Flash News

KRYESORE

OMN e pakënaqur me rikonfirmimin e prokurorit të “Tahirit”; ankimon vendimin e KPK

OMN e pakënaqur me rikonfirmimin e prokurorit të

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk është i kënaqur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që rikonfirmoi në detyrë Gentian Osmanin, prokuror i Krimeve të Rënda.

Ndonëse hetimi administrativ i KPK-së kishte nxjerrë mungesën e dokumenteve për një hua, të cilën Osmani pretendonte se e kishte marrë nga kushurinjtë e tij në Itali, raportet e ILDKPKI dhe DISK ishin pozitive për të.

Sot, OMN u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin për Osmanin.

Gentian Osmani ishte një prej tre prokurorëve që kërkoi vitin e kaluar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nën akuzën e trafikut të drogës.

OMN kërkon shkarkimin e gjyqtarit; Gentian Medja kaloi vetting-un e KPK

Njoftimi i OMN:

Në datë 2.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.

Ky vendim ende nuk është njoftuar. Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Të fundit