Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
nga Virgjil Muçi
Nuk e di pse m’u kujtua ky titull i një komedie të famshme të Viktor Eftimiut teksa iu riktheva librave të Maks Velos, mikut e kolegut të letrave të humbur para pak kohësh. Po kështu m’u ndër mend se dikur, duke shkruar për një vëllim me tregime të tij, jam shprehur se në qoftë se lypset ndonjë epitaf mbi varrin e diktaturës komuniste sentencën më të goditur na e ofron Maks Velo në tregimin “Varrhumburi”, kur thotë: “Në këtë shtet ishte e sigurt vdekja dhe jo jeta”.
Kush e njeh sadopak jetën dhe krijimtarinë e Maks Velos, kam përshtypjen se do të jetë i një mendjeje me mua, lidhur me përcaktimin e figurës së tij, si ajo e një antiheroi. Përgjatë gjithë jetës, pavarësisht sistemeve dhe regjimeve, Velo nuk është konformuar asnjëherë me kornizën zyrtare, për të mos thënë që e ka zmbrapsur dhe shpërthyer me neveri, për çka ka paguar ngaherë haraç, dikur burgu, sot shpërfillja. Paradigmën e antiheroit e hasim edhe në krijimtarinë e Velos, qoftë në artet pamore, qoftë në fushën e letrave, dy opuset kryesore të shprehjes së tij artistike. Cilido që do të orvatej, me vullnetin e mirë apo të lig, të vërtetonte të kundërtën, thënë me fjalë të tjera, të zbulonte heroin e gatuar sipas recetave të artit zyrtar, si atëherë ashtu edhe sot (për fat të keq, ky farë arti nuk është pjellë vetëm dhe vetëm e regjimeve totalitare) them se do të dështonte. Thënë këtë, mbërrijmë në përfundimin logjik se, njeriu dhe artisti nuk e kanë tradhtuar as edhe një herë njëri-tjetrin në figurën e Maks Velos.
Duke qenë se kam shkruar për shumëçka ka botuar Maks Velo - madje edhe botuar një novelë të tij “Klubi Karavasta”, një grotesk të mrekullueshëm të komunizmit dhe të të ashtuquajturit njeri të ri – mendova se mënyra më e mirë për ta kujtuar do të ishte rikthimi te dy libra të tij, një një farë mënyre emblematikë në krijimtarinë prolifike të Maksit: romanin me tone të forta autobiografike “Hetimi” dhe një vëllim me poezi “100” poezi, akuarele do t’i quaja unë, të cilat mund të lexohen edhe si një poezi e vetme për Parisin, qytetin që e deshi aq fort deri në fund.
“Hetimi” është një libër që të ngjall një sërë ndjesish kundërthënëse: urrejtje, mëshirë, përdëllim, nderim, frikë, adhurim, ankth, kënaqësi (estetike), neveri, mirënjohje dhe, së fundi, të shtyn të ngrihesh e të dalësh nga mjedisi ku ke qenë duke lexuar për të marrë frymë me gjithë mushkëritë, krejt si njeriu që sapo ka dalë mbi syprinën e ujit, pas një zhytjeje të gjatë. Në të është ngërthyer e thadruar fati tragjik i një njeriu. Kam përshtypjen që në krejt historinë e artit botëror, të kohëve moderne, Maks Velo është nga të rrallët, për të mos thënë i vetmi, që bëhet viktimë e artit dhe jo e bindjeve të veta politike, të cilat edhe pse s’puqeshin kurrkundi me ideologjinë zyrtare, artisti nuk parapëlqente t’i shpaloste publikisht, veç më të rrallë e në rrethe miqsh të ngushtë. Për t’u bindur, mjafton t’i hedhësh një sy vendimit të gjykatës që dënonte artistin në aktin e fundit të komedisë gjyqësore. Vini re, tok me Maksin do të dënoheshin (në mungesë) edhe Pikasoja, Braku, Modiliani dhe artistë të tjerë. Pa dashur ta ekzagjeroj mund të them se, po të shkruhet ndonjëherë antologjia e pretencave të gabuara gjyqësore, ajo e Maks Velos, jashtë çdo dyshimi, do të zinte kryet e vendit për shkak të absurdit dhe logjikës më antijuridike që mund të haset në analet e jurisprudencës botërore. Mos të harrojmë që inkuizicioni artistik dhe terrori shtetëror asokohe kishte mbërritur apogjeun.
Lënda jetësore përmban tharmin e një grotesku në shkallën më të lartë, aq sa shpesh e ke të vështirë të kuptosh se ku mbaron realiteti e zë fill fikcioni apo anasjelltas, çka autori, larg një prozaizmi të rëndomtë e ka shfrytëzuar me zotësi. Proza e Maks Velos ka një korrelacion gati-gati kafkian me realitetin, i cili, vende-vende ka aftësinë ta tejkalojë edhe fantazinë më morboze të shkrimtarit, dhe më konkretisht me sendet e personazhet që e popullojnë atë univers. Shpesh të krijohet përshtypja sikur proza e tij shkon e zë fill nga sende mëse të rëndomta në dukje, të tilla që në jetën e përditshme njeriu as që merr mundimin t’iu hedhë sytë, por ja që në art ato vijnë e shpërfaqin karaktere e drama njerëzore nga më të jashtëzakonshmet, të tilla që në krejt Lindjen ish-komuniste rrallëherë mund të gjesh shkrimtarë që t’i ketë përshkruar me atë vërtetësi ngjethëse.
Një poemë për Parisin
Poezitë e Maks Velos janë një produkt sui generis, në vështrimin tim të paklasifikueshme brenda suazës së poezisë tradicionale shqipe. Kodi gjenetik në thelb të botës së kujtimeve dhe emocioneve të autorit do të ishte një kambanë e zbrazët pa atë strukturë moderne që ai i vesh vargut, duke i shpëtuar grackës së anakronizmit dhe provincializmit.
Në një parathënie disi të pazakontë për kësi librash, Maks Velo thotë: “… 21 [poezi] janë për Parisin qyteti ku u linda dhe që i detyrohem aq shumë. Besoj nga ai qytet e ka zanafillën kërkesa e vazhdueshme dhe e papërballueshme për t’u shprehur artistikisht.” Duke qenë se e gjej krejtësisht me vend pohimin e autorit, sidomos pjesën e dytë të tij, kësisoj jam në gjendje edhe të konstatoj e të shpjegoj më lehtë faktin se të gjitha këto poezi, pa përjashtim, për mendimin tim, janë më të bukurat e librit. Madje ato lypsej të ndaheshin më vete dhe të përbënin një libër krejt të veçantë, ngaqë si për nga aroma dhe hijeshia dallohen shkoqurazi nga gjerdani i poezive të tjera.
E pra, në vijim të arsyetimit të mësipërm, ajo çka mund të ngjante një gjykim a priori kur flasim për lidhjen e poezisë së Velos me të shkuarën dhe gjakimin njerëzor e poetik për zanafillën e vet, shndërrohet në një vlerësim a posteriori kur shohim se poezia është e mbrujtur me fjalë e togfjalësh që shndërrohen në elemente të thukët emocionalë, të cilët i zbraz nga strajca e emocioneve e përjetimeve si pahun e miellit. Sena dhe urat e saj, kupa e verës pariziene, shtati i femrës, qielli i Parisit, organoja e Notrë Damës, madje edhe lypësi, nga sende e fjalë të rëndomta vishen poetikisht e shndërrohen në metafora që ushqejnë çdo poezi dhe në të njëjtën kohë të japin të kuptosh shpërfilljen e autorit përkundrejt sendeve të botës moderne që e qarkojnë në jetën e përditshme. Madje edhe kur poezi të veçanta kanë një qasje për kah e tashmja, Maks Velo nuk i shpëton dot kurthit të së shkuarës, ndaj dhe i rikthehet asaj, ngaqë e ka më të lehtë të vetidentifikohet ku asgjë nuk e kërcënon regëtimën poetike dhe e bën të ndjehet i sigurtë e në paqe me botën që e rrethon. Pa vramendje të shumta, kredon e tij poetike e pikasim në vargjet e mëposhtme të poezisë “Banor i mansardave” që, në mënyrë kuptimplotë, mbyllin edhe këto radhë in memoriam: “Ngjitemi çdo ditë në qiell më këmbë”.