“Nuk është ‘jo’ e prerë”, si e komenton drejtori i Ministrisë së Jashtme në Francë qëndrimin e Macron për Shkupin e Tiranën

“Është një ‘po’ me dy por dhe jo një ‘jo’”.

Kështu e ka komentuar qëndrimin e Francës Frederic Mondoloni, drejtor i Europës kontinentale në Ministrinë e Jashtme franceze, lidhur me refuzimin e çeljes së bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Deklarata e tij erdhi në ‘Belgrade security forum’ në Beograd që mbahet ditën e sotme, raporton Politiko.

Ndërkohë, pas takimit të djeshëm në Tuluz me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti francez Emanuel Macron i tha ‘jo’ hapjes së negociatave me Tiranën dhe Shkupin zyrtar.

“Mendoj se duhet ta reformojmë këtë proces që është aktualisht e pakthyeshme. Në mirëbesim u dhamë shqiptarëve vizat për lëvizjen e lire, por sot mijëra prej tyre kërkojnë azil në Francë. Mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të finalizuar”, tha Macron.