Operacioni i madh Shqipëri-Itali, kreu i SPAK: Do hetojmë zyrtarët shqiptare që favorizuan grupin kriminal

Kreu i SPAK, Arben Kraja ka paralajmëruar se pas goditjes së një organizate kriminale shqiptaro-italiane (37 persona të arrestuar ) do të vijohet me hetimet edhe për personat përgjegjës që i favorizuan në trafikun ndërkombëtar në radhët e autoriteteve shtetërore.

Gjatë një konference të përbashkët online me kreun e anti-mafias italiane, De Raho, prokurorin e Barit, Policinë e Shtetit, Kraja tha se në këtë megaoperacion ka patur edhe një risi, që veç arrestimeve janë kryer edhe sekuestro të pasurive të trafikantëve të vëna përmes krimit.

“E reja në këtë hetim është se nuk jemi kufizuar vetëm në arrestimin e trafikantëve, por kemi ngritur edhe akuzë për pastrim të produktit të veprës penale dhe sekuestron e produkteve me një vlerë të konsiderueshme.

Po ashtu, do hetojmë deri në detaje për përgjegjësit ligjorë të autoriteteve që kanë lejuar dhe favorizuar ndodhjen e këtij aktiviteti kriminal, kushdo që rezulton i i përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe do dërgohet para gjyqit”, tha Kraja.

Nga ana tjetër, kreu i anti-mafias italiane, Federico Cafiero de Raho e cilësoi këtë operacion si një ndër më të mëdhenjtë që kanë goditur grupet shqiptaro-italiane , kurse Prokurori i Barit tha se grupet kriminale në Shqipëri përdorin kufijtë bregdetar në jug për të transportuar sasitë e drogës në anën tjetër.