Flash News

KRYESORE

Nuk është Tahiri i ftohtë i tetorit, është Saimiri i nxehtë i prillit

Nuk është Tahiri i ftohtë i tetorit, është Saimiri i

Alfred Lela

Saimir Tahiri ka kaluar nga i ftohti në ngricë. Pas përgjimeve italiane dhe përpjekjes, së pasuksesshme, penguar nga grupi parlamentar PS-PDIU, për ndalimin e tij, një zhvillim tjetër e risjell në skenë emrin e ish-ministrit. Orest Sota, sipas dyshimeve dhe të dhënave një konfidant i Tahirit, është kapur me 860 mijë euro dhe dy patenta detare të deputetit socialist, në një makinë që u përpoq t'i ikte kontrollit policor.

Kryeministri ra në heshtje, ndërsa Tahiri është mjaftuar me një 'jo koment'.

Te raporti i kësaj dysheje, Ramës dhe Tahirit, konturohet, më shumë se askund, ajo që do të ndodhë me ish-ministrin e Brendshëm socialist. Për të kuptuar fillesat e një lidhjeje, që nuk e zgjidhi as 'gjama e madhe' e përgjimeve italiane, duhet të kthehemi mbrapa me 7 muaj. Aty do të mund të gjejmë disa arsye, në mos të gjitha, të përpjekjeve fillestare të Ramës për t'u shkëputur nga ish-ministri i tij dhe të prapakthehut që e shtyu jazin e mullirit politik të Tiranës ta kthente mbrapsht ujin e retorikës.

Te Saimiri i nxehtë i prillit, dhe jo te Tahiri i ftohtë i tetorit, gjendet fjala që e bën sfinksin të na e japë lejen për te brendësia e kuptimit të asaj që ka ndodhur.

Kronika dhe kronologjia, si gjithëherë, janë të nevojshme për këtë kuptim.

Këtu futen ngjarjet dhe rrjedha e tyre: kujtoni presionin e fortë të opozitës me denoncime të përditshme ndaj kanabizimit të vendit. Në fund të çdo shpalljeje Partia Demokratike kërkonte kokën e Saimir Tahirit. Kryeministri nuk u sëkëlldis aspak nga këto denoncime dhe i dha mbështetje të pafre dhe deri në fund ministrit të vet. Gjërat morën një kthesë kur në mes u futën shërbimet e huaja, ambasadorët e partnerëve strategjikë dhe çadra e protestës opozitare. Rama u detyrua të dorëzohej, dhe këtu fillon mpiksja e enigmës që shpjegon edhe qëndrimin e kryeministrit përballë skandalit të tetorit.

Saimir Tahiri nuk u dorëzua lehtë dhe media raportoi një ecejake nervoze ndërmjet zyrës së tij dhe Kryeministrisë. Rezistenca e tij duhet kuptuar nga çfarë dhe sa mori me vete. Plot tre ministra të tjerë. Ka qenë një negociatë e vështirë ajo që e shtyu Ramën të rikompozonte qeverinë, një lëvizje që ai e kish hedhur poshtë me forcë sa herë ishte pyetur përgjatë tre viteve të para të mandatit. Tahiri u shfaq qejfpaprishur në fushatë elektorale, e cila filloi më shpejt se zakonisht, si për t'i dhënë një rol qendror ish-ministrit. Ai u shfaq retorik, i zjarrtë dhe komandues, duke përvetësuar edhe një fjalor sulmesh të hapura ndaj LSI-së dhe Ilir Metës; ndoshta socialisti i parë i lartë që guxonte kaq hapur. Në gjuhën e tij nuk mungonin komplimentet për 'kapitenin e skuadrës', Edi Ramën.

Tahiri e kishte arritur paktin me të. Por, jo vetëm kaq. Ai ishte larguar nga posti i ministrit të Brendshëm me një dijeni dhe të vetëndjerë force. Në negociatën e vështirë me Edi Ramën nuk kishte dalë keq. I kishte marrë sulmet e pareshtura të opozitës të shndërruara në protestë; trysninë e ndërkombëtarëve dhe një rikompozim të qeverisë.

Kaq peshonte koka e tij e prerë, sepse kaq shumë dinte koka e tij e paprerë.

Saimir Tahiri dhe Edi Rama ishin të mpleksur më fije që dalin jashtë qeverisjes si të tillë. Kjo i nxirrte prej raportit rutinor shef-vartës.

Si bashkëpunëtorë, ata ishin të dënuar të qëndronin bashkë ose të rrëzoheshin bashkë.

Edi Rama, me sa duket, e kishte harruar këtë ditën e parë kur u publikan përgjimet italiane. Kur Saimiri i prillit ia kujtoi, Tahiri i tetorit nuk mund të lëshohej.

Të fundit