Flash News

OPINEWS

Kumanova nuk duhet të heshtet

Kumanova nuk duhet të heshtet

Nga Luçiano Boçi

Në një vend ku historia e dhimbjes dhe e ndarjes etnike ende pulson në çdo rrugë, stadium dhe institucion, të dëgjosh sot në vitin 2025 , thirrje për “dhoma gazi për shqiptarët” e “shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, është një tronditje që s’mund të relativizohet.
Por më tronditëse se vetë thirrjet fashiste, është relativizimi i ngjarjes nga ata që kanë përgjegjësi e akoma me keq heshtja e faktorit politik maqedonas aty ku ka ndodhur.
Në qytetin e ndjeshëm të Kumanovës, nën sytë e autoriteteve, u lëshuan slogane që i përkasin epokës së errësirës naziste.
Këto nuk janë “emocione sportive”.
Nuk janë “gabime të “të rinjve”.
Janë akt kriminal.
Janë gjuhë genocidale.
Janë kërcënime direkte ndaj jetës dhe ekzistencës së një komuniteti të tërë – shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut – të cilët nuk janë as të ardhur, as të rastësishëm, por popull autokton, kontribuues dhe bashkëthemelues të shtetit.
Kjo nuk është çështje shqiptare. Kjo është një provë e shëndetit moral të vetë Maqedonisë si shtet.
Sepse një shtet që nuk ndalon gjuhën e urrejtjes, e toleron atë, një shtet që nuk ndëshkon thirrjet për dhoma gazi, i jep atyre fuqi.
Dhe një shtet që u mbyll gojën shqiptarëve kur u fyen në mënyrën më çnjerëzore, nuk është shtet për të gjithë.
A dëgjoi Bashkimi Evropian?
A pa OSBE-ja? A
kanë ndjeshmëri ambasadat e atyre shteteve që flasin për “tolerancë”, “pajtueshmëri” dhe “evropianizim”?
Apo shqetësimi për gjuhën e urrejtjes ngrihet vetëm kur cenohen komunitete të tjera?
Shqiptarët nuk kanë kërkuar e nuk kërkojnë asnjëherë favore.
Ata kërkojnë dinjitet dhe drejtësi.
Ky akt duhet të jetë një thirrje zgjimi për politikën shqiptare në Maqedoni, përtej ndasive partiake.
Nuk është më moment për heshtje taktike, për llogari poste apo për pozita qeverisëse që blihen me heshtjen e krenarisë kombëtare.
Është koha për një reagim të përbashkët, institucional dhe ndërkombëtar. Me peticione. Me padi. Me konferenca. Me largime nga qeveritë, nëse duhet.
Sepse kush qëndron në pushtet duke pranuar fyerjen, nuk është përfaqësues, por dëshmitar i turpit.

Të fundit