“Nuk ka ende as datë”, ndezën motorët e fushatës, Meta mesazh PD e PS: Kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër

Presidenti Ilir Meta deklaron se në vendin tonë është krijuar një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër, nisur nga aktiviteti i partive kryesore politike në vend, të cilët kanë ndezur motorët e fushatës zgjedhore.

Teksa i referohet situatës politike në Maqedoninë e Veriut, ku pritet të zhvillohen pas pak ditësh zgjedhjet parlamentare të parakohshme, Meta thotë se atje ka një atmosferë sigurie, falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, ndërsa në Shqipëri sipas tij edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont dhe ka një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër.

“Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve.

Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër.

Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me defiçitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta.

Ndaj s’duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian.

Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë.

E para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe. Koha për vepra të mira është tani”, shprehet presidenti.