“Nuk do doja që TV Klan të binte në kurth”, Blendi Fevziu tregon rastin e këngëtares në këtë televizion

Gazetari Blendi Fevziu së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes, për shkak të lëvizjes së mundshme të tij nga Klani te Top Channel.

I ftuar sot në ABC News përballë gazetarit Mustafa Nano, Fevziu u shpreh se sot TV Klan është në ditët më të mira dhe që është produkt i përgatitjes disa vjeçare.

Por ai thekson edhe diferencën e televizionit. “Televizioni në fillim është mendim pastaj show”, u shpreh Fevziu.

Ai përmendi dhe rastin kur në TV Klan është shfaqur në prime time 4 herë brenda muajit një këngëtare.

“Zakonisht televizionet po dominohen nga anti-vlerat.  Nuk do doja që Klani të binte në këtë kurth. Ajo që po them është sot ne vijmë në një moment që në prime time sheh personazhe që nuk do të meritonin  45 minuta. Po shihja rastësisht në Tv Klan një personazh shumë të mirë, këngëtare që doli 4 herë në prime time, ndërsa kryeministri e rektorët dalin më rrallë”, u shpreh Fevziu.

Më tej ai shtoi, “Natyrisht që Klan ka veprimtarinë e një bordi, por valët janë publike. Ka një bord dhe perëndimi e ka shumë të ndarë rrjetet sociale dhe televizonin”.