arbitrar të Ramës, me rënien e ndarjes së pushteteve, Opozita është i vetmi port i sigurt në këtë stuhi perfekte të jetës sonë politike.
Ndonëse ndodhemi në këtë moment të veçantë edhe si pasojë e mëkateve të Opozitës, e cila ka gabuar shpesh herë në kohën dhe masën e kryerjes së aksionit të saj, duke i dhënë mundësi Ramës që të jetë ky që është sot; është po ajo që duhet të jap një sinjal të fortë ndryshimi. Jo vetëm për të ngritur kreditet e saj politike, por sepse në këtë vakuum institucional, ajo çka mund të shpëtojë vendin nga arbitrarizmi dhe abuzimi i një pushteti pa kundërpesha, është një Opozitë e qartë në detyrat dhe strategjinë e saj.
Nga këto premisa, dhe nga kjo nevojë, që është e vendit dhe jo e Opozitës në vetvete, asgjë më shumë sesa një marrëveshje, apo një bashkëpunim, me Ramën nuk do të dëmtonte besimin e qytetarëve tek Opozita, dhe te politika në përgjithësi. Në lëmin e një aktiviteti njerëzor që sloganin e vet e ka “kurrë mos thuaj kurrë”, cilido qëllim nuk do të justifikonte afrimin me të akuzuarin e madh, Ramën, i cili do ta përdorte çdo shtrirje dore si një blatim ndaj aksionit të tij politik.
Kësodore, nëse Opozita është e vetmja alternativë për ata që shohin te Rama një rrezik për jetën politike të vendit, dhe si pasojë alternativa e vetme e Opozitës është një betejë e qartë dhe e prerë ndaj këtij rreziku. Çdo zgjedhje tjetër do të ishte një vetëvrasje politike.