KRYESORE

‘O të na vrasin ata, o do i vrasim ne’, banorët e ‘Astirit’ të vendosur: Jemi në shtëpinë tonë, nuk e lëshojmë pa kufoma

Nuk ka paqe për banorët e zonës së “Astirit”. Banorët e kësaj zone kanë dalë që në orët e para të mëngjesit në protestë, pasi janë informuar se sot mund të fillojë prishja e banesave të tyre.

Banorët janë shprehur të revoltuar se do të bëjnë gjithçka për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre. Madje njëri prej banorëve deklaroi se kjo histori do të përfundojë edhe me viktima.

“Te Unaza e Re nuk keni asnjë lloj shansi t’i prishni. Ne jemi për shtëpitë tona. O të na vrasin ata, o do i vrasim ne, kështu do të përfundojë. Ne do të bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë tonë. Duam drejtësinë tonë”, u shpreh një banor.

E gjithë zona është e rrethuar me punonjës të policisë Bashkiake dhe asaj të rendit, pasi pritet që aty të nisë sot shembja e disa ndërtesave.

Sipas gazetës Mapo, Policia e Tiranës ka thënë se banesat që priten të prishen sot nuk kanë lidhje me projektin e “Unazës së Madhe”, por me rikualifikimin e një rruge që lidh zonën e “Astirit” me Kasharin.

Ditari politik

Të fundit