Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Njihuni me Xhesin, stjuardesën nga Elbasani që aspiron të jetë pilotja e parë shqiptare: Si është të prekësh ‘mbretërinë e qiejve’
Një 25-vjeçare nga Elbasani do të jetë shqiptarja e parë pilote. Ajo quhet Xhesina Xhika dhe jeton prej katër vitesh në Dubai.
Afeksionin për jetën mes reve dhe në qiellin e pakufi e ka nisur pas punës si stjuardesë.
Në një intervistë për politiko.al, Xhesika tregon si lindi ideja që të bëhet pjesë e fushës së aviacionit, që dominohet nga burrat dhe zakonisht shihet si një sektor thuajse i paarritshëm për gratë dhe vajzat.
E reja rendit mes planeve për të ardhmen, veç marrjes së licencës si pilotja e parë grua me origjinë shqiptare, edhe të ofrojë mundësi për të tjerë të rinj shqiptarë që duan të bëhen pjesë e kësaj fushe, duke hapur një shkollë aviacioni në Shqipëri.
Më poshtë, intervista dhe disa momente të Xhesinës duke pilotuar:
Ju jeni vajza e parë shqiptare që po përfundoni licencën për pilote. Si lindi dëshira dhe ideja për këtë profesion?
Kam qenë rreth moshës dhjetë- vjeçare kur kam dëgjuar historinë e njeriut që ka bërë fluturimin e parë. Është një tregim nga mitologjia e lashtë greke.
Dedali dhe djali i tij Ikari, të dy të burgosur në ishullin e Kretës, krijuan krahë të bërë nga dylli dhe pendë dhe fluturuan drejt lirisë së tyre. Sa herë që shihja zogj duke fluturuar në qiell të hapur, ndjeja zili për të parë atë bukurinë që ata shohin dhe për të qenë e lirë e të shkoj kudo.
Në ditën time të parë të punës si stjuardesë, kam qëndruar në kabinën e pilotit për ngritjen dhe uljen e avionit. Gjatë asaj kohë, këto imazhe dhe ndjenja më erdhën përsëri në mendje. Ajo ditë ka qenë vendimtare për mua, pasi pikërisht në ato momente me lindi dëshira për t’u bërë pilote. Them se diku brenda meje gjithmonë e kam ditur se dua të jem lart në qiell. Për shkak të profesionit tim si stjuardesë, kam takuar shumë pilotë dhe gjithmonë kam dashur të njoh historinë e tyre, se si arritën të jenë atje sot dhe se si ndihen për profesionin e tyre. Historitë janë nga më të ndryshmet, por kanë diçka të përbashkët, dashurinë dhe pasionin për të fluturuar.
Na tregoni më shumë rreth projektit tuaj në Dubai, me çfarë po merreni konkretisht dhe cili është synimi juaj?
Prej katër vitesh, tashmë jam duke jetuar dhe punuar në Dubai. Për dy vitet e fundit jam duke punuar si stjuardesë pranë kompanisë ajrore Flydubai. Në fillim të këtij viti kam nisur trajnimin për PPL- private pilot licence i cili është hapi i parë drejt rrugës për tu bërë pilote.
Tashmë, kam përfunduar trajnimin me rreth 55 ore fluturimi gjithsej, e cila më pajis me licencën time të parë. Lloj i avionit që zakonisht përdoret në këtë fazë të trajnimit është Cessna 152\172 model.
Hapi i radhës do të jetë nisja e licencës së dytë, ATPL- airline transport pilot licence, për të cilën do më duhen rreth 250 orë fluturimi. Pas përfundimit të trajnimit do të kisha shumë dëshirë të fluturoja avionët të serisë Boeing 747, disa nga avionët më të mëdhenj e më të bukur që kemi në qiell sot, ose siç njihen ndryshe:" mbretëresha e qiejve".
[video width="640" height="368" mp4="https://cdnimpuls.com/politiko.al/uploads/2020/08/video-1597055174.mp4"][/video]
Sa e vështirë është pilotimi, sidomos për një grua në një fushë ku aviacioni zakonisht dominohet nga burrat? A po tregoni ju vendosmërinë se ëndrrat bëhen realitet dhe gratë mund të arrijë gjithçka duan?
E them shpesh që fluturimi është më shumë pasion se sa frikë. Pilotimi në vetvete nuk është i vështirë. Rastet emergjente, të papriturat, koha e keqe janë disa nga faktorët që krijojnë vështirësi për realizimin me sukses te fluturimit. Një pilot i mirë nuk rresht kurrë së mësuari pasi duhet të jetë 100% i përgatitur për çdo situatë të mundshme. Aviacioni është një fushë e dominuar nga meshkujt, ashtu siç janë dhe shumica e profesione të tjerë.
Për mendimin tim, kjo ka ardhur si rezultat i historisë së njerëzimit dhe jo nga pamundësia ose nga mos pasja e aftësive nga gjinia femërore. Jetojmë në një univers, i cili është perfekt në çdo aspekt të tij, por e krijojmë jetën tonë duke ndjekur ligjet dhe udhëzimet që njerëz të tjerë kanë krijuar dhe caktuar për ne. Ende sot jemi pjesë e një shoqërie që akoma diskuton e ngre pyetje rreth të drejtave të grave. Të gjithë njerëzit jemi të aftë për të krijuar, për të mësuar dhe për të zhvilluar vetveten pavarësisht gjinisë, ngjyrës, etnicitetit apo çdo lloj aspekti tjetër.
Na tregoni ndjesitë tuaja në ajër, nën cilësinë e pilotes...
Të pilotosh një avion sado të madh apo të vogël është pa diskutim një kënaqësi e madhe. Të fluturosh nëpër aeroporte të ndryshëm në të cilët nuk ke qenë më parë, të jep shumë emocion pasi je duke shkuar drejt së panjohurës. Peizazhet e bukura në Tokë që sheh gjatë fluturimit janë nga më të shumëllojshmet. Personalisht më pëlqen shumë kur fluturoj pranë reve. Format e tyre të ndryshme me intrigojnë. Janë shokët e mi në qiell pasi udhëtojnë bashkë me mua, por në krahasim me mua, ato janë më të lira dhe të gatshme të shkojnë kudo që era i çon.
[video width="640" height="368" mp4="https://cdnimpuls.com/politiko.al/uploads/2020/08/video-1597055228.mp4"][/video]
Si është të jetosh mes tokës dhe ajrit? Si e komentojnë këtë fakt moshatarët tuaj?
Jeta midis ajrit dhe tokës është e veçante, është e bukur, ka një magji në vetvete. E konsideroj veten me fat që e kam nis rrugëtimin tim në fushën e aviacionit në një moshë të re, por siç e them gjithmonë, pasioni dhe ëndrrat nuk kanë moshë e as limit. Gjatë trajnimit tim, kam takuar shumë persona të moshave të ndryshme, njerëz me profesione aspak të lidhura më atë të pilotit që vijnë nga vendet me të largëta të botës, por që kanë një pikë të përbashkët, pasionin e tyre për të fluturuar.
Jam përherë mirënjohëse për mundësinë që jeta më ka ofruar duke qenë pjesë e industrisë së aviacionit. Gjatë dy viteve të fundit në punën time si stjuardesë, kam udhëtuar në disa shtete të botës, vende të cilat as nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë së do të mund të vizitoja në jetë. Nga bashkëmoshatarët, kam marrë shumë komente pozitive dhe mesazhe inkurajuese për ëndrrën time për t’u bërë pilote.
Në fakt, ndihem shumë e bekuar të kem një shoqëri përkrah meje që e quaj familje. Njeriu padiskutim ka nevojë për mbështetje në rrugëtimin e tij drejt realizimit te qëllimeve që i vendos vetes.
Si e kujton herën e parë të pilotimit?
Dita me emocionuese ka qenë data 26 Qershor të këtij viti kur kam bërë fluturimin tim të parë solo. Një adrenalinë e papërshkrueshme e shoqëruar dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Fluturimi ka zgjatur rreth 30 minuta dhe mendimi im i vetëm gjatë asaj kohe ka qenë se sa e lumtur isha në ato momente duke bërë atë çka kisha ëndërruar prej vitesh. Çdo sfidë e fituar me forcat e tua të ofron padiskutim kënaqësi shumë të madhe. Dukej e pamundur, por u bë!
Cili është momenti më i vështirë dhe më i bukur i pilotimit?
Momenti më i bukur i fluturimit për mua është momenti i ngritjes së avionit nga Toka. Më lumturon ajo ndjesia e pavarësisë nga Toka. Është ai çasti që çdo gjë varet nga ty, je ti që ke nën kontroll çdo aspekt të fluturimit. Për sa i përket momentit më të vështirë, mund të them që gjatë orëve të para të trajnimit tim, ka qene ulja e avionit. Jam munduar goxha për ta perfeksionuar. Me kalimin e kohës dhe me eksperiencën e duhur, aftësitë përmirësohen derisa vjen momenti që të fluturosh një avion bëhet natyrë e dytë.
A ka shqiptarë të tjerë që po trajnohet në fushën e pilotimit?
Më shumë kënaqësi dhe krenari mund të them se po, ka shqiptar të tjerë nëpër botë që janë pilotë. Ky është një fakt që më jep kurajë dhe shtysë për të vazhduar përpara. Jemi shumë të pakët në numër, por uroj dhe shpresoj qe ne vitet ne vijim do të bëhemi akoma dhe më shumë.
Jam më së e sigurt se ka shumë histori pilotësh shqiptarë që janë të panjohura në shoqërinë tonë. Për fat të keq në Shqipëri nuk kemi shkolla aviacioni dhe ky fakt patjetër që ndikon te numri i vogël i pilotëve shqiptarë. Vizioni im për te ardhmen është që të hap një shkolle aviacioni ne Shqipëri.
Kemi një vend të mrekullueshëm dhe një rini të etur për përparim dhe sukses. Shpresoj që kjo dëshirë e imja të bëhet realitet në të ardhmen dhe t’i ofroj vendit dhe popullit tim një mundësi më shumë në jetë, një profesion të bukur e të veçante në llojin e tij.
Çfarë mbani me vete dhe a ka nevojë një pilot për fat në qiell, atje ku duket sikur je më pranë Zotit?
Njeriu është një krijesë perfektë, por jo e plotfuqishme. Përveç gëzimit dhe kënaqësisë që më ofron fluturimi i një avioni, patjetër që këto ndjenja shoqërohen shpesh herë më frikën dhe pasigurinë. Besoj në Zot dhe sa herë që nisëm për të bërë fluturimin e radhës kërkoj ndihmë, mbështetje dhe orientim prej Tij.
Gjithmonë e kujtoj veten duke mbajtur diçka te vogël ne çante për fat. Mbaj mend gjatë kohës së gjimnazit, kam pas një kryq te vogël prej druri qe e mbaja përherë në kulete. Kur shkoj në punë si stjuardesë, në çante kam përherë një tespi. Ndërsa kur shkoj të fluturoj si pilote, mbaj përherë të njëjtën orë në dorë. Në punën tone si stjuardesë apo si pilot, është e domosdoshme që të mbajmë orë dore. Kjo orë më ka shoqëruar që në fluturimin tim të parë dhe sa herë qe jam në qiell më kujton se jam një hap më afër realizimit të ëndrrës time.
Politiko.al/ Intervistoi: S.Gj