Flash News

OP-ED

Kur me çdo gjë bëhet tregti, në fund fiton vdekja

Kur me çdo gjë bëhet tregti, në fund fiton vdekja

Alfred Lela

Në një gjykatë të lartë të Republikës, pak pas mesdite, ditën e parë të javës, në mes të kryeqytetit, një shqiptar, me siguri i dëshpëruar në pafuqinë e vet, vendos të marrë fuqi nga arma, dhe të zgjidhë atë që nuk ia zgjidh shteti, gjykata dhe as vetë Zoti.

Ai dorëzohet dhe ky akt shënon edhe fundin e jetës për një gjyqtar.

Dorëzimi nuk është i tij, por i të gjithëve nga pak.

Do të vijojë kështu, sa kohë që gjyqtarët, kriminelët, të shpronësuarit, të pamundurit, të shfrytëzuarit, të dorëzuarit, deputetët, narkotrafikantët, politikanët, portal-gazetarët, lëvizin në një labirint ku nuk ka kufij ndarës, nuk ka rregulla, por vetëm kurthe.

Kush është më i shkathëti më p…some, t’ia futur tjetrit dhe fituar diçka, mundësisht të gjithën.

Sot ndesheshe në media me fragmente bisedash të zbardhura nga SkyECC, ku vëllai i një deputeti të sapozgjedhur të qeverisë kuvendonte me vrasës. Deputeti në fjalë është shkrimtar dhe, para se këto biseda u zbardhën, dikush mund të ketë thonë: ore, bravo i qoftë këtij Ramës, merr shkrimtarët, i bën deputetë!

Tjetërkund paska qenë shtysa, jo shkrimtaria.

Kjo pra është fshirja si me gomë e kufijve. Makthi ku nuk e mer vesh i pari të dytin, ku krimineli me deputetin ndahen vetëm nga targa në CV, sepse makinat me të njëjtën targë mund t’i ngasin herë njëri e herë tjetri, e herë të dy bashkë.

Pa këtë ndarje, sistemi, autoriteti, shteti, reputacioni, ikin të parët për dhjamë qeni. Mbetet kaosi dhe shpresa se nuk do të na kapë ndonjë plumb qorr, rikosheta e nisur për dikë, një bismilah i çdo nisjeje me lepur në bark nëpër mëngjeset e një atdheu distopik, në një shoqëri që nuk ka siguri, sepse kujdestarët e saj janë kthyer në tregtarë.

Me disa gjëra nuk bëhet tregti, dhe kur bëhet tregti me çdo gjë, edhe vetë jeta zhvlerësohet.

Kjo ndodhi sot në Gjykatën e Apelit.

Duhet risjellë edhe njëherë shëmbëlltyra e Krishtit: nxirrini tregtarët nga tempulli!

Të fundit