Flash News

OP-ED

Afganët dhe Edi Rama si përdorues klishesh

Afganët dhe Edi Rama si përdorues klishesh

Alfred Lela

Edi Rama i kishte shkruar vetes një letër të gjatë sot në Facebook. Argumentonte aty, nëpërmjet një stili kundravënës, se pse Shqipëria duhet t’i pranojë afganët. Duke e bërë veten edhe nismëtar të kërkesës që bashkëpunëtorët e amerikanëve dhe NATO-s në Afganistan nuk duhen lënë në mëshirë të fatit, tani që talebanët po i afrohen Kabulit, kryeqytetit. Ky fakt, nëse është i vërtetë, i bën nder Kryeministrit të një vendi të vogël, i cili nuk mban dot barrën ushtarake në një aleancë globale, por vetëofrohet si kontribues humanitar.

Ajo çka i mungon aktit fillestar, që Kryeministri thotë se e ka bërë në një samit të NATO-s, është akti pasues me popullin e vet. Kjo do të thotë se, ose Rama nuk e ka bërë oferën që thotë, ose popullin e vet e konsideron turmë dhe jo publik.

Sigurisht, Kryeministri ka një histori me premtimet (jo konsensuale) ndaj amerikanëve, që desh i shkaktuan një krizë qeverisëse në hyrje të mandatit të parë. Reagimi ndaj mbetjeve kimike qe aq i fortë, sa e detyroi z. Rama ‘të mbante’ popullin e vet e të lëshonte premtimin e dhënë amerikanëve. Nëse rastet e lëndëve kimike dhe afganëve të kërcënuar nga talebanët nuk kanë krahasim në raport me rrezikshmërinë për shqiptarët, mungesa e transparencës është e njëjta të dy herët. Këtë stil të tijin autoritar Kryeministri e zëvendëson me “të paturit e shumicës qeverisëse”. Gjë që, sa është e vërtetë, është njëkohësisht relative, por nuk është shtjellimi i kësaj qëllimi i shkrimit.

Ajo që shqetëson këtë shkrim është se Shqipëria prodhon ‘refugjatë’ për vendet e zhvilluara dhe pret refugjatë nga vendet në luftë. Dhe ky është problem. Ne nuk e kemi atë balancën e shëndetshme, të themi Kanadasë, e cila është në listën e vendeve pritëse të afganëve, të të qenit vend i lakmuar për të jetuar të huajt. Në brigjet tona vijnë e përplasen një baticë dhe një zbaticë. Zbatica janë shqiptarët që ikin, se vendi nuk u ofron prosperitet dhe horizont për të ardhmen e fëmijëve, dhe batica janë ‘të shpërngulurit e fatit të keq’ nga vendet e tyre: si iranianët e MEK, si sirianët e luftës, dhe tashmë afganët e përndjekur nga Talibani. Hendeku është ende i thellë, duke qenë se të ikurit tanë janë në disa qindra mijëra, ndërsa ‘ardhacakët e kaosit’ disa mijra. Por, problemi mbetet, dhe këtu, ndoshta pandërgjegjshëm, fillon edhe reagimi jo pozitiv për ardhjen e afganëve. Sigurisht, këtu duhen zbritur ata që do thonin ‘jo’ për çdo gjë, apo urrejtësit patologjikë të kundërshtarit politik, në këtë rast Kryeministrit.

Edhe opozitës i mungon diagnoza e rastit, dhe në vend të saj ofron solidaritetin e rrejshëm ‘pro amerikan’ dhe humanist, i cili shumëve u ngjan hipokrit. Siç ngjan i tillë edhe futja e dorës qorrazi në thesin e krahasimeve humaniste, që bën Kryeministri, duke nxjerrë prej andej-mos prisni surpriza- hebrejtë. Rrethanat janë kaq të pangjashme, sepse e tillë është bota e tanishme krahasuar me atë të fundviteve ’30-të të shekullit të shkuar.  

Ne nuk mund t’i shpjegojmë zgjidhjet kombëtare aktuale, as me shpëtimin e hebrejve nga qeveria e Zogut në vitet ’30-të, dhe as me humanisten Nënë Tereza në vitet ’80-të të po të njëjtit shekull. Duke i përdorur vend e pa vend, në vend që t’i lartësojmë i kthejmë në klishe, pra në gjëra boshe të cilave u dihet nami, por jo kuptimi. Ngase, sipas nevoja personale apo politike, i zhveshim nga kuptimi i parë i tyre.

Afganët duhet të mirëpriten. Si muhamedanë e të krishterë të mirë shqiptarët duhet të hapin dyert e arsyes për njerëz që u rrezikohet jeta. Përpos kësaj, ata nuk përbëjnë asnjë rrezik, duke qenë se janë, në pjesën më të madhe, elita e atij vendi. Me ta nuk vjen asnjë kërcënim social, politik apo fetar.

Rreziku i vetëm gjindet mes nesh. Është të mos konsideruarit e pakicave, të folurit në emër të popullit, shpërfillja e opinionit publik. Pse jo, edhe përdorimi i klisheve. I pavend, sidomos kur në klishe kërkon të kthesh disa themele shpirtërore të kombit.

Të fundit