Nuk firmosi pa u konsultuar, Rudina Hajdari reagon një ditë pas marrëveshjes me PD, PS, LSI për Reformën Zgjedhore

Rudina Hajdari, bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësuese e opozitës parlamentare ka reaguar një ditë pas marrëveshjes mes PS, PD dhe LSI për Reformën Zgjedhore.

Ndërsa ishte e vetmja mes 4 palëve pjesëmarrëse në këtë tryezë që nuk firmosi dokumentin me 8 pika, pasi kërkoi kohë pa t’i shqyrtuar dhe të konsultohet me kolegët e opozitës parlamentare, Hajdari ka folur sërish sot për këtë pakt.

Sipas Hajdarit, ky është një moment me shumë rëndësi pasi shumë pak gra në politikë kanë qenë prezent në marrëveshje politike madhore.

“Deri më sot shumë pak gra në politikë kanë qenë prezent në marrëveshje politike madhore. Për mua ky moment është i rëndësishëm për çdo grua dhe vajzë që më shikon. Është një moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh se çdo nënë, çdo grua dhe vajzë nuk kemi limite në shoqërinë tonë dhe se ne jemi të drejtpërdrejta dhe interesat tonë shkojnë përtej interesave të ngushta të pushtetit. Çdo grua që lufton në politikë në një mënyrë apo tjetër ka përgjegjësi për mesazhin që përçon ndaj çdo gruaje apo vajze në çdo cep të Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që ajo ka në shoqëri”, shkruan Hajdari në rrjetet sociale, shoqëruar me një foto nga takimi i djeshëm në Pallatin e Kongreseve.