Flash News

OPINEWS

Opinion/ Putin, heroi i Ramës

Opinion/ Putin, heroi i Ramës

nga Naum Mara

Edhe pse nuk ka thënë ndonjëherë hapur, si dikur Fatos Nanoja për Berluskonin, “heroi” i Ramës është Vladimir Putin. As miqtë e tij Toni Bler dhe Nikolla Sarkozi, dhe aq më pak Merkel apo Obama, por vetëm Vladimir Putin. Historitë rreth “bëmave” të Presidentit rus në raport me oligarkët rusë të kohës së Jelcinit, se si “i vuri në zap” apo i futi burgjeve, kanë qarkulluar tash e 20 vjet nëpër drekat e darkat e Ramës me miqtë e tij të ngushtë. Putin ka qenë modeli i shumë politikanëve shqiptarë, por veçanërisht i Ramës.

Kontrolli i plotë dhe pa “asnjë dalje nga rreshti” i Partisë Socialiste është identik me kontrollin që vuri Vladimir Vladimiroviçi mbi partinë e tij konglomerate “Edinaja Rasija”.

“Ndihma dhe kontrolli” ndaj oligarkëve është tjetër karakteristikë e huajtur nga modeli Putin. Nuk mund të kontrollosh vendin dhe nuk mund të pasurohesh si qeveritar nëse nuk ke marrëdhënie të ngushta me oligarkët dhe mekanizmat financiare dhe të biznesit që ata zotërojnë. Ky është mësim nga Putin, që ka arritur të verë një pasuri personale, për të cilën e kanë zili gjithë autokratët në botë.

Kontrolli i plotë mbi mediat ka qënë qëllimi i vazhdueshëm gjatë gjithë karrierës së Putin dhe Rama është përpjekur t’i përngjajë. Madje kryeministri ynë është edhe më arrogant se Vollodja i KGB-së me gazetarët vendas, të cilët mundohet t’i poshtërojë, vend e pa vend.

Dashuria e shprehur haptas për Erdoganin është një tjetër dëshmi e afeksionit të fshehur për Diktatorin e Kremlinit. Harmonia në ide dhe “hargalisjet” në telefon me “Putinin e vogël të Serbisë“, kur flasin për opozitat përkatëse janë të tjera fakte të konfirmuara nga vetë Edi, që zbulojnë adhurimin e tij për autokratin e stërkorruptuar të Kremlinit.

Po si është e mundur që Rama nuk është takuar kurrë me Vladimir Vladimiroviçin?

Nuk ka qenë kurrë në listën e të ftuarve nga Kremlini për arsye gjeopolitike të përcaktuara nga rusët, dhe jo se Rama është anti-Putin i thekur apo se nuk ka lënë forum ndërkombëtar pa demaskuar Kremlinin. 

Eshtë për të ardhur keq, që edhe gjatë ditëve të fundit, reagimi i tij personal ndaj heroizmit të Zelenskiy-t ka qënë thuajse joekzistent.

Rama as nuk mund të shtiret se udhëheqësi ukrainas është dikush, të cilit do t’i ngjajë.

Të fundit