Flash News

KRYESORE

Oliver Schmitt rikthehet me kritika për Ramën: Nuk është lider demokrat; BE ka krijuar grupe klienteliste

Oliver Schmitt rikthehet me kritika për Ramën: Nuk është

Historiani zvicerian, Oliver Schmitt, i cili ka shkaktuar shpesh herë debate të forta në Tiranë për tezat kundër Skënderbeut dhe lidhjes iliro-shqiptare, ka publikuar së fundmi një artikull në gazetën prestigjoze "Neue Zürcher Zeitung", ku flet për rrezikun e sistemeve autoritare në Ballkan.

Schmitt thekson se kryeministri Edi Rama “nuk është një demokrat i pastër”, ndërsa vazhdon të justifikohet për lulëzimin e biznesit të kanabisit në Shqipëri.

“Sidomos Gjermania po llogarit në Serbinë dhe po e shpërblen atë shtet, i cili nga fundi i shekullit ’20 i ka mbuluar shumicën e atyre shteteve me luftëra, të cilat në procesin e Berlinit pritet të shtyhen të bashkëpunojnë ngushtë me Serbinë. Për të kompensuar këtë dhe për ta qetësuar elementin shqiptar, i cili është më dinamiku në një rajon që po plaket, kryeqytetet perëndimore po përpiqen ta afrojnë kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili së fundi u rizgjodh me një shumicë të madhe. Nga Rama pritet që si udhëheqës i «shtetit amë» të mbrojë interesat e shqiptarëve të shpërndarë në shtetet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Por, si Vuçiqi edhe Rama nuk është demokrat i pastër. Ai po ashtu vazhdimisht duhet të arsyetohet kundër supozimeve se nuk po vepron në mënyrë energjike kundër mbjelljes dhe shitjes së drogës, një biznes që po lulëzon”, shkruan studiuesi zvicerian.

Sipas Oliver Schmitt, me qasjen ndaj Ramës dhe Vuçiç, Bashkimi Europian ka krijuar në këto vende grupe klienteliste që paraqesin kryesisht probleme në Shqipëri dhe në raportet e Tiranës me Prishtinën.

Studiuesi paralajmëron se nëse BE do të vazhdojë me këtë politikë, duke mos mbështetur zhvillimin si shoqëri të lira dhe demokratike, atëherë Shqipëria dhe Serbia do të shpopullohen përpara derës së saj

“Me qasjen etnizuese rreth dyshes Vuçiç-Rama BE ka krijuar grupe klienteliste. Kjo është problematike sidomos në rastin e shqiptarëve. Në Prishtinë janë të shqetësuar dhe të zemëruar që Serbia dhe Shqipëria po i rregullojnë çështjet e Kosovës, pa e konsultuar Kosovën. Edhe ndërhyrja e Ramës në politikën e brendshme të Maqedonisë, ku i bashkoi partitë shqiptare në një aleancë, nuk është joproblematike. Si Vuçiçi ashtu edhe Rama nuk ngurrojnë të lëshohen në parulla dhe aksione nacionaliste. Kush i mbështet ata në mënyrë të njëanshme, mund të blejë stabilitet, por me çmim të lartë. Sepse kështu as Serbia, as Shqipëria nuk do të zhvillohen si shoqëri të lira e demokratike, të cilat me ndërgjegje të pastër mund të pranohen në BE. Nëse vazhdohet me mbështetjen e njëanshme të modeleve autoritare politike, atëherë Serbia dhe Shqipëria dhe shtetet e tjera do të shndërrohen në rezervate politike të shpopulluara para portave të BE-së. Ikja sidomos e personave të kualifikuar është që tani tepër e lartë”, shkruan ai.

Schmitt konsideron sukses ardhjen në pushtet të Zoran Zaevit në Maqedoni, i cili largoi një lider autoritar si Nikolla Gruevski.

Tirana mbështet propozimin serb që dëmton Kosovën, Bushati njofton krijimin e tregut ballkanik (Kundërshtimet)

Të fundit