Flash News

KRYESORE

Nuk ka paqe nën ullinj

Nuk ka paqe nën ullinj

Mirela Milori

“Nuk ka paqe nën filizin e ri të ullirit të politikës”- e mbylli fjalën e tij i qetë, karizmatik dhe mirëdashës me opozitën, kryeministri Rama të shtunën, mbas seancës së zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit.  Për rishtarët e historisë së kinemasë ky është një aforizëm i huazuar nga titulli i filmit italian të vitit 1950 “Nuk ka paqe nën ullinj”. Por në fakt, nga ajo që ndodhi të shtunën, ajo që parashikohet  është e kundërta, paqja është më e dukshme se kurrë nën kulmin e Kuvendit të Shqipërisë!

Parlameti i ri e nisi punën me një skandal në radhët e së djathtës. Gramoz Ruçi, u zgjodh kryetar i parlamentit me dy vota nga e djathta.  Dy votat e rrjedhura të PD, që menduan diabolikisht se do t’ia faturonin trafikimin e votës partisë së Kryemadhit, ngecën në kurthin e zgjuar femëror të kësaj të fundit, që tërhoqi deputetët nga votimi!

Hutimi i dy votave pro Ruçit, u shndërrua në shtangie kur dy emra të rinj të parlamentit, thanë se komisioni i numërimit të votave në parlament (ku PD nuk shpuri anëtarë), i manipuloi votimet që të diskreditonte të djathtën...!!

Them shtangie, pasi në parlamentin e këtyre 27 viteve, Partia Demokratike e deridjeshme, si në pushtet apo në opozitë, ka patur një element bazik, përballja në këmbë me çfarëdo kostoje që pësonte apo shkaktonte. Të shtunën ne pamë një grup parlamentar që nuk e kuptuam se kujt i përkiste dhe çfarë përfaqësonte. Një kryetar opozite që i jep dorën Gramoz Ruçit dhe më pas i bashkohet protestës së ish të përndjekurve kundër tij, një grup që bërtet kundër Ruçit në krye të parlamentit, por që për 27 vite nuk u ndje kaq shumë që e ka patur në ulëset ngjitur në kuvend, e mbi të gjitha një grup që i dhuron dy vota për të kurorëzuar bindshëm fitoren e tij në krye të parlamentit.

Të tria këto duken situata të kithëta, që as nuk kanë pika të përbashkëta, e as që janë në një sistem hapsinor; megjithatë kjo është fotografia e çastit e grupit parlamentar të PD -së të shtunën.

Berisha reagoi ashpër të dielën, në respekt të ADN-së e historisë së tij politike. Por, a do të kthehet në akt, verbi i tij politik i së dielës? Dhe a do të jetë një reagim bindës për dyshuesit, se pavarësisht ardhjes rrokupujë të shumë emrave në këtë parlament, ajo që nuk do të cedojë është elementi politik i kësaj partie?

Për rishtarët në grupin parlamentar të PD, vlen një e vërtetë:

Në zgjedhjen e Bamir Topit president në vitin 2007, grupit parlamentar të PD, iu bashkuan 6 vota të deputetëve të PS. Ben Blushi, atë kohë kyetar i grupit parlamentar të PS, dha dorëheqje për mosbindje të 6 anëtarëve të grupit, ndaj vendimmarrjes kolektive.

Ajo që pritet nga grupi parlamentar i PD, është një reagim serioz, një akt i vërtetë dhe politik! Në të kundërt, nëse vazhdohet me ëndërrat e një dite vjeshte, për manipulim të një komisoni drejtuar nga Anastas Angjeli, atëherë dy gishtat e simbolit të PD, mes të cilave Edi Rama qetësisht vuri në gjumë trëndafilin e së majtës, do të kthehen vërtetë në degë ulliri; e cilitdo rishtar që i bie rruga e fati të merren me politikë në këtë vend, supembledhur do të thotë: Paska paqe nën ullinj!

 

Të fundit