Flash News

KRYESORE

Nuk ishte ky dimri i fundit i Aleksandër Lalos

Nuk ishte ky dimri i fundit i Aleksandër Lalos

Politiko.al

Një prej miqve të tij tregonte, se në homazhet e kantautorit Françesk Radi, Aleksandri kishte thënë me pezm: për artistët kujtohen vetëm kur vdesin. Me Frankon dhe me të tjerë, Aleksandër Lalo ndau rrugëtime të ndryshme në jetë, por në fund të gjithë i dorëzohen vdekjes. Dhe, thuajse të gjithë, të njëjtit holl të përzishëm dhe në të njëjtën kohë të lidhur me jetën, të Radiotelevizonit shqiptar.

Sa i takon kujtesës, i ndjeri Aleksandër Lalo nuk ka patur të drejtë. Kompozitorët, shkrimtarët, ata që krijojnë diçka në jetë, shpikin në të njëjtën kohë edhe një mekanizëm. I cili ka një ingranazh të çuditshëm. Të gjallët mund të mos kujtohen për bashkëkohësin, njerëzit për bashkëqytetarin, konsumatorët për artistin, por është vepra që e bën këtë punë. Eshtë krijimi që kujtohet për të gjithë: edhe për autorin e vet, edhe për bashkëkohësit, madje edhe për historinë.

Një muzike apo teksti të mirë nuk i shpëton dot. Ajo kujtohet për ty dhe të gjen, edhe ti nëse nuk kujtohesh për të dhe nuk e kërkon.

Ky është kuptimi i parë që mund t'i japim Aleksandër Lalos, sot që është ndarë këso jete.

Në fakt, këtë kuptim ai ja jep vetes me jetën dhe punën e vet.

Meloditë e asaj që u quajt 'muzikë e lehtë', kolonat zanore të filmave shqiptarë që, të paktën në një element, arrinin t'i shpëtonin skematizmave të realizmit socialist, apo një zhanër më i kultivuar si muzika e dhomës, njëfarë jazz-i nën diktaturë i artistëve shqiptarë, janë kjo jetë dhe kjo punë e Lalos.

Aleksandër Lalo është artisti si krijues dhe si individ, por është edhe brezi i vet. Gjeneratat e viteve '30 dhe '40 të shekullit të shkuar, që janë në fund të ciklit të jetës biologjike, por që mbeten dhe japin shenja nëpërmjet asaj që kanë krijuar nëpër dekada.

Lalo ka mërguar diku tjetër, dhe pa asnjë brengë mund t'i shohë prej andej ata që iu mblodhën sot në homazhe, pa rënë në pesimizmin e 'për artistët kujtohen vetëm kur vdesin'. Si një njeri i kohës së vet, por edhe i traditës.

Tradita, ndryshe nga sa kujtohet, është pas dhe para në kohë.

Të fundit