‘Notre Dramë de Tiran’/ Ekspozita e Avni Delvinës, jo vetëm për Teatrin

Marsel Lela

Një vit pas mbylljes së tij, Teatri Kombëtar ka hapur dyert për spektatorët. Skena është bërë gati, aktorët janë të gjithë nëpër vendet e tyre, sipas roleve që u janë caktuar. Në skenën e teatrit kryeqytetas po luhet një dramë e pazakontë e vënë në skenë nga artisti Avni Delvina. Një dramë me 40 akte, dhjetëra aktorë dhe një publik entuziast që hyn e del nga mëngjesi në darkë pej disa ditësh. Si ‘regjizor’ i kësaj vepre, Delvina ka menduar që publiku dhe aktorët të jenë sëbashku në skenë, ashtu siç janë çdo ditë në skenën e këtij ‘teatri’ të madh që quhet Shqipëri.

“Notre Dramë de Tiran”, ekspozita me punimet e piktorit Avni Delvina e ka marrë emrin nga djegia e Katedrales së Parisit; në vend të saj artisti ka vënë godinën e Teatrit Kombëtar. Të gjitha punimet kanë si temë kryesore protestën për mbrojtjen e këtij teatri. Vetë ekspozita vjen si një mbështetje për artistët dhe qytetarët që prej gati një viti ruajnë godinën nga plani i qeverisë për ta shembur dhe për të dnërtuar një teatër të ri si pjesë e një kompleksi më të madh. Në muret e sallës hyrëse të Teatrit janë ekspozuar 40 grafika të piktorit Delvina, të cilat përcjellin mesazhe të forta politike nëpërmjet figurave të njohura si drejtues institucionesh, njerëz të medias, politikanë, apo ambasadorë të huaj.

Ndryshe nga ekspozitat e pikturës, ku artdashësve u duhet të ndalen për një kohë të gjatë në secilën prej veprave, për të kuptuar mesazhet që artisti përcjell përmes saj, në ekspozitën e Delvinës ndodh ndryshe. Secila prej veprave është paraqitur me një thjeshtësi mjeshtërore dhe mjafton pak njohuri rreth artit dhe realitetit ku jeton, për ta kuptuar se ku ‘i rreh çekani’ autorit. Nëpërmjet dramës së Teatrit, Delvina ka përcjellë dramën e gjithë shqiptarëve që vjen si pasojë e një krize të stërzgjatur politike.

Autori, në pjesën më të madhe të rasteve ka marrë si sfond piktura të autorëve të famshëm, ku personazheve të veprës u janë vënë fytyra politikanësh, gazetarësh, ndërkombëtarësh, apo personazheve të tjera të njohura.

Në një prej punimeve të Delvinës është Skënderbeu dhe Gjergj Fishta që artisti i ka sjellë në rolin e Don Kishotit dhe Sanço Panços, të cilët ecin mbi rrënoja në sheshin përpara Teatrit Kombëtar. Kjo, jo për t’i identifikuar dy prej figurave më të ndritura të Shqipërisë me heronjtë e veprës së Servantesit, por për të treguar se si shihen sot këto dy figura që predikojnë dashurinë ndaj atdheut në një kohë globaliste. Në këto kohëra ky lloj morali për dashurinë ndaj atdheut duket demode, si një kthim prapa.

[foogallery id=”331879″]

Një vepër tjetër është grafik e realizuar mbi pikturën “Darka e fundit’, ku paraqitet presidenti Ilir Meta në rolin e Krishtit, si dhe të gjithë dishepujve të tjerë. “Askush nga ju nuk do të më tradhëtojë” mban titullin grafika dhe sipas Delvinës përcjell pritjen e vendimit të Presidentit të Republikës për dekretin e dërrguar nga Parlamenti në korrik 2018, për prishjen e Teatrit.

Diku më tutje paraqiten disa nga gazetarët dhe analistët më të njohur në Shqipëri të hipur në ‘Trapin e Meduzës’, në pritje për të shqyer njëri-tjetrin tamam si në historinë e pikturës, personazhe të së cilës kësaj radhe janë ata.

“Në përgjithësi idetë e mia unë i bëj pa ndonjë koshiencë në fillim”, thotë Delvina për Politiko.al, duke rrëfyer se si i lindi ideja për të bërë këtë ekspozitë të veçantë, si dhe cili është mesazhi që ai kërkon të përçojë përmes saj te publiku. Ndërsa flasim, biseda jonë ndërpritet shpesh nga persona që duan ta përgëzojnë artistin, të bëjnë foto me të, si dhe falenderojnë për guximin. Pas ndërprerjesh të gjata, Delvina më shpjegon se ka qenë protesta e artistëve dhe qytetarëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, shtysa e parë për krijimin e grafikave të tij.

“Pashë një protestë qytetare dhe thashë me veten time, ky është Parlamenti i vërtetë i Shqipërisë dhe fillova ta mbështes.”

Më tej artisti rrëfen se kësaj proteste u ishin bashkuar edhe njerëz të cilët ai i njihte, por që pak nga pak filluan të tërhiqeshin, duke e lënë vetëm pjesën tjetër të qëndrestarëve. Delvina shprehet se ata persona që u tërhoqën u thyen nga interesat, pushteti dhe elementë të tjerë.

“Mesazhi që kam përcjellë me këtë ekspozitë është Teatri dhe lufta e tij, me heronjtë, bastisësit dhe ata që e lanë në baltë. Roza Anagnosti që me gjithë moshën tregoi dinjitet dhe jo si shumë të tjerë që u përulën parpara pushtetit”, shprehet me keqardhje Delvina dhe këtu sytë më shkojnë vetvetiu tek grafika që paraqet Bujar Asqeriun në rolin e Napoleon Buonapartit hipur mbi kalin-Teatër, por që më vonë u shtyp nën peshën e Vaterlosë së tij si shumë të tjerë.

Delvina thotë se grafika e bazuar te vepra e Mikelanxhelos, “Mëshira’, ku Roza Anagnosti në rolin e Shën Mërisë mban në krahë Teatrin në vend të Krishtit, do të ishte edhe manifesti i ekspozitës. “Por një miku im më sugjeroi që ta titulloja Notre Dramë dë Tiran”, tha Delvina dhe kështu si manifest u zgjodh grafika me Teatrin që digjen në vend të Katedrales së famshme të Parisit.

Një tjetër mesazh që Delvina përcjell me anë të kësaj ekspozite është zhdukja e çdo pike referimi në Tiranë.

“Pikat e referimit janë ato që e mbajnë njeriun; emri, mbiemri, ku ke lindur, origjina. Edhe sot kur më pyesin, pavarësisht se kam lindur në Tiranë, unë jam nga Delvina, dmth janë pikat e referimit të identitetit të njeriut, shoqërisë, qytetit.”

Sipas tij, kryeqytetit po i zhduket qëllimisht çdo shenjë dhe ai nënkupton me këtë pikat e referimit që janë ndërtesat e vjetra të Tiranës. Përveçse e qëllimshme, kjo është edhe e dhunshme, shprehet piktori. Për Delvinën kjo bëhet nga njerëz arrogantë të veshur me pushtet, thjeshtë sepse duan ta bëjnë kështu.

“Por këtij unë tani i duhet vënë një fre dhe unë fillova ta mbështes në këtë iniciativë të mrekullueshme, këtë tendencë të fortë për të ruajtur demokracinë duke parë edhe të gjithë barrikadat e tjera që po bien; me një shtyp të kontrolluar, me televizione të kontrolluara, me gazetarë që në momente të caktuara, gjoja, për hipokrizi, bëjnë rolin e hetuesit, për të treguar një lloj force në emision dhe nga ana tjetër pastaj degradojnë. Dmth një lojë e përgjithëshme, një mashtrim i organizuar. Unë e ndjeva këtë dhe vazhdova ta mbështes.”

Piktori Avni Delvina sqaron për Politiko.al se kur erdhi momenti që ia propozuan të bënte një ekspozitë të tillë, ka qenë tepër e lodhshme për të, pasi ai shprehet se i është dashur të organizojë gjithçka për një muaj. Artisti tregon se punonte deri në 3 të natës, pastaj dilte me makinë për të pirë një kafe sa të rigjenerohej për 30 minuta dhe i rikthehej sërish punës.

Më pas, Delvina tregon se e gjithë puna dhe mesazhi i saj morën një dimension tjetër, pasi u futën në mes reforma në drejtësi, si dhe ndërkombëtarët, ndaj punimet grafike të tij u pasuruan me elementë të tjerë.

Tek piktura e Eugène Delacroix, “Liria udhëheq popujt”, janë vënë të gjithë ndërkombëtarët në barrikadë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

“Se çfarë i kanë bërë teatrit ata, përveçse anashkalimit, ftohtësisë, largësisë, menefregizmit të qëllimshëm. Mund ta quaja edhe ndryshe, por unë po ju lë një hapësirë se mbase përmirësohen ata që do t’i zëvendësojnë.”

Një nga elementët më fantastike të ekspozitës së Delvinës është figura e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk është përfshirë askund nga piktori. Është vetëm një tablo, “Trapi i Meduzës’ të Theodore Gericault, të cilën Delvina e ka titulluar “Heroika e kompromisit” ku atori ka futur një element përfaqësues të Ramës. Në këtë grafikë janë prezentë analistët dhe gazetarët më në zë të vendit dhe në direkun e trapit shihen të varura atletet e Ramës. Vetëm kaq hapësirë i ka lënë autori kryeministrit.

Përveçse një ekspozitë, Avni Delvina ka krijuar diçka shumë të veçantë me anë të “Notre Dramë de Tiran”. Nëse dramaturgu i famshëm gjerman, Bertold Brehti, krijoi lojën e teatrit brenda teatrit, Avni Delvina futi teatrin në teatër duke e kthyer vetë atë në aktorin kryesor të dramës së tij. Gjithashtu, ata që kërkojnë ta shembin Teatrin Kombëtar, Delvina i futi në këtë teatër si aktorë, duke i bërë ata me pahir të ishin çelësi i hapjes së derës së kësaj godine për publikun.