Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Alfred Lela
Elisa Spiropali, ministre e re e Ramës, është kapur në një shtjellë presioni publik lidhur me një hap të konsideruar si të pamatur dhe të tepruar të saj. Bëhet fjalë për një vizitë të filmuar të saj në familjen e një vajze të përdhunuar në Kavajë. Shkelja e ministres qëndron te fakti se identifikoi prindërit e vajzës, rrjedhimisht edhe atë, të paktën për komunitetin e atyshëm, duke shkelur një privatësi për të cilën media ishte treguar e kujdesshme.
Në atë që një editorial i Politiko quante per ta mbrojtur privatësinë tende me duhet ta dhunoj atë, Spiropali futi kamerat e ERTV në 'shtëpinë e traumës' duke e kthyer drejt vetes pompën e trysnisë publike që i derdh metrakubët e indinjatës, të vend e të pavend, sidomos në Facebook e të tjera platforma sociale.
Dua ta mbroj Elisën, pavarësisht veprimit të saj të pashije, për të thënë më të paktën, duke futur në punë pikërisht një shprehje të shefit të saj, Rama. Në krye të herës, kur sa kish ardhur në pushtet, kryeministri thoshte "nuk e ka individi fajin, por sistemi".
Vlen të thuhet kjo edhe për Elisën. Nuk është ajo, është Rilindja.
Kavaja, vendi ku shfrenimi i stilit të spektakolarizimit të gjithçkaje nga shumica qeverisëse u përplas me murin e madh e të ftohtë të 'çdo gjë ka një limit', nuk është një ters i panjohur për socialistët. Incidenti i Spiropalit është vetëm përmbyllja e një cikli mujsharie politike që z. Rama ka gjeneruar me shumë shpenzime, të imazhit të brendshëm dhe të jashtëm, për të marrë në dorë një qytet të vogël, por kryeneç të mesit të Shqipërisë, që votonte rregullisht për demokratët. Kryetari i PS e arriti këtë me anë të Elvis Roshit dhe, të gjithë e dimë se si vijon historia. Bashkinë e Kavajës, Rama arriti ta fitonte me Roshin ndërkohë që forca politike që drejtonte ishte në opozitë.
Stili i tij opozitar ishte shumë më agresiv dhe më i zhurmshëm se sa ai i Bashës sot, edhe pse tri ditë para protestës së 16 shkurtit që ka thirrur koalicioni opozitar, mediat dhe eksponentët e PS, krijojnë skenare imagjinare destabizilimi dhe dhune. Në frymë të këtij agresiviteti u ngjiz edhe një ngjarje që përfshinte sërish kryebashkiakun socialist të Kavajës, z. Roshi. Partnerja e tij simuloi një shtatzani dhe një rrëmbim që më pas u mor nga Erion Veliaj, tashmë kryebashkiak i Tiranës dhe u përcoll në kancelaritë europiane si dhunë e pushtetit të Berishës ndaj opozitës së majtë.
Kur ngjarja u shpalos, bashkë me të u panë edhe konturet e babëzisë politike.
Kjo babëzi e çoi Elisa Spiropalin në vendin dhe kohën e gabua, nën premisën e gabuar, në Kavajë. Prodhimi i efektit më të madh për të mbytur efektin e madh që prodhon kundërshtari apo drama e një ngjarjeje. Mjeti që justifikon qëllimin.
Jo vetëm kaq. Kavaja, duke qenë se ka një ngarkesë psikologjike dhe politike të veçantë për palët politike në Shqipëri përbën edhe një territor të lakmuar elektoral. Obsesioni i Ramës me këtë qytet u pa që në këmbënguljene tij për të shkulur dy gishtat origjinalë të demonstratave të fillimviteve '90, dhe për të ngulur, në të njëjtin vend, mënyrën se si ai i shihte ato ngjarje. Pa u menduar dy herë se skulptura nuk është vetëm mishërim i kohës historike, por edhe mënyrës se si shihet ajo kohë nga secila distancë e dhënë.
Edi Rama donte të krijonte distancën e vet, duke monumentalizuar mungesën ose fajin e mungesës së tij në ngjarje. Ai nuk ka qenë në Kavajë në 'lartësitë e stuhishme' të '90, por tani ai gjendet me anë të 'makinës së kohës' që krijon monumenti i ri dhe rrëzimi i të vjetrit.
Kavaja është një qytet ku Rilindja ka hyrë me përdhunë, sepse me përdhunë e lëshuan edhe parardhësit e tyre në vitin 1990. Simbolika tjetër është Shkodra dhe, po kaq unshëm, prej vitesh, i rrotullohet atij qyteti Rama me dëshirën e fortë për ta marrë.
Nëse hyn në Shkodër si shumicë, Rama do të shplodhet prej atij ereksioni të paplotësuar politik për t'i thënë vetes se, tashmë edhe në territoret e fundit të së djathtës, të konservatorizmit, pushon trëndafili socialist.
Elisa është kësisoj veçse korrespondentja e Kavajës e ERTV. Ajo shkoi atje për të raportuar se sa 'të lumtur' janë prindërit e një të përdhunuare nën Rilindjen. Kush e njeh gazetarinë, si teori ose praktikë, e di se gjërat në terren mund të shkojnë keq, shumë keq. Siç e di se redaktori mund të 'të hedhë në erë' me sugjerimet e gabuara, pyetjet e gabuara dhe skemën e gabuar të raportimit.
Nëse redaktori qëllon të jetë i markës 'Skënderbe', duhet të mbyllësh gojën dhe të hash atë që nuk thuhet.