Flash News

OPINEWS

Sus zgjedhor

Sus zgjedhor

nga Gent Çela

Sot jemi në heshtje zgjedhore. Nesër votohet në gjashtë qytete ku bashkitë janë pa kryetar. Kryesisht sepse kryetarët pararendës, si rastësisht, paskëshin qëlluar me preçedentë kriminalë.

Heshtja si gjetje e Kodit Zgjedhor, i jep sovranit ditën e kthjellimit, ftillimit, pasi ka dëgjuar për disa javë lukuninë e akuzave dhe premtimeve në përrallën e rradhës për fillimin e lulëzimeve të proshkëta.

Pas heshtjes votohet dhe pas votimit heshtet. Edhe për katër vite të tjera.
Votuesit, qytetarët ndihen sovranë vetëm për një ditë.

Pas heshtjes, si pas çdo heshtjeje, sovranë janë po’ ata, çifligarët e njëjtë, pushtetarët e një populli durimmadh që hesht prej tridhjetë e ca vitesh.
Ndoshta në fjalorin politik, dita e heshtjes zgjedhore, mund të quhej dita e shqiptarit.

Kemi hyrë tashmë në vitin e tridhjetë e dy të heshtjes para e pas zgjdhore.

Heshtja jonë, ka rrëzuar leksikun e fjalëve tona popullore dhe gjithë filozofinë botërore të ndërtuar rreth gjestit të fisëm të heshtjes.

Heshtja, sus-i i çdoditshëm, strukja brenda mureve të shtëpisë ndërtuar me beton frike, ka kthyer shumicën (atë të heshturën) në kavie të nënshtruar pas çdo eksperimenti e pazari mbi kurrizin e butë prej dhunës, vjedhjes, rrenës.

Sot te ne, një litër naftë kushton 240 lekë. Sipas spekulantëve, rritja e çmimit vjen si pasojë e luftës në Ukrainë.

Në fakt, nga Ukraina (të cilës shpesh i vishet një “h” e panevojshme si e heshtjes, duke e bërë UkraHinë), një gazetar shqiptar raportonte se atje çmimi i karburanteve nuk ka ndryshuar as në në këtë javë ku lufta ka ndalur botën.

Të tjera abuzime priten të pasojnë si rrjedhojë jo e çmimit të naftës, por e heshtjes.

Ndoshta dikush duhet t’u thotë shqiptarëve se HESHTJA NUK ËSHTE FLORI!

Të fundit