Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Nuk dyshohet (vetë)vrasja e një gardisti, por ministrat e Brendshëm të Ramës
Alfred Lela
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, shprehu një shqetësim të përligjshëm sot, kur kërkoi respekt për të vdekurin. Një akt që shqiptarët e kanë pjesë të kodeve të tyre si popull. Z. Xhafaj ia këkronte këtë politikës, por edhe medias.
Ndërsa koha që kërkon ministri për përshpritjen e të ndjerit Shkëlzen Qordja është fisnike, mund të argumentohet se po kaq e naltë është edhe përpjekja e medias, por edhe opozitës për të bërë pyetje, për të qenë kureshtare (jo në të lig), dhe sidomos për të ngritur dyshime.
Media e ka tehun e dyshimit dhe të të bërit pyetje, edhe pse ato mund të jenë të sikletshme, si pjesë të zanatit. Si një marangoz ka sharrën, sqeparin dhe drurin, ashtu një gazetar ka dyshimin, pyetjet dhe hulumtimin.
Pjesë e këtyre pyetjeve, dyshimeve dhe hulumtimeve mud të jetë edhe dilema: Shkëlzen Qordjen e vranë apo u vetëvra?
Përmbyseni për një moment shkallën e ngjarjeve dhe imagjinoni sikur opozita të mos e kishte lajmëruar se një efektiv i Gardës, i cili qëllonte të ishte edhe shofer i ministrit të Brendshëm, është gjetur i vrarë?
Sa kohë do merrte Policia kur, në rastin e shpalljes prej opozitës së vrasjes apo vetëvrasjes, bluve iu deshën gjashtë orë për të komunikuar zyrtarisht me mediat dhe opinionin nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Nën këtë precedent u veprua edhe në rastin e kapjes së miliona eurove në Durrës, para pak ditëve duke marrë plot 24 orë për të formuluar një komunikatë zyrtare. Për të shmangur dyshimet, që janë të përligjshme në kësi rastesh me ndjeshmëri të lartë publike, strukturat policore mund ta zgjidhin duke lajmëruar menjëherë mediat dhe publikun për ngjarjen, pa dhënë detaje dhe duke premtuar për rifreskime. Sa herë mungon kjo Policia do të jetë nën njollën e dyshimeve se, pas heshtjes apo vonesës së saj qëndrojnë shtysa politike.
Nuk mund të jetë ndryshe as në raste vdekjesh dhe, madje sidomos në raste të tilla dyshimet do të jenë edhe më të forta.
Të shtunën, kur mbi familjen Qordja u nder një fatkeqësi peshën e së cilës e dinë vetëm ata që humbin një njeri të afërt, Policia sërish u la kohë dyshimeve, duke marrë gjashtë orë për të lëshuar një njoftim për shtyp i cili, në fakt, kishte trajttat dhe veridiktin e një ekspertize. Efektivi i ndjerë i Gardës kategorizohej si ‘i vetëvrarë’.
Çfarë e shtyn një djalë të ri që, në pamje të pare, ka një punë të lakmuar, drejt aktit final të vetëvrasjes, sigurisht, nuk mund të jetë një pyetje për një komunikatë policie. Por, kur ai është shoferi i ministrit të Brendshëm publiku ndihet në nevojën e një dijenie dhe një informacioni.
Është pikërisht statusi i ministrit të Brendshëm, dhe pikërisht më shumë kur ky ministër quhet Fatmir Xhafaj, që e vendos në shenjë (në dukje pa të drejtë) të ndjerin Qordja. Jo vetëm kaq. Edhe për faktin se Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm i Edi Ramës, kryeministrit që, në qeverinë e parë ka patur në atë post Saimir Tahirin.
Nuk është nevoja që të listohen edhe njëherë se, pse ky sekuencialitet emrash dhe rrethanash, e bën të dyshimtë krismën që vjen nga makina e një ministrit të Brendshëm në Shqipëri. Nëse janë tri dhe flitet për vetëvrasjen e një 31 vjeçari, edhe më shumë të tillë.
Kështuqë, z. minister, media nuk po tregon mungesë respekti për vdekjen dhe as familjen e të ndjerit. Në fakt, po e respekton duke u munduar të bëjë punën e vet që rreh nga e vërteta. Të jeni i sigurt se edhe Shkëlzeni i ndjerë do të donte që mbi mënyrën e ikjes së tij nga kjo jetë të dihej dhe jo e kundërta.