Flash News

OPINEWS

Mitrovica, Mon Amour!

Mitrovica, Mon Amour!

nga Apollon Baçe*

 

Vegimi i  Kasandrës

Një shekull më parë, ndalesa e fundit e londinezes Ms. Edith Durham ishte  “Mitrovica, e vogël, e pastër dhe e këndëshme, e cila gjëndet atje ku Fusha e Kosovës nis e fiton lartësi, midis Sitnicës dhe Ibarit”. “Numrin e familjeve ortodokse nuk e mësova” do të shkruante ajo, “por mora vesh se komuniteti i tyre po ndërton me nxitim një kishë të madhe. Sidoqoftë shumica e padiskutueshme e qytetit është muslimane”. Ms. Durham tregon për një Vllah të vogël e të çuditshëm që ju afrua si hije për t’i thënë fjalë edhe më të çuditshme: “Habitem kur ngrihem në mëngjes dhe shoh se mbretëron paqa.  Ne jetonim si gjarpërinjtë brënda në shpellë dhe tashti kemi dalë në diell”.

Përshkrimin e shkurtër të Mitrovicës Ms. Durham e mbyll me një vegim Kasandre: “Mitrovica duket ende e qetë, por ajo është eshka që do ti japë flakë barutit”. Vegimi është i habitshëm: Mitrovica e 100 vjetëve më parë nuk ishte as Jugosllave, as Serbe, as Shqiptare. Ajo ishte thjesht perandori Osmane.

“Kuvajti serb”

Kur Italianët dhe Gjermanët e bashkuan Kosovën me Shqipërinë, ata lanë jashtë saj vetëm Mitrovicën, e cila mbeti nën jurisdiksionin e drejtpërdrejtë të Wermacht-it. Përse Gjermanët e lanë Mitrovicën Zonë Speciale të Wermacht-it dhe nuk e bashkuan me Shqipërinë? Sepse në luftën e dytë 47 % e plumbave gjermanë në ajër, të pushkëve, automatikëve, mitralozave, topave dhe avionëve, vinte nga Mitrovica.

Sipas New York Times (August, 10, 1998). “Mitrovica është zona më e pasur minerale e tërë Europës përkëtej Uralit... Miniera e tretë për nga madhësia dhe e para për plumb dhe zink në Europë... Ajo është realisht copa më e vyer e Ballkanit me vlerë miliarda dollarë. Ajo prodhon ar, argjend, plumb të pastër, zink, kadmium... Lufta në Kosovë është lufta për minierat e Mitrovicës... Minerali i Kosovës është Kuvajti i Serbisë”

“Sipas  statistikave zyrtare, minierat në Mitrovicën Veriore përfaqësojnë 3/ 4 e pasurive potenciale minerale të Jugosllavisë... Edhe në vitin e bllokadës ekonomike ‘96, ato sollën 100 milion dollarë fitime (New View, 09. 06. 2000)”. Aksionerët a pronarët serbë të këtij “Kuvajti serb” ishin Beobanka, drejtor i së cilës ka qënë Sllobodan Millosheviçi, Jugobanka dhe Shoqëria e Sigurimeve Dunav. Viktima e parë, sërishmi është nga rradhët e Millosheviçit: Miku i tij i ngushtë, pasaniku i Beogradit Zoran Todoroviç, u qep me automatik në një bar të Beogradit kur po privatizonte Trepçën. Dhe përsëri personi që kontrollonte lidhjet e fuqishme Ruse me Trepçën, nuk ishte kush tjetër përveç se Borislav Milosheviçi, vëllai i Slobodan Milosheviçit, Ambasador i Jugosllavisë në Moskë, pronari i Inex-Interexport-it të lidhur me Genex-in, (BBC 16 April, 1998).

Deri në ’90 i tërë minerali i Trepçës përfundonte në Rusi, ndërsa më vonë kjo linjë kontrollohej nga Genex-i, kontraktuese e thjeshtë e Mabetex të Behgjet Pacollit të famshëm, (ICG june 2002). E tëra kjo e lidh këtë rreth vicioz me Kryeministrin Rus Çernomyrdin (Guardian, 8 june 1998) dhe më tej me Putinin. I cili, mes të tjerave nuk do të kishte pasur mundësi ta shkelmonte nga froni Jelsinin pa ndihmën e Pacollit që i tregoi numrat e llogarive sekrete të vajzës së Jelsinit në Zvicër. Kjo sa për linjën ruse. Linja tjetër është franceze.

Së pari, linja franceze shfaqet në Mitrovicë në vitin 1990, kur jo i gjithë minerali Trepçës përfundonte në Rusi. Këtë vit importi fillestar i firmës parisiene Trigad, të kamufluar si amerikane, ishte 70 mijë ton plumb i rafinuar dhe 20 mijë ton zink.

Më tej, në qershor 1999, sapo Mitrovica i lihet çuditërisht për kontroll KFOR-it francez, Drejtori i SCMM-së Parisiane Jean Pierre Rozan vjen në Jugosllavi dhe blen 51% të aksioneve të aksionerit më të madh të Trepçës, Jugobankës, dhe firmos kontratën për shfrytëzimin e Trepçës me drejtorin serb Bjeliç (Le Monde, 1 Septembre, 1999: ICG Novembre 1999).

Së fundi, supernova franceze e Trepçës, është firma e fuqishme Parisiene TEC- Ingenierie e cila i ka filluar tratativat nga fundi i vitit të shkuar. Kjo sa për linjën franceze. Linja tjetër është linja greke.

Nr. 1 i linjës greke është fabrikanti i nëndetsve, beniamini ekonomik i qeverisë Evangelos Mytilenos, bashkëpronari kryesor i AMC-së shqiptare. Vetëm në vitin e bllokadës ekonomike ‘97, kontrata e tij me Trepçën është 519 milion $. “Trepça është e imja, por ende nuk kam vendosur kush duhet ta bëjë sekuestrin, qeveria greke apo Jugosllave”, thotë Mytilenos, pasi fitoi gjyqet në Greqi dhe Jugosllavi (Vreme, Belgrad, 09.11.2001). Lidhjet implementuese me Genex-in dhe Jugobankën, krijojnë qarkun e mbyllur Greqi- Jugosllavi- Francë- Rusi- Greqi (Mytilenos; Financial Times 6 July, 1999). Afera 1 miliard dollarëshe mes Mytilensosit, Telecom Italia-s, Telecom Yugoslavia-s, Beobanka-s i hap vend në këtë qark edhe Italisë.

Ky është pak akull nga maja e “ajsbergut” Mitrovicë. Por dhe ky pak akull e shpjegon pyetjen e një gazete “përse dikur kishte një KFOR, ndërsa tashti ka një KFOR francez, një KFOR italian, një KFOR...”.

Serbia felix

“Sa më shpejt të kryhen detyrat e shtëpisë, aq më parë do të mund të fillohet të bisedohet për statusin e Kosovës”, thotë Kryeadministratori i Kosovës, Steiner. Pak a shumë bëji shpejt detyrat që të dalësh të luash. Si i tillë problemi duket i thjeshtë.

Në të vërtetë ai nuk është aspak i thjeshtë. “Ka implikime në shkallë rajonale dhe globale që janë të vështira për tu zgjidhur”, spjegon Daniel Serwer i njerit nga ata institute që gatuajnë politikë, Institutit Amerikan të Paqes. “Ne po bëjmë presion që të kthejmë Shqiptarët në veri të Kosovës... Disa serbë kanë rezistuar.. por kjo nuk do të thotë...” i merret goja UNMIK-ut, i cili pasi ka arrestuar, me të drejtë a pa të drejtë, mbi 20 komandantë të UÇK-së, nuk  arrin dot të arrestojë Ivanoviçin e Mitrovicës që plagosi me granatë 22 policë të UNMIK-ut. Nuk arrin apo nuk do të arrijë, kjo është pyetja.

”Problemi i parë që shqetëson EU është kthimi i  emigrantëve... Problemi i dytë fati i personave të zhdukur, problemi i tretë Mitrovica që duhet të jetë e pandarë”, thotë duke numëruar në të kundërt, ambasadori i BE, ndërkohë që problemi Nr. 1 i Kosovës është Mitrovica.

Sot në “Serbia Felix”, Serbinë e Lumtur, Serbinë pa kujtesë, përgjigja standard për pyetjen ç’mendon për Kosovën është “nuk më intereson fare. Kam gjëra të tjera për të menduar. Lufta e ka çmitizuar mitin e Djepit Kosovë edhe për politikanët. Politikanët, si në ate historinë e 1001 netëve, nuk shqetësohen më për për mushkën xanxare, por për hejbet në kurriz të mushkës xanxare. Jo më për Kosovën, por për “Kuvajtin e Serbisë”, Mitrovicën.

Ura magjike

Qëndrimi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave është i prerë: “OKB-ja ka dështuar në Mitrovicë, pasi ka lejuar ndarjen e qytetit në dy pjesë, duke e shkëputur Mitrovicën veriore nga administrimi civil juridik i UNMIK-ut”. Cila do të ishte rrugëdalja?”

 “Administratori Steiner përuroi në Mitrovicë një qendër kulturore, e cila mblodhi të rinj shqiptarë dhe serbë. Kjo dhe është ura magjike, e cila do të kontribuojë ndjeshëm në qetësimin e situatës”, lajmëron UNMIK-u. Po ditën e “urës magjike” serbët e Mitrovicës rrahën keq dy shqiptarë që kishin humbur rrugën, vranë pa shkak një të tretë dhe hodhën bomba në Lagjen Boshnjake. “Do ti gjuaj me bomba tërë shtëpitë përreth si dje”, ju hakërrua policisë autori i bombave.

Asi i ri i bashkësisë ndërkombëtare “për të siguruar stabilitetin dhe paqen në rajon është pjesëmarrja e Beogradit në përcaktimin e statusit final të Kosovës”. Ndërkohë shprehja “Përpjekja për ta inkluduar Serbinë në zgjidhjen e problemit kosovar nuk do do sjellë asnjë ndjenjë falenderim por veç orekse nacionaliste”, nuk i përket palës shqiptare, por asaj serbe (Glas javnosti, Belgrad, 19 gusht). Palës shqiptare i përket vetëm ripërsëritja me saktësi presjeje e thënies së parë: “Tirana dhe Beogradi kanë përgjegjësinë... që Kosova të mos jetë hallkë e dobët e stabilitetit dhe paqes në rajon”.

“Veprimet e zv. Kryeministrit Coviç tregojnë se me ndarjen de fakto të Mitrovicës Serbia po përpiqet të gjejë rrugë të reja për kontrollin e Kosovës nga  Beogradi” thotë amerikani DioGuardi.  “Thirrjet e fundit për ta inkluduar Beogradin në zgjidhjen e problemit të Kosovës po e bëjnë përfaqësuesin serb Coviç edhe më të ashpër në kërkesat e tija”, vijojnë analistët anglezë.

Pikërisht pas kësaj thirrjeje Coviç i shkruajti Steiner-it “tërë qytetarët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi”. Dhe pikërisht pas kësaj thirrjeje Serbia dhe Mali i Zi, gjatë gatimit të Kushtetutës, vendosën që Kosova të mos ishte jo më e pavarur, por drejt e nën Serbinë. Dmth. si nën Millosheviçin, por pa Millosheviçin.

Epilog

“Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përcaktuar qëndrimin e tyre mbi statusin përfundimtar”, thotë Departamenti i Shtetit. “Statusi i Kosovës do të vendoset brenda 3-5 vjetëve të ardhme” sqaron Serwer. Por “udhëheqsia” e Kosovës duket se nuk e kupton se Kosova ka mbetur provim për vjeshtë:
“Insistoj” ishte fjalia e parë e Rugovës per Ministrin e Jashtëm Francez  Dominique de Villepin “që Kosova të njihet sa më parë”. Argumenti bindës ishte “sepse perspektiva jonë është në BE dhe në NATO”. Fjalia në vazhdim do të ketë qënë fjalia që zakonisht shkaktonte buzëqeshjen e Millosheviçit, “hajt pra, po e pijm ka nji got”. 

”Step by step” thotë Henry Kissinger, të cilit  mes të tjerave i përket edhe thënia “Shqiptarët nuk luftuan për autonomi, por për pavarësi dhe sigurisht jo për të mbetur nën sovranitetin Jugosllav”. (Does America need a foreign policy?, New York, 2001, 270). Por kush do të ishte hapi i domosdoshëm dhe kush do të ishte hapi i mundshëm?

Për rastin e dhënë hapi i domosdoshëm, bashkimi “de facto” i Mitrovicës me Kosovën, përputhet me hapin e mundshëm, bashkimin “de jure” të Mitrovicës me Kosovën. Letra e parë që tundi Steiner kur u kthye në Kosovë ishte “qeveria franceze është kundër ndarjes së Kosovës dhe institucioneve paralele”. Përfundimi i tij pas kthimit nga selia e Këshillit të Sigurimit ë OKB-së ishte “Kosovës  nuk do t'i rikthehet gjendja e para vitit 1999, nuk do të lejohet enklavizimi i saj dhe ajo nuk do të ndahet”.

“Ai që tenton të bëjë të përsosurën rrezikon të mos bëjë asgjë”, thonë anglezët. Kjo ishte edhe arsyeja përse buzëqeshte si sfinks për vite me rradhë Millosheviçi me “insistimin” e Rugovës.

 “Presidenti Koshtunica dhe zv. Kryeministri Coviç po punojnë që ta ndajnë Kosovën”, ankohet Kryetari i Lëvizjes së Rezistencës Serbe. “Presidenti Koshtunica ka kërkuar prerë që të mos bashkohemi me Rugovën. Por bashkëpunimi do të ishte i mundshëm nëse Rugova do të pranonte që Kosova është atdhe i ligjshëm edhe i serbëve”, thotë Kryetari i Povratak-ut Rada Trajkoviç në të kundërt me ate që kërkon Koshtunica.

Mbrojtësit më të zjarrtë  të pavarësisë së Vojvodinës nuk qenë hungarezët e Vojvodinës, por serbët e Vojvodinës. Për pasuri prishesh kur të duash me vëllanë dhe bëhesh me komshiun. Këto janë dhe ato plasaritjet në kampin në dukje monolit serb dhe këto plasaritje vinë pikërisht nga Mitrovica.

*Artikull i shkruar fiks 20 vjet dhe 20 ditë më parë, 25 nëndor 2002.

 

Të fundit