Flash News

KRYESORE

Nuk na mbetet veçse të qajmë

Nuk na mbetet veçse të qajmë

Gentian Gaba

Ndryshe nga gjyqësori, politika nuk lidhet me akte formale në dhënien e një gjykimi, por mbi vlersime autonome të fakteve. Mund të largohet dikush që është i pafajshëm, ose të mbahet pranë një fajtor. Janë dy vlerësime të ndryshme: njëri politik, tjetri juridik.  Nuk është as e nevojshme që një gjyq të përfundojë përpara se të nisin apo të kërkohen përgjegjësitë politike, por kjo është gjë fort e rrallë këtu te ne.

Sikurse dikton edhe filozofia politike, ata që marrin një rol institucional duhet të veprojnë të ndriçuar nga një yll polar: përgjegjësia, nga latinishtja responsus, domethënë angazhim për t’iu përgjigjur shoqërisë (jo shokëve), mbi veprimet dhe pasojat që nga ato burojnë. Nuk është rastësi që, në gjermanisht, 'përgjegjësia' përkthehet verantwortung, që do të thotë barrë, peshë.

Votimi i djeshëm nuk përbën asnjë surprizë, numrat ia lejonin mazhorancës këtë qëndrim. Madje, 75 votat në favor të raportit të Partisë Socialiste mbi fatin e deputetit 'të pavarur', Saimir Tahiri, nuk mund të përbëjë as lajm.

Lajm nuk është as fakti që kjo çështje zgjati më shumë se tri ditë.

Ndoshta, lajmi është se Rama u detyrua të marrë një barrë, u ngarkua me një kosto politike shumë të rëndë, mori përgjegjësi përpara qytetarëve për ish-ministrin e tij.

Pse e bëri këtë?

Normalisht, nuk e bëri për të treguar pjekuri politike, mjafton të sjellim në mend qëndrimet e shumta dhe kontradiktore të javës së shkuar.

Madje, u përpoq edhe ta kamuflojë këtë barrë. Si një akrobat i sprovuar kreu një dredhi formale mbi deputetin nën akuzë; përpara se ta çlironte nga pesha e arrestit, Rama e liroi Tahirin nga forumet dhe nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Me shumë gjasa, ka qenë Tahiri ai që ka diktuar kushtet për menaxhimin politik të situatës. Miqtë janë armiqtë më të vështirë, ata njohin mirë njëri-tjetrin, sidomos pikat e dobëta.

Për këtë arsye, ministri më i sukseshëm i oborrit të Kryeministrit zbriti nga varka e Karontit në mes të rrugës. Ndryshe nga rastet Doshi, Frroku, Prenga etj. Një precedent që i ka bazat te pesha e specifike e deputetit nën hetim dhe te reaksioni zinxhir që mund të shkaktojë arrestimi i tij.

Presioni i krijuar nga kjo situatë është edhe arsyeja pse Rama lëshoi atë mllef mbi gazetarët. Nuk ishte thjesht një sulm pas një jave të kaluar në mbrojtje, por ishte tentativa për të deligjitimuar ata që në orët, ditët apo muajt në vijim, do t’i dalin përsëri përpara për ta pyetur mbi një çështje që është e destinuar të mbetet një plagë e hapur; pikërisht gishtat e gazetarëve në këtë plagë e tërbojnë Kryeministrin.

Herët apo vonë, një vrasje, një plagosje, një sasi e madhe droge, një dosje e ardhur nga ndonjë prokurori e huaj, një video e një “darke të gabuar”, do të ngrejë edhe një herë dyshime mbi mazhorancën; ndoshta do të bëjë që prangat të tunden përsëri për ndonjërin nga antarët e saj. Për fatin e keq të shqiptarëve, është vetëm çështje kohe.

Sakaq, të shtatat e kësaj shfaqjeje të shëmtuar për dinjitetin e një vendi, shkuan. Jemi ende në një situatë hibride si pasojë e ogureve të zymta në këtë prag dimri; një paqartësi që pengon edhe zhvillimin normal të procesit politik, duke përshfshirë këtu dyshimet mbi legjitimitetin e mazhorancës.

“Jo gjithçka në tokë është varrosur: jeton dashuria, jeton vuajtja; na mohohet të shohim imazhin real, andaj nuk na mbetet  veçse të qajmë dhe të kujtojmë”- këto vargje të poetit italian Françesko Petrarka, mund të gjejnë jehonë te ata që ende janë të trazuar dhe indinjuar nga paqartësia e jetës politike (si pasojë edhe sociale dhe ekonomike të çdo shqiptari).

Në këtë tymnajë, vëzhguesit idealistë dhe kërkues ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit; të paaftë për të parë imazhin real të të zgjedhurve, të zhgënjyer nga arroganca përballë disa profesionistëve në kërkim të përgjigjeve që çdo shqiptar kërkon nga një kryeministër, nuk iu mbetet veçse të qajnë përballë shfaqeve të shëmtuara të politikës; e të kujtojnë se përsëri do të ketë zgjedhje, pasi jo gjithçka në këtë tokë mund të varroset përgjithmonë.

 ©Politiko.al

 

Të fundit