Flash News

OPINEWS

Fondi Sovran edhe tersi i numrit 5-së!

Fondi Sovran edhe tersi i numrit 5-së!

Irena Beqiraj 

" Nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat shkojnë direkt në buxhet të shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga Fondi Sovran" ..... shpjegonte Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2023. Pikërisht atëherë, kur zemra na u bë mal nga lajmet e pasurisë së zbuluar në Shpirag !
Megjithëse, fakti që Shpiragu kishte naftë ishte i njohur prej pesë brezash në këto njëqind vitet e fundit, sikurse dihej që edhe nxjerrja e saj në sipërfaqe kushtonte shumë . Italianët në vitet '30 të shekullit të kaluar e mandej rusët në vitet 50, kinezët në vitet ‘60, shqiptarët më tëhu në vitet 70-80 hoqën dorë .
Por kësaj here pikërisht herën e pestë ishte ndryshe. Entuziazmi ishte ngjitës . Gazetarët ekonomik me pagesë pranë qeverisë, na bindën se tani ishim më afër se kurrë ëndrrës për t'u pasuruar, sepse kësaj rradhe nuk ishte si herët e tjera. Si çdo gjë e mirë që ka ndodhur për herë të parë vetëm nën drejtimin e Ramës, ai dora vet nga konferenca për shtyp na tha se :
"Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë, është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë. Burimet e naftës që janë zbuluar më parë janë burime të një nafte të rëndë që përdoret për bitum apo solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve. Nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite".
Qielli është limiti "na siguroi Kryeministri , dhe sipas llogarive edhe parashikimeve të qeverisë në qiell sapo ishte hapur një vend për Shqipërinë!
Parashikimet u bën shpejt . Pësës i shtuan ca zero, 500 milionë të ardhura në vit, 5.000 puntorë do të ushqenin fëmijët etj etj .
Nga Shpiragu nuk doli asnjë pikë naftë e asnjë lloji, as e rëndë e as premium . Doli fjala e ca inxhiniereve të vjetër të kohës së Enverit . Shtriganë, pelq të grindur, edhe pse të ditur, guxuan të na trembnin gëzimin që injektonte çdo ditë zv/kryeministrja me zërin e saj të kadifenjtë.
Nuk krijuam dot as fondin sovran . Disa gojë të liga mund të thonë - eh si gjithë "Punët për Shqipërinë" peshku në det e tigani në zjarr . Por gjithçka mund realizohej po mos të ishte për numrin pesë.
E kuptoj që 1, 2, 3, 4 nuk janë shumë numra optimistë por, nuk e pranoj dot ngurimin e kësaj "qeverie arritjesh" për të përdorur gjashtën, shtatën, apo tetën . Nëntën mirë bëri që nuk e përdori se do te dukej paksa e ekzagjiruar.
Ndaj një lutje kam për minstrat e qeverisë -tjetër herë kur të sajoni parashikimet për "Punët për Shqipërinë" shmangni me çdo kusht përsërirjen e numrit pesë. Dilni një orë e më parë nga modaliteti i mbetësit në klasë, që kënaqet vëtëm me pesën .Përdorni numrat të tjerë e zero shtoni sa të doni .
Prej numrit pesë, ëndrra e fondit iku me gjithë shpresat për t'u pasuruar.
Na mbeti si gjithmonë Sovrani me lugën bosh !

Të fundit