OPINEWS

PD duhet mbrojtur nga kryetari i vet

PD duhet mbrojtur nga kryetari i vet

Genti Çela

Lidershipit të Partisë Demokratike i mungojnë bash elementët themelorë për të drejtuar një bashkësi politike; imagjinata, besueshmëria, përballja.

Selia e PD i përngjan kohës para se aty të bujtnin demokratët. Duke reflektuar emrin atëbotë, SHQUP. 

Ofiqarët e atyshëm mbajnë me gajret z.Basha duke i kujtuar në çdo moment se ai quhet Kryetar. 

Edhe pse i ngujuar në ishuj pudrosës të mosnjohjes dhe refuzimit të realitetit.

Nga ishulli ku vegjeton, ajo çka mund t’i ofrojë opozitarizmit, mbetet vetëm neutraliteti flirtues me pushtetin. 

Shpesh në agorën publike lind pyetja se kush blen heshtjen e PD.

Vetëm rasti i fundit, flagrant, ishte abstenimi për borxhin 700 mln €, krejtësisht i paargumentuar nga qeveria.

Dante Alighieri, do i kishte pëshpëritur Grupit Parlamentar të PD, se “vendi më i errët i ferrit është për ata që ruajnë neutralitetin në kohë krizash morale.”

Përkrahësit e kryetarit (bashistët) në korridoret e selisë, (të vetmit që ai takon prej muajsh), kanë degraduar logjikën e tezave deri te qesharakja duke thelluar krizën.

Basha i shkel syrin kujtdo përkrahësi, se pas zbimit të foltoristëve, do të ketë truall për këdo selfiexhi në majat bujare të emërimeve, në partinë e mbetur me pronar të vetëm atë, z.Basha.  

Gati si për të krijuar një hartë paqëndrueshmërie të kujtesës, kontributeve.

Kohë instinktesh, prandaj çdokush duhet kuptuar në të drejtën pragmatiste për të nuhatur erërat e së nesërmes. 

Thuhet se një kat në selinë e PD, shërben vetëm për të komentuar pro kryetarit në kuvendet e rrejshme të profileve false në Facebook.

Tezat për liderin perëndimor, të ri, tejpamës, kutërbojnë bajatosjen e një përralle në kodrat iluzive të virtuales. Teza dalë boje e kohe, në kohën e gjatë politike prej 16 vitesh të z.Basha. 

Artilerinë e rëndë, e ka ruajtur për zërat kundërshtonjës brenda rradhëve të tkurrura  dhe firuara në PD. 

Zëra që së fundmi janë edhe më të zëshëm, të arsyeshëm, e që z.Berisha u ktheu lirinë, ndoshta të pamerituar për ata që në tetë vite nuk guxuan të artikulonin një mendim të vetëm përballë z.Basha. 

U desh “Foltorja” që të shelbojë veshët e zemrave të shurdhër, t’u çlirojë arteriet nga zinxhirët e kryetarokracisë. Disa prej tyre, në sytë e publikut, u ngjajnë bashkëpunëtorëve në krim, të penduar së fundmi.

Pakkush në sallat xëx të Foltores, është aty për z.Berisha. Në Foltore, (jo në kasafortë) shkojnë për askënd tjetër veçse për vete. 

Si mundësia e mbrame e  “më mirë vonë se kurrë” për kthimin e opozitës në shinat e demokratizimit, lirisë, gjithëpërfshirjes, ideve, zgjimit.

Zgjidhje demokratike për Partinë Demokratike, do të ishte përballja mes palëve. Me të vetmen armë kuruese, votën. 

Në sheshin e një Kuvendi ku anëtarët zgjedhin.

Ambicia e profileve të tjera e të reja, angazhmimi intelektual i burimeve të shumta njerëzore aty, do të ishte më i shëndetshmi për demokracinë në atë parti. 

Për të zënë fill kështu, era e një partie pa protagonizmin e personazheve të sotëm, troshitja e të cilëve mund të çojë në një ndarje të mundshme.

Arratia nga gara e ka strukur z.Basha në prehrin e kritikëve të deridjeshëm të tij, ithtarë në bllok të pushtetit.

Nga rehatia e atyshme, shpall luftë dhe përjashton këdo bashkëpunëtor që zgjedh të mos jetojë opozitën si ishullin ku prehet pushteti. Si një kopje e shëmtuar e tij. Lehtësisht të shantazhueshëm.

Kundër drejtimit që nuk gjeneron asnjë ide, asnjë emocion, asnjë shpresë. Kundër një opozite të mpirë dhe të palirë që nuk mund të çlirojë askënd. Që nuk shëmbëllen ndryshim me palën tjetër.

Këmbëngulja e z.Basha për të qenë medoemos në krye të partisë edhe sikur ajo të mbetej pa anëtarë, edhe sikur të mbetej përjetë në opozitë, brof gjendjen se PD, duhet mbrojtur nga kryetari i saj.

P.S - Dikush më tha se Lulzim Basha ka sot më shumë mundësi të pasojë Edi Ramën në krye të PS, sa të vazhdojë si kryetar i Partisë Demokratike. 

Por, për këtë opsion imagjinar, do i duhej të sfidonte me gjasë z.Veliaj. Dhe në çdo garë, Basha ia del të jetë gjithmonë i dyti.

Të fundit