Flash News

KRYESORE

Besartët e mbetur të Bashës dhe nevoja për ‘besëlidhje të re’

Atij i duhet që të ketë të gjithë njerëzit që t’i ofrojë si zgjidhjen e tij për të nesërmen e 25 prillit, ose duhet të bëhet vetë zgjidhja. Ai pra, duhet të simbolizojë, në sytë e të tijve të paktën (aq më mirë edhe të publikut), se është çelësi që e shkyç bravën e pushtetit.

Besartët e mbetur të Bashës dhe nevoja për

Alfred Lela

Besart Kadia, ‘rrjedhja’ më e re nga kampi i Bashës drejt atij të Ramës, nuk e ka hijen mjaftueshëm të gjatë për t’u derdhur në formën e një ububuje në prehrin e opinionit publik. Ai ka qenë koordinator, një ndër dy duzina, në partinë e ristrukturuar të Bashës, pas dorëheqjes së doktor Berishës, por pa lënë ndonjë shenjë të dukshme në aktivitetin partiak. Kryetari i PD nuk e kandidoi në zgjedhjet e 2017, duke mos i dhënë kështu mundësinë që të mbetej në parlament kur PD dhe LSi bojkotuan.

Me sa duket, është kryeministri që e ka joshur ekonomistin me, ndoshta, një vend në listën e zgjedhjeve të ardhshme. Kadia, nga koordinator i ekonomisë në në Partinë Demokratike të Bashës, është bërë zv/ministër i Ekonomisë në qeverinë e Ramës.

Zemërata në kampin demokrat do të synojë karakterin e Kadisë por, a mos, ndoshta, është koha që të përimtohet karakteri i kryetarit të tyre? Po flasim këtu për karakterin politik, të kuptohemi.

Basha, i pëlqen ose jo, e mohon ose jo, është duke u përballur, nga dita në ditë, me braktisje të anijes. Katër parti të reja politike janë formuar në harkun e pak më shumë se një viti nga ish-eksponentë të Partisë Demokratike. Tri prej tyre dy muajt e fundit. Shefi i PD i ka snobuar ‘si të Ramës’, përkundër këshillimeve publike të disa prej njerëzve me histori të gjatë dhe njohje të thellë të kampit blu, përfshirë këtu edhe pater familias, Sali Berishën.

Besart Kadia është "partia e pestë" që ndahet prej Bashës. Duke mos pasë thelluar asnjë krizë, ai flet ama për një krizë besimi, përqendrimi, menaxhimi dhe kujtese. Atij të cilit i ikin njerëzit ka gjasa të mos i shkojë as pushteti. Duke e marrë përsëritjen si mëmë të dijes, duhet t’i rikthehemi mërzisë që mund të zgjojë shembulli i Berishës së vitit 2005. Ftesa e gjerë politike dhe shoqërore e tij, që projektoi në publik idenë e ndryshimit, të hapjes dhe bashkimit, por sidomos psiko-idenë se njerëzit po shkojnë drejt fitimtarit të radhës.

Çfarë ka në sirtar shefi i opozitës aktuale për zgjedhjet e radhës? Me cilën befasi do të shkërmoqë të gjitha ‘blerjet’ e Ramës, përfshirë këtu Kadinë, Topallin, Patozin, Murrizin, Hajdarin e të tjerë?

Në qarqet mediatike qarkullon një storje e vitit 2013, që ka si personazh kryesor një ish-ministër të Berishës. Kur e pyetën se cila është skema e PD për të mbajtur pushtetin, ai u përgjigj: do ta gjejë Doktori një zgjidhje.

Paradoksalisht, Basha është në të njëjtën situatë, por me disa mungesa. Atij i duhet që të ketë të gjithë njerëzit që t’i ofrojë si zgjidhjen e tij për të nesërmen e 25 prillit, ose duhet të bëhet vetë zgjidhja. Ai pra, duhet të simbolizojë, në sytë e të tijve të paktën (aq më mirë edhe të publikut), se është çelësi që e shkyç bravën e pushtetit.

Personalisht nuk e kam një qëndrim apo mendim mbi atë nëse mund të jetë tashmë z. Basha ky çelës, por ‘ministrat’ e tij duhet ta dinë më mirë. Si ata që po i ikin, ashtu dhe ata që kanë zgjedhur të mos i ndahen.

Deri në ditën e kiametit ose të triumfit.

Të fundit