“Nuk i ul dot dy palët në tavolinë”/ Paskal Milo: Meta u konsultua me ndërkombëtarët para deklaratës

Politikani Paskal Milo, në emisionin Opinion eshte shprehur se deklarata e sotme e presidentit Ilir Meta “se nuk ul dot palët në tavolinë” nuk është e rastësishme. Milo tha se disponon informacione se ditët e fundit, kreu i shtetit ka pasur takime me ambasadorët në Tiranë, të cilët i ka informuar për pikëpamjet e tij për ngërçin politik.

“Këto janë detajet që unë di”, i tha Milo – Fevziut, duke aluduar se kreu i shtetit është konsultuar me faktorin ndërkombëtar për qëndrimin e tij. Në një konferencë rajonale në Tiranë, Meta u shpreh se nuk e merr dot përsipër rolin e bashkuesit të dy palëve, që kanë diametralisht qëndrime të kundërta.

“Dëgjoj njerëz të thotë, ‘çfarë bën presidenti i Republikës?’ Presidenti i Republikës nuk mund të ulë në tavolinë 2-3 njerëz që thonë ne nuk ulemi me atë. Apo dike tjetër që thotë se 30 qershori do jetë ditë suksesi të madh për demokracinë”, nënvizoi presidenti Meta prerazi, duke theksuar se roli i tij është të veprojë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.