Flash News

OPINEWS

Samiti ardhshëm e BRIKS-it dhe arrestimi i Putinit

Samiti ardhshëm e BRIKS-it dhe arrestimi i Putinit

Dragan Biseniç /Danas

Mbledhja e radhës e shefave të shteteve të BRIKS-it ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik botëror si kurrë më parë. Në radhë të parë ai shqyrtohet në prizmin e matjes së forcave të boshtit euroaziatik ruso-kinez, ose më mirë të themi të Jugut Global me aleancën transatlantike të ShBA-ve dhe Europës. Samiti do të mbahet në mesin e muajit gusht në Afrikën e Jugut, dhe çështja e parë që tërhoqi vëmendjen ishte ajo e pjesëmarrjes së presidentit rus Putini.

Sepse Gjykata ndërkombëtare penale ka nisur procedurën, të cilën Rusia nuk e njeh, sikurse nuk njeh as kompetencat e kësaj gjykate, por ama Afrika e Jugut e njeh. Për këtë në atë vend shumë herët ka filluar debati i brendshëm që në fund arriti edhe para instancave gjyqësore mbi problemin nëse presidenti rus duhej arrestuar dhe dorëzuar Gjykatës në rast se do të shkelte në truallin e Afrikës së Jugut.

“FITORJA” E GJYKATËS

Të mërkurën e javës së kaluar, u bë me dije se presidenti rus do të marrë pjesë në të gjitha seancat plenare të samitit, nëpërmjet video-linkut dhe se personalisht nuk do të jetë atje. Kjo sigurisht eleminoi shume ngatërresa të ardhshme që u shfaqën për këtë samit dhe të cilat kishin të bënin me dilemën “të arrestohet apo të mos arrestohet Putini”, e cila hijezoi tërë samitin. ShBA-të dhe Europa e konsiderojnë mosshkuarjen e Putinit në Afrikën e Jugut, fitore të gjykatës penale dhe nënvizojnë se akuza e ka treguar qëllimin dhe ka dhënë kësisoj efektin e saj.

Diplomatët perëndimorë e kanë kritikuar pushtetin afrikanojugor për shkak të perceptimit të bashkëpunimit me Rusinë që nga fillimi i konfliktit ukrainas. Zyrtarët e qeverisë afrikanojugorë kanë marrë një qëndrim neutral, por në ndryshim nga shumë shtete, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kanë deklaruar se e dënojnë Rusinë. Me herët, këtë vit, Afrika e Jugut ishte vendi organizator i stërvitjes së përbashkët ushtarake të flotave kineze dhe ruse, ndërsa ambasadori amerikan akuzoi Kejptaunin se në dhjetorin e vitit të kaluar kanë ngarkuar armë në një anije ruse.

Deklarata e së mërkurës erdhi pas zbulimit mbi deklaratën sekrete të marrë nën betim të presidentit afrikanojugor Ramafoza, e cila u bë publike të martën, sipas udhrit të Gjykatës së lartë në Johanesburg. Deklarata nën betim ishte përgjigje për lëvizjen juridike të një partie opozitare e cila kërkonte që qeveria e tanishme të merrte përsipër arrestimin e Putinit.

“Më duhet të theksoj, për shkak të transparencës, se Afrika e Jugut ka probleme të qarta me realizimin e mandatit për arrestimin dhe dorëzimin e presidentit Putin”, tha Ramafoza, sikurse theksohet në dokumentin gjyqësor.

“Rusia ka bërë qartë me dije se arrestimi i presidentit të saj do të ishte shpallje lufte. Do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën të rrezikohej lufta me Rusinë”, vazhdoi Ramafoza.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitrij Peshkov më vonë hodhi poshtë pohimet e Ramafozës, duke thënë: “Jo, një paralajmërim i tillë nuk është bërë”. Peshkovi shtoi se “të gjithë e kanë absolutisht të qartë se çfarë do të thotë sulmi ndaj shefit të shtetit rus, kështuqë nuk ishte nevoja për askend t’i shpjegohej ndonjë gjë”.

 VIZIONI I SË ARDHMES

Afrika e Jugut ka eksperiencë për rastë të këtilla. Në vitin 2015, pushteti afrikanojugor refuzoi të arrestojë presidentin e atëhershëm sudanez Omar al-Bashir i cili ishte, dhe vazhdon të jetë, nën akuzën e Gjykatës ndërkombëtare penale për krime lufte dhe krime kundër njerezimit të lidhur me genocidin në Darfur. Al-Bashiri atëbotë ishte i pranishëm në Samitin e Unionit Afrikan.

Kujtojmë se BRIKS-i bashkon në gjirin e saj Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut (emërtimi i këtij asociacioni bazohet në shkronjat e para të këtyre vendeve). Momentalisht janë edhe disa vende të tjera të cilët kanë shpallur synimin e tyre për t’iu bashkuar BRIKS-it: Argjentina, Irani, Indonezia, Turqia, Arabia Saudite dhe Egjypti. Interesim për këtë asociacion kanë shprehur edhe shtete të tjera. Në një moment, madje edhe presidenti francez Makron deklaroi se Franca mund t’i bashkohet BRIKS-it. Në janar të këti viti ishin 13 vende që synonin t’i bashkoheshin BRIKS-it, ndërsa në muajin qershor bëhej fjalë për 50 syresh. Ka mundësi që në këtë rast të flitet jo vetëm për ato vende që janë të vendosur qartësisht të antarësohen në BRIKS, por edhe ato vende udhëheqja e të cilave ka shprehur interes për afrimin me këtë organizatë. Këta 50 vende të përmendura kohët e fundit janë në njëfarë mënyre vizion për të ardhmen.

Nuk duhet të harrojmë se sa më shumë të zgjerohet organizata, aq më vështirë do ta kenë anëtarët e saj të merren vesh rreth hapave praktikë dhe aq më shumë do të mbeten në formatin e tipit të një klubi diskutimor. Aleanca në të cilën Kina luan rolin vendimtar ka kushte të mira për ekspansion të gjerë, meqenëse është e qartë se shumica e shteteve të botës nuk dëshiron të rreshtohet me njërën prej palëve në konflikt. Por, çështja e vlefshme për analizë është ajo nëse BRIKS-i është përfaqësues i këtyre shteteve, apo këta shtete përbëjnë një bllok të veçantë i cili tashmë është emërtuar të paangazhuarit nr. 2 ? Ndoshta jo edhe sepse kjo e paangazhuara nr. 2 është shumë e ngjashme me organizatën e dikurshme të të paangazhuarve, e cila vazhdon të ekzistojë. Në këtë kuptim, është më e logjikshme që ajo të jetë mbartëse e qëndrimit që do të dijë të distancohet ndaj të dyja anëve e jo vetëm ndaj njërës.

Vetë BRIKS-i nuk ka ndonjëfarë fizionomie të profilizuar dhe është e hapur ndaj të gjithë vendeve të botës. Kjo organizatë në fillim ishte njëfarë klubi ekonomik para të cilit befas u grumbulluan një sërë pritmërish politike të cilat shprehin besimin se ajo mund të bëhet njëfarë Këshilli Drejtues në botën postunipolare.

Në njërën anë gjenden ata që prognozojnë rritje eksponenciale të vëndeve anëtare, duke nënvizuar se kjo organizatë mund të përfshijë së shpejti 50 shtete, madje edhe më shumë, ndërsa në anën tjetër ata që mendojnë se një ambicje e tillë është e panevojshme, e gabuar, e dëmshme dhe e tejkaluar.

Profesor Gevorg Mirzajan, pohon se  është e mundur që pesëdhjetë vende të përfshihen në BRIKS. “Por cili është qëllimi”, pyet ai.

“BRIKS do të duhet të përfshijë në gjirin e saj vende me sovranitet të plotë. Duke patur parasysh se vendimet me BRIKS miratohen me konsensus, është i madh numri i atyre vendeve, një pjesë e madhe e të cilëve ose do t’u frikësohen amerikanëve, ose do të punojnë për amerikanët, duke paralizuar kësisoj strkturën drejtuese të BRIKS-it. Pra, nuk është nevoja për pesëdhjetë ose njëzet. BRIKS-i duhet të ketë vetëm disa shtete, më së shumti dhjetë, që janë të aftë, sëpari, të mbrojnë sovranitetin e tyre, dhe sëdyti, duhet të kenë vizion të përbashkët për botën multipolare", thotë Mirzajani.

NATYRA E DYFISHTË

Vështirë se BRIKS-i mund të bëhet bllok politik sepse vendet pjesëmarrëse kanë shumë pak gjëra të përbashkëta, në këtë rast, sovraniteti dhe dëshira për ndërtimin e një bote multipolare më të drejtë.

Në këtë kuptim BRIKS-i mbetet prapa jo vetëm BE-së por edhe G-7, kështuqë shanset e BRIKS-it janë të paqarta, se ku do të shkojë më tej do të varet nga ajo sesi do të zhvillohet situata në Ukrainë, si do të zhvillohen raportet brenda ShBA-ve dhe aleancës Perëndimore, nëse liderët e BRIKS-it do të kenë vullnet politik për t’u shndërruar në një bllok politik me të drejta të plota. Nevojitet vullneti politik i vendeve pjesëmarrëse, të cilat do të duhet të jenë të gatshme për tu pozicionuar në njëfarë blloku anti-unipolar dhe antiperëndimor. Të gjithë vendet pjesëmarrëse nuk janë të gatshëm të shkojnë aq larg. Rusia dhe Kina janë të gatshme, por të tjerët, kjo është më se e qartë, kanë qëndrime, prioritete dhe politika krejtësisht të ndryshme.

Në prag të Samitit në Afrikën e Jugut u fol se vendet do të vijojnë të zhvillojnë idenë mbi ndërveprimin më të thellë në tregtinë me valutat lokale në mënyrë që të ulet vartësia e përgjithshme nga dollari. Por, çështja e dedollarizimit nuk është kaq e thjeshtë sikurse paraqitet shpesh. Janë në pyetje interesa të ndryshme të pjesëmarrësve në këtë organizatë si dhe qëndrime të ndryshme në raportet me ShBA-të.

Nëse flitet për diskutime mbi perspektivën e krijimit të një valute të përbashkët të vendeve të BRIKS-it, ministri indian i punëve të jashtme Subramanjan Xhainshakar në fillim të muajit qershor deklaroi se India “nuk ka plane në këtë drejtim”.

Mund të supozohet se qëndrimi i pjesëmarrësve të BRIKS-it do të jetë disi i kujdesshëm në lidhje me problemin e zgjerimit të përdorimit të valutave nacionale në llogaritjet reciproke.

BRIKS-i ka një natyrë të dyfishtë në lidhje me Perëndimin. Më e rëndësishmja nga të gjitha është se ka pak mundësi që të jetë e pranueshme për anëtarët e BRIKS-it braktisja e marrëdhënieve që ata kanë me fuqitë perëndimore. Sidomos kur është fjala, le të themi, për Afrikën e Jugut apo Indinë, të cilat nuk synojnë të ecin drejt ftohjes së marrëdhënieve me ShBA-të. Përkundrazi, shumë vende të BRIKS-it kanë si synim të përforcojnë pozitat e tyre në dialogun me fuqitë perëndimore dhe jo t’i shkëpusin ato.  Ky mund të jetë pikërisht fati i BRIKS-it.

Përktheu: Xhelal Fejza

 

Të fundit