“Nuk keni ende program”, Balluku i qan hallin Bashës: Një që kishit, ua hodhi poshtë Ilir Beqja me një të rënë të lapsit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka ironizuar nga foltorja e parlamentit Partinë Demokratike se nuk ka ende një program konkret, ndonëse jemi disa muaj para zgjedhjeve të 2021-shit.

Teksa iu përgjigj akuzave të PD pak ditë më parë lidhur me koncesionin Milot-Fier, Balluku thotë se një propozim për rikthimin e taksës së sheshtë që publikuan, e hodhi poshtë Ilir Beqja për tre orë punë.

“Nuk arrij të kuptoj se si nuk uleni të punoni për programin tuaj, do bëni program ju, do dalim të garojmë? Nxorët një taksë të sheshtë, ua hodhi poshtë Ilir Beqja për tre orë punë, me një të rënë të lapsit”, tha ndër të tjera ministrja.

Kujtojmë se Beqaj reagoi duke thënë se taksa e sheshtë 9% e propozuar nga Lulzim Basha, do t’u marrë rreth 13,4 miliardë lekë, rreth 13 700 infermierëve.