Flash News

KRYESORE

Europa pa Britaninë e Madhe

Europa pa Britaninë e Madhe

Ana Otasheviç/ gazeta Danas

Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian më në fund nënshkruan marrëveshjen mbi divorcin pas katër vitesh e gjysëm bisedimesh të mundimshme të cilat disa herë u vunë në pikëpyetje. Pas Brexit-it, Bashkimi Europian ballafaqohet me një krizë identiteti që e detyron të rishikojë vetë bazat e kësaj bashkësie. Largimi me marrëveshje i britanikëve doli se ishte diçka e mundur, por gjithsesi i dha një goditje të fortë forcimit të Unionit.

Deri me 24 dhjetor dukej se Britania e madhe do ta braktiste BE-në pa marrëveshje. Londra gjatë gjithë kohës e ashpërsoi pozicionin e saj, nga Brexit-i i butë deri te ndarja e plotë. Marrëveshja u arrit në momentin e fundit; Britania e Madhe largohet nga tregu i përbashkët ekonomik dhe doganor me 31 dhjetor. Kryeministri britanik Boris Xhonson ngriti gishtat lart duke lajmëruar se më në fund ishte arritur “deal-i“. Presidentja e Komisionit Europian Ursula fon der Lajen, përshëndeti në mënyrë diplomatike “marrëveshjen e mirë, të balancuar dhe të drejtë“ dhe nënvizoi se Britania e Madhe mbetet “partner i besueshëm“, me dëshirën që “Brexit më në fund të mbetet pas nesh“. Dialoguesi kryesor i Bashkimit Europian, Mishel Barnije, e përjetoi me “lehtësim“, krahas njëfarë “trishtimi të butë“, fundin e misionit të tij.

Loja e pokerit mes Londrës dhe Brukselit vazhdoi deri në fund. Në BE është bërë zakon të thuhet se bisedimet vazhduan deri në momentin e fundit, në mënyrë të veçantë ato për buxhetin, gjë që politikanët e shfrytëzojnë t’ua paraqesin bashkëkombasve të tyre si luftë deri në momentin e fundit. Kështu ishte puna edhe në rastin e këtyre bisedimeve- xhek poti u ngrit gjatë gjithë kohës në mënyrë që lëshimet të beheshin pikërisht në fund të lojës.

Me apo pa marrëveshje

Gjithçka filloi me 23 qershor 2016, kur 51,9% e britanikëve votuan në referendum për “dalje” nga BE, gjë që shkaktoi dorëheqjen e kryeministrit britanik David Kamerun i cili ishte për “qëndrimin”. E zëvendësoi Theresa May, e cila ishte kundër zgjidhjeve gjysmake dhe statusit të “antarit të përbashkuar” te Bashkimit Europian. “Brexit do të thotë Brexit”- deklaroi ajo me 17 janar 2017. Në mars të po atij viti ajo inicioi procesin e bisedimeve, duke i’u drejtuar nenit 50 të Marrëveshjes së Lisbonës që parashikon një periudhë prej dy vitesh për marrëveshje lidhur me kushtet për braktisjen e Bashkimit Europian. U përcaktua që data për Brexit-in konkret të ishte 29 marsi i vitit 2019. Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, përcaktoi dy drejtimet e bisedimeve: që Britania e Madhe të përmbushte detyrimet financiare ndaj Bashkimit Europian dhe të caktoheshin raportet e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit. Në dhjetor të atij viti u arrit marrëveshja në parim mbi kushtet e divorcit, ndërsa në muajin mars të vitit 2018 u caktua që periudha kalimtare të ishte dy vite. Theresa May ishte për Brexit të butë, gjë që zemëroi dy ministra nga radhët e konservatorëve, Boris Johnson-in (ministër i punëve të jashtme) dhe David Daivis-in (ministër për Brexit-in), të cilët dhanë dorëheqjen. “Ëndërra për Brexit-i ka vdekur, Britania e Madhe po ecën në drejtimin e një kolonie!”, deklaroi atëbotë Boris Johnson-i. Në muajin nëntor të po atij viti u arrit një marrëveshje e re mes Londrës dhe Brukselit, gjë që solli dorëheqjen e pasuesit të Dejvisit, Dominik Rabit, i cili ishte i pakënaqur me bisedimet që udhëhiqte Theresa May. Këtë marrëveshje e miratoi Bashkimi Europian në samitin e jashtëzakonshëm, por deputetët britanikë e refuzuan në janar të vitit 2019. Qeveria e lëkundur britanike kërkoi bisedime të reja me Brukselin, i cili refuzoi ta niste edhe njëherë atë proces. Dy muaj më vonë u caktua një datë e re për Brexit-in, 29 marsi, ose 12 prilli nëse deputetët britanikë nuk e votonin marrëveshjen. Ndërkohë Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik e hodhi poshtë marrëveshjen për të tretën herë dhe kësisoj data u zhvendos për me 31 tetor. Theresa Maj dha dorëheqjen pas zgjedhjeve europiane në muajin maj në të cilat fitoi “partia e Brexit-it” e Nigel Farage. Në vendin e saj në muajin korrik erdhi Boris Johnson i cili premtoi se Britania e Madhe do të dalë nga BE-ja “me apo pa marrëveshje”. Në muajin tetor të vitit 2019 Brukseli dhe Londra arritën përsëri marrëveshjen, por Boris Johnson-it i’u desh ta shtyjë Brexit-in për shkak të kufizimeve ligjore për datën 31 janar 2020. Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik më në fund e miratoi tekstin, gjë që bëri të mundur që Britania e Madhe, juridikisht dhe simbolikisht ta braktiste Unionin me 31 janar 2020. Deputetët e saj braktisën Parlamentin Europian të sapoformuar, pas së cilës u hap faza e dytë e bisedimeve, ajo mbi marrëdhëniet e ardhshme të Londrës dhe Brukselit dhe harmonizimi i më shumë se gjashtëqind marrëveshjeve. “Do të kemi konkurencën në derë”, paralajmëroi kancelarja gjermane Angela Merkel.

Peshkim në ujëra të turbullta

Dogana, peshkimi dhe rregullat tregtare ishin në qendër të bisedimeve. “Nuk do të ketë marrëveshje tregtare me britanikët nëse nuk arrihet marrëveshje për akses reciprok të peshkatarëve”, paralajmëroi dialoguesi i Bashkimit Europian Mishel Barnijé. Britania e Madhe refuzonte t’u linte akses peshkatarëve europianë në ujrat e saj territoriale të pasura me peshk, gjë që godiste më shumë peshkatarët francezë dhe hollandezë. Për fqinjët matanë Lamanshit kjo ishte e pakuptueshme: Britania ka gjithsej 12.000 peshkatarë që realizojnë një fitim vjetor më të vogël se si i qendës tregtare Harolds në Londër.

Të dyja palët nuk mundën të merreshin vesh as për mekanizmin e zgjidhjes së konflikteve të mundshme në të ardhmen, sepse Londra nuk e njeh autoritetin e Gjykatës europiane të drejtësisë. Ndarje pati edhe kur bëhej fjalë për rregullat e konkurencës. Europianët pranuan që t’i çlironin nga taksat doganore prodhimet britanike me kusht që britanikët të respektojnë normat sociale, tatimore dhe shëndetësore të Bashkimit Europian, si dhe rregullat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit. Britanikët nuk ishin të kënaqur me këtë sepse nuk duan t’u nënshtrohen rregullave të Unionit, gjë që në fund të fundit, është edhe vetë kuptimi i Brexit-it.

Bisedimet nuk dhanë rezultate për muaj të tërë. Londra akuzoi Brukselin se po ofronte marrëveshje më të keqe nga ajo që kishte lidhur me parë me vendet e tjera. Britanikët nuk dëshirojnë asgjë më shumë sesa një marrëveshje mbi shkëmbimin tregtar, të ngjashme me atë që BE-ja ka me Kanadanë. Pa këtë marrëveshje zbatohen rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë që nënkuptojnë tarifa të mëdha doganore. Johnson-i deklaroi në muajin tetor se “Britania e Madhe duhet të përgatitet për mossuksesin e bisedimeve”. Në një darkë me Ursula fon der Lajenin u ra dakord që vendimi duhej marrë deri me 13 dhjetor. Njëmbëdhjetë ditë pas mbarimit të këtij afati, me 24 dhjetor 2020, të dyja palët lajmëruan se kishin arritur një marrëveshje.

Kjo u bë e mundur sepse ndodhën disa ndryshme në ekipin rreth Boris Johnson-it, me largimin e  pasuesve të vijës së ashpër që nuk ishin për kompromis. Ky ndryshim ndodhi disa ditë pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të cilat fituan demokratët, gjë që ndikoi në ecurinë e bisedimeve. Sikur të kishte fituar Trampi linja e ashpër do të kishte marrë përparësi. Presidenti i ri amerikan Joe Biden, gjatë fushatës elektorale i dërgoi mesazhe kryeministrit britanik: për të mos ngritur një kufi të ri me Irlandën dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë për të nënshkruar marrëveshjen për tregtinë e lirë me Britaninë e Madhe përderisa ajo të mos dalë nga kriza dhe t’i kthehet konkurencës. Biden-i e porositi Johnson-in se për atë është e papranueshme ndarja me BE-në pa marrëveshje.

Në përmbyllje Londra hoqi dorë nga disa kushte që i kishte vënë vetë.

Marrëveshja mban shtëpinë në këmbë

Marrëveshja prej 1.500 faqesh, u arrit pas një viti e gjysëm bisedimesh, kryeministri britanik e cilësoi atë si “një bazë e re për miqësi (mes Londrës dhe Brukselit)”. Nenet më të rëndësishme të marrëveshjes kanë të bëjnë me shkëmbimet tregtare, doganat, peshkimin, aksesin në tregun e punës, shkëmbimet e studentëve.

Lënda kryesore e marrëveshjes është shkëmbimi tregtar mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe që arrin vlerën prej 700 miliard euro në vit. Londra dhe Brukseli kanë rënë dakord të mos ketë as tarifa doganore dhe as kuota. Dallimi qëndron  në faktin se pas 1 janarit 2021, malli që kalon La Manshin vetëm duhet të lajmërohet në doganë, qoftë për eksportet qoftë për importet. Kjo do të thotë se doganat që janë pas hequr në vitin 1993, tanimë janë kthyer. Marrëveshje të njejtë Bashkimi Europian ka me Kanadanë dhe Korenë e Jugut.

Lëshimi kryesor i Boris Johnson-it është ai në fushën që rregullon normat e konkurencës. Të dyja palët kanë marrë detyrimin se do t’i përmbahen normave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, luftën kundër ndryshimeve klimatike, të drejtat sociale, transparencën fiskale dhe ndihmën shtetërore. Kjo kërkesë e Bashkimit Europian ka qëllim të pengojë britanikët të bëhen konkurentë joluajalë në fushën e të drejtave sociale dhe mjedisit. Brukseli është dashur të heqë dorë nga kërkesa që Londra të miratojë automatikisht ndryshimet në këto fusha sa herë që voton për to Parlamenti Europian. Nëse ndërkohë dallimet bëhen tejet të mëdha, njëra palë mund të imponojë tarifa doganore në shenjë hakmarrjeje. Këtë masë Boris Johnson-i e komentoi në mënyrën tipike britanike: “Synojmë të përmirësojmë standardet që kanë të bëjnë me mirëqenien e kafshëve, në mënyrë të veçantë kur vjen puna te mbarështimi i derrave. Në rrethana që janë pak të mundshme mund të vendosim tarifa doganore ndaj sallameve (europiane)”.

Marrëveshja parashikon edhe kuota më të ulëta për peshkimin europian- kjo masë është simbolike nëse krahasohet fitimi nga peshkimi që është 650 milion euro, ndaj 700 miliard eurove që është shkëmbimi tregtar vjetor. Europianët në këtë rast bënë lëshime; do të duhet të heqin dorë nga 25% e kuotës për peshkimin, gjë që është shumë më pak se 60% që kishin kërkuar britanikët. “Nuk ka kufizime (për peshkimin që mund të realizojnë peshkatarët britanikë). Për herë të parë që nga viti 1973, do të jemi komb i pavarur bregdetar”, u mburr kryeministri britanik.

As financat dhe as shërbimet nuk janë pjesë e marrëveshjes mbi shkëmbimin e lirë. Qendra financiare e Europës, London City, që nga 1 janari nuk do të mund të shesë më prodhime financiare në mbarë Bashkimin Europian. Kjo i detyron bankat e mëdha dhe fondet financuese me seli në Londër të hapin filiale në mbarë Bashkimin Europian. Institucionet financiare transferohen në Dublin, Frankfurt, Luksemburg dhe Paris, me kufizimin e maksimumit dhjetë mijë të punësuar.

Marrëveshja sjell edhe ndërprerjen e fluksit të lirë të njerëzve mes kontinentit dhe ishullit, gjë që është ndryshim i madh. Europianët që do të duan të punojnë në Britaninë e Madhe në të ardhmen do të duhet të kërkojnë leje për punë dhe vizën përkatëse. Leja e punës fitohet nëse paraqitet oferta për punë me një pagë më së paku 29.500 euro në vit. Shumë europianë të rinj që shkojnë në Britaninë e Madhe, dhe jetojnë atje me të ardhurat që fitojnë nga punët e rastit, nuk do të mund t’i hyjnë më kësaj aventure, si dhe britanikët që jetojnë në Bashkimin Europian, megjithëse e ruajnë të drejtën për banim dhe punë.

Marrëveshja parashikon edhe që Britania e Madhe të dalë nga programi Erasmus, megjithëse është e katërta për shkëmbimin e studentëve në kuadër të këtij programi. Është disi i pazakontë që Serbia, Turqia apo Zvicra bëjnë pjesë në kuadrin e Erasmusit ndërsa Britania e Madhe nuk është më. Johnson-i shpjegoi se problemi është te paratë- ka shumë më tepër studentë europianë që duan të studiojnë në Britaninë e Madhe sesa anasjelltas, gjë që, sikurse thotë ai, e paguan qeveria e tij. Në vend të Erasmusit do të mendohet një program i ri për studentët britanikë që duan të shkollohen jashtë vendit. Studentët nga vendet e BE-së që nga viti i ardhshëm do të jenë të huaj në universitetet britanike, gjë që do të thotë se shpenzimet për regjistrimin do të rriten shumë për ta, mesatarisht dyfish (tani janë rreth dhjetë mijë euro, njëlloj si edhe për britanikët). Qeveria e Skocisë, e cila është kundër Brexit-it, ka deklaruar se vendimi për heqjen e Erasmusit është “goditje e rëndë” për studentët e saj dhe paralajmëron se do të gjejë zgjidhje të tjera. “Brexit-i është kundër vullnetit të popullit skocez”, tha kryeministrja skoceze Nicole Sturgeon e cila shpreson se vitin e ardhshëm në Skoci do të organizohet referendum mbi pavarësinë nga Britania e Madhe dhe se Skocia do të bëhet “komb i pavarur europian”.

Me marrëveshje është parashikuar që as Bashkimi Europian dhe as Britania e Madhe të mos kërkojnë viza turistike, por britanikët do të jenë të detyruar të kenë leje ndërkombëtare qarkullimi për automjetet sepse ato britaniket nuk do të vlejnë më, si dhe siguracion shëndetësor të veçantë dhe leje për kafshët shtëpiake.

Humbës dhe fitues

Marrëveshja nuk do të sjellë përfitim për asnjërën palë, sepse, sikurse ndodh në çdo divorc, të dyja palët dalin nga ai më të varfra. Gjysma e ekonomisë britanike do të varet nga shkëmbimet me Bashkimin Europian; me rikthimin e doganave Britania e Madhe, sipas disa vlerësimeve, do të humbasë katër pikë të Prodhimit të Brendshëm Bruto në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

Do të kenë humbje gjithashtu edhe peshkatarët francezë dhe ata hollandezë, studentët britanikë dhe europianë, prodhuesit gjermanë të automobilëve, auto-transportuesit dhe e tërë ekonomia irlandeze. Shkaku i Brexit-it është të diferencat në politikë dhe kuptimi i ndryshëm mbi sovranitetin- te britanikët ky është sovraniteti kombëtar, ndërsa ideja e Bashkimit Europian bazohet në sovranitetin që “bashkon forcat e secilit prej antarëve”, sipas fjalëve të Ursula fon der Lajenit, në mënyrë që të jenë të barabartë me “divat” e tjerë si Kina, Shtetet e Baskuara, dhe shumë shpejt, edhe India e Afrika.

Bashkimi Europian që nga lindja e tij ka qenë terren integrimi: shtetet janë antarësuar në të pak a shumë me entuziazëm, por gjithsesi me bindjen se po ndjekin rrjedhën e historisë.

Pas Brexit-it Bashkimi Europian ballafaqohet me krizën e identitetit që e detyron të rishikojë vetë bazat e bashkësisë. Largimi me marrëveshje i britanikëve, që treguan se një gjë e tillë është e mundur, i ka dhënë një goditje të rëndë forcimit të Unionit. Bashkimi Europian po pyet veten nëse është një xhind tregtar, perandori e tipit të vjetër apo grumbllim kombesh, nëse është Shtetet e Bashkuara të Europës apo Kombet e Bashkuara të Europës.

Largimi i britanikëve nuk është lajm i mirë për për Bashkimin Europian, por ama është një shans i mirë për t’u reformuar.


*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit