Flash News

OPINEWS

Fjalimi më i mirë i së enjtes parlamentare

Fjalimi më i mirë i së enjtes parlamentare

Agron Gjekmarkaj

Politika jonë e jashtme në fakt është e brendshme dhe ajo e brendshmja nuk u bë kurrë e jashtme.

Në gjuhën e saj të trashur si salep nga moskonsiderimi, ajo di vetëm të thotë "Dobro jutro e buona sera, dobroveçe e kalimera, good mornig e akshamllar habituni, ju o shqiptar".

Që kur u bë shteti ynë, i vogël, i gjymtuar nga copëtimi, një kompleks provincial prej të cilit nuk ndahemi dot, erdhi vetëm duke u harlisur si kungulli në bahçe. Ai i udhëheqësve të saj shpesh, gjakatarë, dordolecë e matrahula, për t`u bërë kinse ‘fanar ndriçues’, magjepsës aq sa i lënë pa frymë të huajt, me dije e sharm, me tollume e qillota, me citime e fjalë të kota.

Tepër të gjatë e madhoshë për t’u larë në përroskën e vogël me ujë të ndenjur, të atdheut, lundrojnë në detet e diplomacisë botërorë.

Në pamundësi për t`i ndërruar imazhin një shteti të përzhitur nga historia, korrupsioni e banaliteti, vënë shtetin në dispozicion të imazhit personal për t`u kthyer në vatan të rruar e të qethur, allafrënga, me fotografi, gazeta e intervista që i madh e i vogël të mbajë frymën e të ndryshojë rrymën.

Në vend që të bëjnë markë shalqinjtë e Torovicës, mollët e Dibrës e të Korçës, djathin e Gjirokastrës e domatet e Lushnjës, fiqtë e qeverisë duan të shndërrohen vetë në markë, në brendy, në trendy, vasalë andej e bimbashë arrogantë këtej, gaztorë matanë e të murrëtyer në këtë anë.

“Zero, zero, zero probleme me fqinjët”, u tha dikur me piskamë e zenit. Ja ku jemi te zerimi i problematikës me Greqinë. Kemi hequr dore nga paketa e problemeve, nga trajtimi i tyre pasi ju tregoi i madhi, se si Athina fliste shqip e më pas Gjergj Dushmani kapedani e shpëtoi atë nga jatagani e gazepi i flakëve.

Më pas gjithçka u zgjidh në mënyre të njëanshme, çdo gjë siç e duan ata. Çështja e detit u stis e u bitis qe ne të dukeshim interesantë në konfliktin turko-grek, kur në fakt u gjendem mes dy kuajve që ndeshen në lëmë e morëm shkelma pa fund. Presim mëshirën e Dendiasit apo Micotaqit për të marrë vesh ndonjë lajm apo vazhdimin e çështjes se këtu është mbajt sekret gjithë ai ibret.

Kot shkuan edhe bisedat pleqërishte të Ditmirit me Kociasin e buzëqeshur e babaxhan ndanë zjarrit si jaranë.

Ulja ne dukje e retorikes midis dy vendeve është shoqëruar me tërheqje, me lëshime ndaj dramës çame dhe me braktisje ndaj halleve e kërkesave të emigrantëve.

Harresa ndaj ligjit të luftës u pa si e vetmja rrugëdalje nga premtimet e shumta për heqjen e tij, por ai rri ende i shkruar si monument turpi e kërcënim i së shkuarës.

Një fenomen po spikat prej disa vitesh, po rritet si shtogu në plehun e mediokritetit dhe vetëmburrjes.

Personalizimi i marrëdhënieve dy palëshe me shtetet, shoqëruar me mungesën e memorizimit dhe informacionit zyrtar nga institucionet përkatëse.

Një rendje, një turravrap për të hequr dorë nga angazhimi shumëpalësh në rajon nëpërmjet nismave rajonale, si CEFTA, etj, duke u zëvendësuar me Open Balkan, objekt konflikti me Kosovën dhe vendet e tjera fqinjë ka marrë trajtë të plotë. Druzhe Vuçiçi është bë vlla e Albin Kurti komshi.

Një mungesë transparence se si bëhet politika e jashtme na shfaqet në çdo kërkim.

Pa një konsultë paraprake hartohen dhe firmosen marrëveshje mes shtetesh pa marrje mendimi të institucioneve. 

Për me tepër opozita e opinioni publik anashkalohen, a thua se janë tendera rrugësh apo tendera sekret ilaçesh.

Diplomacia merret me kurimin e brendy-t, imazhit të KM dhe aspak me zbatimin e një politike të jashtme aktive. 

Prej vitesh, shumicës së ambasadorëve u ka kaluar mandati në detyrë dhe askush nuk kujtohet për t`i ndërruar.

Vlerësimi që ka pushteti për ta është si për një tufë azilantësh diplomatikë, për të cilët ne paguajmë taksa dhe qeveria i përdor si mazhordom lepe -peqe, në udhëtimet e saj enigmatike, ekzotike dhe aspak ekonomike.

Amabasada e zulluve në Paris të jetë shkruar për ne???

Në Vatikan, në një shtet kaq të rëndësishëm në diplomacinë botërore, prej 8 vitesh nuk kemi ambasador dhe kjo është mosvlerësim, fyerje për kontributin historik qysh nga koha e Skënderbeut, që ky vend ka dhënë për ne. Jemi në kufijtë e atentatit ndaj interesave kombëtare.

Marrdhëniet ndërkombëtare prej kohësh, janë monopol i KM i cili gjithë politikën e tij të jashtme e bazon tek e ashtuquajtura diplomaci personale. Kjo ka bërë që aksi i marrdhënieve tona tradicionale me fqinjët të lëkundet dhe të krijojë trazime.

Fjala vjen, KM ynë, duke lënë në hije MPJ prej disa vitesh ka vendosur një standard marrëdhëniesh dypalëshe me Serbinë, të cilat kanë tejkaluar jo rrallë marrëdhëniet tona me Greqinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, së fundi edhe Kosovën.

Prej se KM u bë kryediplomat, prej se edhe ligji për shërbimin e jashtëm ndryshoi për `i dhënë atij gjitha kompetencat, askush nuk ka mekanizmat dhe mundësinë për të bërë një bilanc të politikës sonë të jashtme.

Kjo qeveri ka problem transparencën dhe për këtë mjafton të shikosh arkivin e mjerë të njoftimeve që nuk thonë asgjë për marrëveshjet që nënshkruhen. Për të mësuar mbi to, ndonjëherë duhet të shohësh faqet zyrtare të ministrive të fqinjëve.

Kostoja e interesit kombëtar dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është shumë më e lartë se çdo tendër e koncesion që jep kjo qeveri.

Unë mendoj se ka ardhur koha që jo vetëm ne si parlamentarë, por gjithë shoqëria t`i kërkojë një bilanc politikes sonë të jashtme për efektshmërinë e saj në marrëdhënie me fqinjët dhe partnerët tanë.

Politika e jashtme e Shqipërisë ka nevojë të rikthehet në shinat institucionale dhe të ketë llogaridhënie e transparencë për hapa që bëhen në emër të vendit tonë.

Me këtë rast, duke i falenderuar diplomatët tanë që nuk u bënë pengesë për bazën e Kuçovës si dhe duke i uruar suksese misionit tonë në OKB në përmbushje të mandatit si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, do kërkoja më shumë seriozitet dhe përkushtim në mbështetje të Kosovës.

Në fund, siç e do zakoni, ju përshëndes të gjithëve me vargjet Konicës:

 "Se kanë dalë ca zuzarë/ që u lindën shqipëtarë/e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë/është turp prej kësi krimbash/ të mundohet një komb trimash”.

 

Të fundit