Flash News

OP-ED

Qeveria hije e Bajdenit dhe politika e jashtme amerikane

Qeveria hije e Bajdenit dhe politika e jashtme amerikane

Dragan Biseniç/ gazeta Danas


Zgjedhjet presidenciale në SHBA po hyjnë në një fazë përmbylljeje  të panjohur. Si njëri ashtu edhe tjetri kandidat kanë shanse dhe për pasojë që të dy janë të përgatitur ta kërkojnë të drejtën edhe në gjykatë nëse është e nevojshme.

Presidenti Tramp pohon se SHBA-të do të shndërrohen në Venezuelë nëse fiton Bajdeni. Përveç kësaj ai paralajmëroi se në këtë rast ndoshta do t’i duhet të kërkojë azil jashtë shtetit.

Banka J.P. Morgan pohon se këto janë zgjedhjet më të paqëndrueshme në histori për shkak të përparësisë konstante të kandidatit demokrat, duke vlerësuar se Trampit i mbetet fare pak kohë për të bërë ndonjë përmbysje. Gjithashtu edhe lobistët kanë filluar të përgatiten për presidencën e Bajdenit. Ato po takohen gjithnjë e më shpesh me këshilltarin e Bajdenit për bashkësinë e biznesit Ret Batll. 

E përjavshmja britanike “Spektator” e quan Bajdenin dement dhe shtron pyetjen se kush do të qeverisë në vend të tij nëse ai fiton?

Javën e kaluar Bajdeni harroi emrin e senatorit Mit Romni, kandidatin e dikurshëm për president. Për herë të dytë këtë vit tha se është “demokrat krenar që po merr pjesë në zgjedhjet për Senat”, megjithëse fjala ishte për zgjedhjet presidenciale. E përjavshmja në fjalë konkludon se një njeriu të këtillë nuk mund t’i besohet “pozita e më të fuqishmit në planet”, sepse “qeverisja e botës së lirë nuk duhet të jetë aktivitet pensionistësh”, e për këtë nënvizon se është e vështirë se ai mund të jetë president edhe për një mandat të dytë, madje edhe nëse fiton kësaj here.

Pa marrë parasysh këto kritika, Bajdeni niset nga qëndrimi se bota nuk mund të organizohet vetvetiu. Kjo është ideja kyçe e artikullit që ai publikoi në janar të këtij viti në “Foreign Affairs”. Politika e jashtme që synon të bëjë Bajdeni ka si qëllim ta kthejë Amerikën në krye të tryezës. Shumica e pasuesve të tij, këshilltarëve, kolegëve nga ish administrata e Obamës besojnë se Bajdeni nuk ka për të ndryshuar në mënyrë radikale politikën e SHBA-ve, as ka për ta larguar nga era e fuqive të mëdha, as do të zvogëlojë buxhetin prej 700 miliard dollarësh. Por gjithsesi dëshiron të ndryshojë drejtimin dhe mënyrën në të cilën shpenzohen këto para.

Shtyllat e politikës së jashtme të Bajdenit mund të shënohen si 3D: Domestic, Deterrence dhe Democracy, nënvizon profesoresha e Princeton-it dhe ish drejtoresha për planifikim politik në Departamentin e Shtetit, An Mari Sloter.

“Ai do të kthejë nën mbulesën e globalizmit domosdoshmërinë për luftën kundër ndryshimeve klimaterike, pandemisë dhe kërcënimeve të tjera globale. Por SHBA-të do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të pranojnë garën e fuqive të mëdha dhe do të përqendrohet te Kina si rivali kryesor i tyre. Kjo do ta zëvendësojë politikën e jashtme të bazuar në vlera në një parim të bazuar te fuqia. Por nuk do t’i kthejë trupat ushhtarake nga Siria apo nga Afganistani dhe do të mbetet skpetik ndaj ndërhyrjes së huaj”, argumentoi Sloteri. 

Gjatë vitit të parë të mandatit të tij, Bajdeni ka paralajmëruar, dhe këtë e ka përsëritur disa herë, se do të organizojë një samit të madh për demokracinë. Ai do të kërkojë nga qeveritë që të angazhohen një aksione të reja në luftën për të drejtat e njeriut, kundër korrupsionit dhe regjimeve autoritare.

Kjo gjë, natyrisht që është një përmbysje e madhe në krahasim me praktikën e Trampit të fjalëve të bukura për atë të cilët krahu liberal i konsideron diktatorë dhe pushtetarë të korruptuar: Si Xhinpingun, Vladimir Putinin, Kim Jong Unin, Rexhep Taip Erdoganin, Mohamed bin Salmanin, Zhair Bolsonaron, Emiljano Duarten, Viktor Orbanin dhe të tjerë.

Këto ide dalin nga projekti i Princeton-it që u përmbyll para 12 vjetësh, në prag të mandatit të Obamës, pikërisht atë të cilin e pati udhëhequr An Mari Sloteri.

Në atë projekt, njëri prej opsioneve është edhe transformimi i OKB-së dhe shndërimi i këtij institucionin në Këshill të demokracive. Tani kjo ide shfaqet një një formë disi të ndryshuar, ndërsa në programin e Bajdenit e ka futur këshilltari kryesor i tij për politikën e jashtme, pesëdhjetë e tetë vjeçari Entoni Blinken. Si i diplomuar me talent i Harvardit Blinkeni që në vitin 1987, ka publikuar librin mbi marrdhëniet e SHBA-ve, Europës dhe naftësjellësve rusë të titulluar: “Ally Versus Ally: America, Europe and the Siberian Pipeline Crisis”.

Karrierën e ka nisur në Këshillin për Sigurinë kombëtare dhe që nga viti 1994 deri në vitin 1998 ka qenë ndihmësi i veçantë i Klintonit dhe drejtor i përgjithshëm për planifikim strategjik. Që nga viti 1999 deri në vitin 2001, ka qënë këshilltar special i Klintonit për Europën dhe Kanadanë.

Kjo është koha kur dominonte konflikti në Bosnjë, e pastaj në Kosovë, kohë pra kyçe për hartimin e qëndrimeve për rajonin tonë. Në kohën që Bajdeni ka qënë kryetar i Komisionit për politikë të jastme, Blinkeni ishte bashkëpuntori i tij kryesor.

Meqenëse Obama ishte antar i të njëjtit komision, kur pati kandiduar për president, mori Bajdenin si zëvendëspresident, ndërsa Blinkeni u emërua bashkëpuntor i lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë. Në mandatin e parë të Obamës ishte zëvendës i Sekretarit të shtetit, ndërsa në të dytin këshilltar për Sigurinë Kombëtare.

Në të dy këta role u soll me entuziazëm të veçantë ndaj pavarësisë së Kosovës, gjë që në njëfarë mënyre ishte vetëm vazhdim i asaj që pati bërë në Këshillin për Politikë të jashtme të Bajdenit, ku përgatiti ose kishte nën kontroll materialet dhe seancat që mbështetën pavarësinë e Kosovës. Mbështeti antarësimin e Kosovës në UNESCO, pjesëmarrjen e saj në Olimpiadën e vitit 2016, dhe u takua shpesh me zyrtarë të lartë të Kosovës, që nga Hashim Thaçi deri te Isa Mustafa.

Blinkeni, në muajin shtator të vitit 2016 u takua me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiçin, pikërisht menjëherë pas vizitës së Bajdenit në Beograd. Atëbotë tha se për SHBA-të, marrëdhëniet e mira me Serbinë, “si vendi kyç në rajon, janë shumë të rëndësishme” dhe mbështeti reformat që po kryheshin. Theksoi edhe rëndësinë e “rrugës europiane” të Serbisë e cila duhet të “përshpejtojë përparimin e tërë rajonit”. Në fund përcolli përshëndetjet e zëvendëspresidentit Bajden dhe kënaqësinë e tij të veçantë për vizitën në Beograd.

Kur në muajin shkurt të këtij viti mbështeti Bajdenin si kandidat demokrat, e bëri këtë akt duke shpjeguar se “Bajdeni ka udhëhequr Kongresin në këmbënguljen për të ndaluar spastrimin etnik dhe genocidin në Bosnjë e Hercegovinë”. Për këtë, ka shumë mundësi që deklarimi i para pak kohëve i Bajdenit mbi Bosnjën dhe Kosovën lidhet me këtë ide. 

Krahas Blinkenit, i cili ka mundësi të jetë Sekretari i Shtetit, në postet e tjera kryesore mund të gjenden Xhon Sallivën, në postin e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare me fokus Kinën, ndërsa Mishelë Flornoj është kandidatja kryesore për Sekretare e Mbrojtjes.

Mendohet se Bajdeni, i cili prej një kohe të gjatë mbështet angazhimin amerikan në Europë, do të jetë një prej presidentëve amerikanë më proeuropianë në këto dhjetëvjeçarët e fundit. Ai ka shkruar se e sheh BE-në si “partnerin e parë dhe të pazëvendësueshëm” dhe ka marrë angazhimin se “do të punojë më shumë me aleatët”

Megjithëse rivendosja e besimit te udhëheqja amerikane do të zgjasë  duke patur parasysh mosprirjen e udhëheqjes së Trampit, administrata e re e Bajdenit ndoshta në fillim nuk do të mund të bëjë shumë për të fituar besimin e Europës, megjithëse në Europë ka edhe prej atyre që mendojnë ndryshe.

E përditshmja gjermane “Die Welt” në fillim të këtij muaji publikoi një analizë të gjatë në të cilën pohon se Pax Americana po zhduket dhe nuk ka më se çfarë të ofrojë. “Duhet ta marrim në konsideratë Perandorinë e Shenjtë Romake dhe rolin e saj në formimin e Europës”, propozon si model të ri e përditëshmja në fjalë.

Madje edhe në fusha ku mendohet se Bajdeni do të ketë më shumë kontinuitet sesa ndryshme, diplomatët europianë vazhdojnë të besojnë se marrëdhëniet me Uashingtonin do të bëhen më konstruktive sesa ç’kanë qenë në kohën e Trampit.

Një prej fushave të tilla kryesore është Kina në të të cilën europianët janë  të vetëdijshëm për ndryshimin e predispozicionit dypartiak në Uashington këto vitet e fundit.

Edhe përkundër kësaj, ka ende pritmëri se administrata e re do të jetë më pak e ideologjizuar në qëndrimin e saj ndaj Kinës dhe më e gatshme të punojë sëbashku me partnerët.

Gjithashtu pritet që Bajdeni do ta angazhojë Pekinin për çështje të tilla siç janë klima dhe shëndeti publik, qëndrim që i shkon plotësisht për shtat BE-së, e cila e konsideron Kinën si rival sistematik, konkurent dhe partner.

Mbështetësit e Bajdenit si dhe disa kundërshtarë historikë të tij, si puna e ish Sekretarit të Mbrojtjes Bob Gejts, këtë muaj, i kanë bërë thirrje kandidatit demokrat që ta demilitarizojë edhe më tej politikën e jashtme dhe të ofrojë kthim në idetë e Luftës së Ftohtë në mënyrë që Amerika, të rifitojë ndikimin drejtues global në botë. Sepse Kina po e mund Amerikën në betejën për ndikim global, nënvizojnë ata.

Me sa duket kjo i referohet veçanërisht marrdhënieve me Rusinë, ndaj së cilës ekzistojnë këndvështrimet më të papërcaktuara dhe më të parregulluara të ekipit të Bajdenit. Në muajin maj të këtij viti, 103 ekspertë të politikës së jashtme nënshkruan një letër në të cilën kërkohet përmbysje në marrëdhëniet me Rusinë. Letrën e nënshkruan ekspertë me eksperiencë të madhe nga fusha e diplomacisë dhe e sigurisë në kohën e Luftës së Ftohtë, si ambasadori Tomas Pikering, Tomas Kantrimen, Xhon Hantsman, Tomas Grejem, Xhorxh Shulc, Uiljam Perri, Ernest Monica, Sem Nuns, Geri Hart, Xhon Meklaflin, Grejem Elison, Çarls Bojds, Xhozef Najs... këtu është edhe ish ambasadori në Beograd, Riçard Majls, Jan Bremer, Edmund Braun, Çarls Kapçan, Viljam Lurs, Xhon Mirshajmer, Mark Medish, Alen Mastard, Majkell Openhajmer, Viljam Poter, Metju Rojanski, Stefan Volt, Donald Zagoria...

Ata vlerësojnë se “marrëdhëniet amerikano-ruse kanë vdekur” dhe se një gjë e tillë është kërcënim për interesat kombëtare amerikane. Për këtë ata kanë ofruar gjashtë receta të gjera për një model të ri marrëdhëniesh me Rusinë. Ajo që është më interesantja, kur bëhet fjalë për marrdhëniet me Rusinë, është kthimi në modelin e Luftës së Ftohtë. “Qëndrimi ynë strategjik duhet të jetë ajo që na ka pas shërbyer mirë gjatë Luftës së Ftohtë: përkushtim i ekulibruar, frenim dhe detantë”, nënvizohet në këtë letër. Në përputhje me këtë është rinovuar ideja se SHBA-të dhe Rusia duhet  të jenë dy fuqitë më të përgjegjshme për armatimin bërthamor në botë.

“Imperativ i rinovimit të udhëheqjes amerikano-ruse në  botën bërthamore janë bërë teknologjitë e rrezikshme destabilizuese, ndryshimi i qëndrimit ndaj përdorimit të armëve bërthamore, lënia mënjanë e marrveshjeve bërthamore dhe marrdhëniet e reja bërthamore të mbushura me tensione”, pohojnë autorët e letrës.

Ata propozojnë që sanksionet të përdoren me arsye, dhe jo të grumbullohen kot dhe pa një qëllim të caktuar, që kontaktet diplomatike të bëhen të rregullta, pa marrë parasysh konfliktin e interesave në disa rajone të veçanta të botës.

Kjo linjë armiqësimi shkon nga Deti Balltik deri në Detin e Zi. “Duhet të sillemi me Rusinë asntu siç ajo është, jo ashtu siç do ta dëshironim, duke shfrytëzuar plotësisht forcat e saj, por edhe hapjen për diplomaci”, konkludojnë autorët e letrës.

Ndryshimet më drastike priten në politikën ndaj Lindjes së Afërt, ku diplomatët izrealitë frikësohen se Bajdeni do të frenojë çdo potencial ekzistues për përparim të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Bajdeni dhe këshilltarët e tij kanë nënvizuar me vendosmëri se ata  duan të përmbysin të gjithë aspektet e politikës së deritanishme në Lindjen e Afërt.

An Mari Sloter, të cilën Xho Sallivën e pati zëvendësuar në postin e drejtorit për planifikim politik, pohon se politika e jashtme amerikane “do të ndryshojë në mënyrë dramatike në stil, por përsa i përket veprimit, në thelb, jo tërësisht”. 

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Ditari politik

Të fundit