OP-ED

Tërmeti 3.0

Tërmeti 3.0

Alfred Lela

 

Në fjalorin politik të viteve të fundit fjala ‘tërmet’ ka hyrë në disa forma. Më piktoreskja ndër to i përket Tërmet Peçit të Tepelenës, dhe më politikja, ish-ministrit Damian Gjiknuri kur përshkruante entuziazmin për rezultatin e zgjedhjeve në Dibër.

Tërmeti i vërtetë erdhi më 26 nëntor të vitit të shkuar dhe i fshiu të gjithë ‘tërmetët’ e tjerë. 51 të vdekur dhe mijra të pastrehë, është një bilanc ngjethës për një vend si yni, ku pamundësive ekonomike i bashkohet edhe varfëria e politikave publike, shërbimeve sociale, e me radhë.

Dje tërmeti mbushi 1 vjeç dhe të ikurit e tij nuk janë harruar ende, por vetëm nga më të afërmit. Të mbeturit, sidomos ata pa strehë, nuk e kanë harruar, gjithashtu 26 nëntorin dhe çfarë humbën në të. Pjesa tjetër, që i kundron ngjarjet në TV dhe i poston revoltat në Facebook, është, si gjithmonë, spektatore e gjithçkasë.

Lëkundjet pasuese kanë zënë vend mes opozitës dhe qeverisë. Kjo e fundit ka ngritur një Komitet Rindërtimi, por nuk e ka ulur ende perden e premtimeve, kryesisht të papërmbushura. Flegrat e çadrave vazhdojnë të hapen edhe këtë dimër, i ftohti i të cilit po shton shpejtësi nga nata në natë. Kryeministri është vënë në drejtim të përpjekjes për rindërtim duke marrë drejtimin elektoral të qarkut më të prekur, Durrësit, por a mjafton kaq?

Dëshmitë vijnë nga të katër anët për keqmenaxhim, moskompetencë, korrupsion, pandjeshmëri. Po kaq këmbëngulës është menaxhimi i piarit të tërmetit. Një familje e strehuar kumbon mediatikisht sa një mijë; një bluzë e Ronaldos për një jetim sa sigurimi i sistemeve të ngrohjes për shtëpitë e të gjithë fëmijëve. Pako me ushqime ndërrojnë duar, por nuk zgjidhin hallin e atyre që i merr, por të atij që i jep.

Qëllon që një vjetori i tërmetit të përkujtohet në të njëjtën ditë me Festën e Falenderimeve në Amerikë. E enjtja e fundit e çdo nëntori atje, është shenjë e një darke bujare dhe falenderimesh mes kolonëve europiane dhe indianëve të Amerikës.

Po ‘indianët’ tanë nëpër çadra, kujt dhe për çfarë duhet të jenë falenderues këtë 26 nëntor?

*Editoriali i emisionit PolitikON në RTVOra, e enjte 26 nëntor 2020.

Ditari politik

Të fundit