Flash News
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
Protesta trazon PS-në/ Zegjineja e ‘meme-ve’ sulmon influenceren: Shëmtirë, diote. Balla kapet me Reuters
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
Publikoi tezën e Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, përjashtohet maturanti në Kukës
Drejtësia s’është flamur për selfie; është gjykim. Kosova s’pranon tutorë. Tirana të zgjedhë: mburojë për Prishtinën, apo megafon i Beogradit me grim politik dhe servilizëm.
Tirana është në zë. Thirrja për tubim më 17 tetor, ora 17:00, “LIRIA KA EMËR”, u përhap si një daulle e gjatë përtej kufijve, nga Kosova e Maqedonia e Veriut te mërgata e çdo cepi ku ka shqiptarë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shoqëroi jehonën me një ftesë të shkurtër¹, të ngrohtë dhe të dykuptimtë njëherësh:
“Me kënaqësi dhe i nderuar t’u bindem organizatorëve për ta postuar këtë ftesë-thirrje… do të kërkohet njëzëri DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT.”
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje reagoi më 15 tetor me një kumt të kthjellët²: mbështetje për çdo qytetar që ngre zërin për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë, por me një vijë të prerë ndaj rrëfimit që ngatërron luftën e drejtë me paprekshmëri politike.
“Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu,” kujton LVV-ja, duke risjellë gjenezën nga rezolutat evropiane të pasluftës. Po aq prerë, LVV mohon tezën se UÇK-ja qenka “ndërmarrje kriminale”, dhe e kthen shigjetën tek Serbia si përgjegjëse e krimeve. Më pas vijon një kujtesë e hidhur: shumë nga ata që sot e mohojnë Gjykatën, dje ishin ndër nxitësit e saj, me një përmendje të hapur të Edi Ramës, i cili “kishte ardhur në Kosovë me helikopter për të bindur palët të votonin pro themelimit”.
Rama u përgjigj me një fletë të gjatë shpjegimesh³, të ngarkuar me sarkazëm e vetëmbrojtje:
“Unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo… ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.”
Dhe pastaj, një distancim i kujdesshëm: ai nuk qenka as organizator, as folës i protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, veçse një përkrahës që do të bashkohej si “pjesëmarrës i thjeshtë”, po të mos frikësohej se politizimi i nisjes do t’ia dëmtonte frytin.
Këtu janë palët dhe këtu është nyja. Përballë kemi një thirrje popullore që mbështetet në kujtesën e një lufte çlirimtare, një qeveri në Tiranë që e shoqëron gjallërisht jehonën e asaj kujtese, dhe një qeveri në Prishtinë, e cila, ndonëse mbron nderin e luftës, i qëndron në krah rendit të drejtësisë që vetë Kosova e themeloi, me gjithë plagët e saj. Midis këtyre dy vektorëve rri në kandar një e vërtetë e thjeshtë por e ashpër, drejtësia nuk është flamur, është gjykim. Nëse kërkohet “drejtësi për çlirimtarët”, ajo nuk mund të jetë drejtësi e rrëfimit, por e provës, e rregullit dhe e gjykatës.
S’ka dyshim se në truallin shqiptar, kujtesa është mall i shenjtë, emrin e UÇK-së e mbartin mijëra varre, shtëpi të djegura, jetë të ngrira në një mars të largët, dhe askush s’ka të drejtë ta përbaltë. Por po kaq i shenjtë është ligji që ndan trimërinë nga pafajësia juridike, rrëfimin nga prova, krenarinë nga paprekshmëria. Këtu ishte dhe mbetet qëndrimi themelor i Vetëvendosjes, se lufta ka qenë e drejtë e domosdoshme, se Serbia është fajtore për krime masive, por se krijimi i një gjykate nën Kushtetutën e Kosovës, i bartur jashtë vendit për mbrojtje të dëshmitarëve, ishte një çmim i hidhur për një të mirë më të madhe, besueshmërinë e shtetit të së drejtës.
Ky qëndrim nuk lindi nga lehtësi. Vetëvendosje nuk votoi kurrë për themelimin e Gjykatës⁴, e quajti të padrejtë në parim, të ngushtë në objekt, të padrejtë në shpërpjesëtim me krimet e Serbisë. Por megjithatë, pasi u themelua nga Kuvendi i Kosovës, kjo gjykatë hyri në rendin kushtetues të shtetit. Që këtej, LVV ka qëndruar në një vijë të ngushtë, por parimore, të mos shesë kujtesë për paqe të rreme, të mos e prishë rendin që vetë Kosova e vendosi, të mos e ngatërrojë heshtjen e drejtësisë me heshtjen e turpit. E drejta për të kritikuar prirjet selektive të ndjekjes penale bashkëjeton me detyrimin për t’iu bindur rregullit që e kemi pranuar. Kjo është një vijë e vështirë, por e ndershme. Ajo i thotë shoqërisë, po, lufta jonë ishte e drejtë. Jo, kjo nuk na jep kartë të bardhë kundrejt provës, dhe as nuk lejon që politika ta zëvendësojë trupin gjykues.
Pikërisht këtu del në pah një lojë e vjetër e Tiranës zyrtare. Edi Rama, herë me fjalor përkëdhelës ndaj kujtesës, herë me gjeste që ngjajnë të guximshme, e ka luajtur për vite një “guralec-kryq” të pafund, sot pajtimtar i rajonit, nesër flamurmbajtës i nderit të luftës, sot zë që i flet Evropës me stermë të qetë, nesër trumbetar i fyerjeve të Hagës⁵. Nuk diskutohen të drejtat e një kryeministri shqiptar për të shprehur qëndrime, por po kaq e qartë është se kufiri i asaj fjale mbaron atje ku nis ndërhyrja në çështjet e brendshme të Kosovës. Në këtë kufi, Rama e ka shkelur vijën shpesh, kur i dërgoi në Paris e Berlin skica të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe për ta ndihmuar Beogradin të krijoj Republikat e Serbisë në Kosovë pa pëlqimin e Prishtinës, kur e përqafoi “Ballkanin e Hapur” me një gjuhë “pa-status”, duke i kërkuar Kosovës ta zbusë shtetësinë e vet në emër të lëvizjes së lirë, po për ta legjitimuar agresionin politik të Beogradit kundrejt Kosovës, kur, në çaste krize, zgjodhi gjuhë të zbutur që i trete dallimet midis agresionit dhe “tensioneve rajonale”, në vend se t’i dërgonte forcat ushtarake dhe policore shqiptare për ta ndihmuar Kosovën ta shpartallonte përpjekjen e Beogradit për aneksimin e veriut të Mitrovicës⁶.
Në të gjitha këto, nota është e njëjtë: kujtesa si perde, politika si skenë. “E kam denoncuar farsën,” thotë Rama, por harron të thotë se vetë kërkoi dikur që Kosova ta themelonte këtë gjykatë, harron se pranë thirrjeve për nder të luftës, vinte dorë e ftohtë mbi bozhurët e shtetësisë së Kosovës, duke i shpënë në tryeza ku fjalët “barazi” e “njohje” veniteshin në “pragmatizëm” dhe “gjuhë të përbashkët”. Të thuash se “Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve” dhe jo “për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës” është një përzierje mjeshtërore e dy të vërtetave, po, rrjedha nisi nga akuza të rënda ndërkombëtare, por po, gjykata sot gjykon vepra të përcaktuara në ligj, për të cilat vendos paneli, jo tribuna. Ta kthesh këtë në një duel nderi midis “kujtesës” dhe “gjykatës” është të zhbësh me një të rënë lapsi pikërisht rendin që i jep kuptim nderit.
Diku tjetër, kjo lojë kryqezon tubimet e shesheve me këmbanat e sallave. Rrethin ku qarkullon thirrja “Drejtësi për Çlirimtarët” e mbushin edhe fytyra të njohura në Prishtinë, disa prej të cilave po hetohen për lidhje të dyshimta me shërbime të huaja. S’ka nevojë për teori komploti për të parë se kur një kryeministër ushqen të njëjtat valë zanash me një rrjet që, ditë pas dite, punon për ta delegjitimuar Gjykatën e Hagës, ai nuk po mbron vetëm nderin, po krijon një mjedis ku gjykimi shndërrohet në ankim publik, prova në thashethem, dhe vendimi në pambuk që shtrihet e shtriqet sipas rrymës. Ky mjedis i shërben kujt? Jo Kosovës, që e ngriti vetë këtë rend për t’u dhënë siguri dëshmitarëve dhe peshë vendimeve. Jo miqve të saj në Evropë, që duan një shtet të drejtës e jo një ilustrim të ngjyrshëm. I shërben Beogradit, që do të bindë botën se Kosova nuk mund të zgjedhë ligjin mbi legjendën.
Kushdo që e ka ndjekur rrugën e Ramës në këto vite, e njeh modelin. Në emër të “hapjes” rajonale, i kërkohet Kosovës të hyjë në skema që e anashkalojnë si shtet të barabartë, me gjuhë që shmang fjalën thelbësore: njohje. Në emër të “zgjidhjes”, i shtyhet një variant i shoqatës komunale që rrezikon të bëhet levë bllokuese brenda rendit kushtetues të Kosovës. Në emër të “nderit”, hidhen dyshime mbi një gjykatë që, me gjithë të metat, është pjellë e ligjit të Kosovës. Përherë, në shpinë të kësaj gjuhe, rri një kalkulim i ftohtë, të dukesh i dinjitetshëm në sytë e jashtëm, ndërsa në shtëpi e kthen drejtësinë në lojë fjalësh.
Këtu s’bëhet fjalë të mbyllet goja e askujt. Kushdo le të thotë se akuzat i duken të padrejta, se provat janë të brishta, se rregullat janë zbatuar ngurtë. Por kushdo që i prin një shteti fqinj nuk ka të drejtë të flasë në emër të Kosovës, as të bëjë llogaritarin e sovranitetit të saj përpara selive evropiane. Ai mund të jetë mik, mund të jetë avokat i lidhjeve tona, mund të jetë zë i kujtesës së përbashkët, por nuk mund të jetë kujdestar i gjykatave tona e as shpërndarës skicash për rendin tonë të brendshëm. Miqësia nuk është zëvendësim, është mbrojtje e vijave.
Një pjesë e hidhur e kësaj tabloje qëndron te përdorimi i simboleve. E kemi parë se si në Tiranë një flamur i UÇK-së mund të bëhet shkas për ndëshkime të ngutshme, ndërsa në tryeza, nën drita të buta, pranohet pa belbëzim bashkërimi me Beogradin për punë që kërkojnë minimumin e kujtesës. Si mund të jetë flamuri i luftës “i tepërt” në një stadium⁷, po një skenar sportiv bashkë me Serbinë “urë e mbarë”? Si mund të shtyhen me ngulm nismat që tretin kufijtë e shtetësisë së Kosovës, e në të njëjtën ditë të rrihen telat e nderit të saj? Kjo është fytyra e dyfishtë e politikës së Edi Ramës që i thotë popullit “kujto”, por shtetit “harro”.
Le ta themi troç: LVV ka të drejtë kur kujton se Gjykata është krijuar nga ligji i Kosovës, dhe se sfida është ta ndriçojë të vërtetën me prova, ka të drejtë kur thotë se Serbia duhet të gjykohet për krimet e saj, ka të drejtë kur mban parasysh se shumë prej zërave që sot kërkojnë mbyllje të Gjykatës ishin dje ndër shtytësit e saj. Por LVV do të ketë të drejtë deri në fund vetëm nëse, krahas kësaj, ruan një gjuhë të ftohtë për provën, pranon haptas çdo gabim të vetin të djeshëm ndaj kësaj çështjeje, dhe ruan një vijë të hekurt midis nderit dhe ligjit. Aty ku shoqatat e veteranëve e ngatërruan nderin me paprekshmërinë⁸, qeveria duhet të flasë gjuhën e shtetit:
“Pranojmë gjykimin; mbrojmë kujtesën tonë me dinjitet; mohojmë barazimin e viktimës me xhelatin; nuk rrëzojmë shtëpinë tonë sepse të tjerët na shihkan si të shtrembër.”
Ndaj, kur dëgjojmë sot thirrjet për turmë në Tiranë, le t’i mbajmë dy mendime njëherësh.
I pari: është e drejtë të kërkosh drejtësi për çdo njeri, edhe për luftëtarët tanë; askush s’duhet bërë shënjestër e fjalës së lirë, e as stigmë pa gjykim të rregullt.
I dyti: është e gabuar të kthejmë sheshin në sallë, e sallën në shesh. Drejtësia nuk mblidhet me daulle, ajo bëhet me provë. Kujtesa nuk mbrohet duke përmbysur rendin; ajo ruhet duke i dhënë të vërtetës mjetet e saj të plota.
Edi Rama ka të drejtë të thotë se nuk është organizator i protestës. Por ai nuk ka të drejtë ta bëjë Shqipërinë megafon të një fushate që, duke ngritur nderin, rrëzon rendin.
Ai nuk ka të drejtë të vijë midis Kosovës e Evropës si rregulltari i një “pragmatizmi” që e argëton Beogradin dhe e lodh Prishtinën.
Ai nuk ka të drejtë t’i përdorë plagët e popullit të vet si grima për të lyer fytyrën e vet politike.
E ardhmja e kësaj hapësire shqiptare nuk varet nga buja e fletëve të rrjeteve, por nga kthjelltësia e kokës. Duam një Kosovë që e rrëfen me dinjitet luftën e saj dhe e pranon me burrëri gjykimin, duam një Shqipëri që e mbron Kosovën si mburojë, jo si skenë në të cilën hedh gurë mbi të sa herë ia kërkon Beogradi. Duam që miqtë tanë në botë ta dëgjojnë një zë, se ne s’e ndërrojmë të vërtetën me tinguj, as ligjin me brohoritje. Liria ka emër, po ashtu edhe drejtësia. Nëse i mbajmë bashkë, do të jemi të denjë për të dyja. Nëse i ndajmë, fitojmë vetëm zhurmë, dhe ia lëmë të tjerëve ta shkruajnë historinë në vendin tonë.
Dhe tani, gozhda e fundit: Edi Rama. Njeriu që erdhi me helikopter në Prishtinë për ta shtyrë Gjykatën dhe sot e mallkon, që ngjizi “Ballkanin e Hapur” për ta larë Serbinë me gjuhë të “pa-statusit” e për ta lënë Kosovën jashtë portës, që i dërgoi në Paris e Berlin skica të Asociacionit pa e pyetur Prishtinën, që kur u vra polici në Bajë kërkoi “konferencë paqeje” sikur agresioni të ishte mjegull, jo plumb, që ngriti në piedestal “bashkëpunime” sportive me Beogradin, ndërsa në Tiranë ndalohej kënga e Jasharit dhe u përmbarua flamuri i UÇK-së, që e mbulon servilizmin me poezi dhe e kthen historinë në grima për t’i lëmuar imazhin vetes.
Kjo nuk është diplomaci zt Rama, është dorëzim me buzëqeshje. Është shërbim i bindur ndaj një axhende që kërkon ta zbrazë Kosovën nga sovraniteti me fjalë të ëmbla e nisma “praktike”. Mjaft me kësollën e mashtrimit, Rama s’është mburojë e Kosovës, është levë e Beogradit e veshur me fjalë të bukura. Dhe kur fjala të bjerë, siç bie gjithmonë në fund, do të mbetet vetëm llogaria e ftohtë, ai që luajti me kujtesën, preu shtetin, ai që preu shtetin, shiti të ardhmen.
Televizione të Tiranës, ju them mblidhni mëntë: nuk jeni skenë karnavalesh ku shëtiten ndërmjetës të Beogradit me grima “analistësh”, që këmbejnë monedhë të ftohtë për të rrëfyer Kosovën si përrallë të zbutur. Sa herë i ulni në studio ata që ulin qafën para shërbimeve dhe parasë, ju shlyeni një rresht nga kujtesa kombëtare dhe shtyni vendin drejt humnerës pa kthim. Kosova ka mjaft, më shumë se mjaft gra e burra të ditur, me peshë në vend e në botë, që dinë ta thonë të vërtetën lakuriq e të drejtë: me shenjë, me provë, me ndërgjegje. Kur zgjidhni kukulla të lakmitjes në vend të dëshmitarëve të së vërtetës, bëheni shokfajtorë në luftën mendore të paguar nga Beogradi kundër gjakut tonë, kundër rrëfimit të plagëve tona, kundër nënave që ende presin eshtrat e bijve. Mjaft me salltanetet e “balancës” që barazon viktimën me xhelatin, hapni dyert për mendjen e kthjellët të Prishtinës, për juristë, hetues, gazetarë e studiues që s’e shesin nderin për minutazh. Përndryshe, mos u quani media, quhuni megafonë të turpit, sepse kur ekranet bëhen pasqyra të rreme të Beogradit, kombi sheh veten të përmbysur.
Footnotes
Rama, arkitekti i gjykatës së krimeve në Kosovë, tani e sulmon atë për t’i mbrojtur aleatët, duke e tradhtuar drejtësinë, sovranitetin dhe viktimat që politika e tij shkel me këmbë. — Kronika B Kritikë.
Një vit pas sulmeve në Bajë, agresioni i Serbisë dhe lehtësimet e Perëndimit ndaj saj vazhdojnë të destabilizojnë Kosovën, duke ngritur pyetje për sigurinë rajonale dhe përgjegjësitë ndërkombëtare. — Kronika B Analizë.
Të përulesh para Grenellit, e pastaj të qash për flamurin e UÇK-së në Tiranë? Mëkat i dyfishtë. Turp. Njollë e pashlyeshme. — Kronika B Kritikë.
OVL e UÇK-së i lypi drejtësi armiku të saj. E turpëroi luftën për liri, e përqafoi një propagandist të Beogradit dhe kërkon t’i mohojë viktimat e së vërtetës. — Kronika B Kritikë.
Të fundit
"Rama jepe dorëheqjen!”, mijëra protestues vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 22:30
Pas tri orësh para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 20:53
Aktori i njohur nga protesta: Ika nga Shqipëria sepse nuk doja të shisja shpirtin
9 Qershor 2026, 20:32
“Vetëm hëna të ka ngel pa vjedh”, mesazhe të forta ndaj qeverisë me pankartat pikante
9 Qershor 2026, 20:12
Meçollari akuza nga protesta: Në Palasë dhe Dhërmi është tjetërsuar mjedisi
9 Qershor 2026, 19:38
Reuters: Brukseli kritikon Tiranën për Zvërnecin, mjedisi kusht për anëtarësimin në BE
9 Qershor 2026, 19:19
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
9 Qershor 2026, 18:20
Pas katër seancash, Ilir Beqaj përmbyll kërkesat paraprake
9 Qershor 2026, 18:11
OKB mesazh për Iranin, Libanin dhe Gazën: Respektoni armëpushimet
9 Qershor 2026, 17:06
10 ditë që tronditën “sistemin”
9 Qershor 2026, 16:53
Operacion anti-drogë në pesë qytete të Kosovës, 5 të arrestuar
9 Qershor 2026, 16:44
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
9 Qershor 2026, 16:25
Komisioni Evropian: Ministri i Mjedisit na tha se punimet janë pezulluar në Zvërnec!
9 Qershor 2026, 16:14
Rama 'përplaset' me gazetaren rumune: U kanë bllokuar trurin!
9 Qershor 2026, 16:13
“Revolucioni i Flamingove” përplas Ramën me Iranin
9 Qershor 2026, 15:56
Ky është Armand Shakaj, i dyshuar si autor i zhdukjes së Eglant Koçit
9 Qershor 2026, 15:30
Senatori demokrat Bernie Sanders: Populli po i thotë JO oligarkisë globale në Shqipëri!
9 Qershor 2026, 15:17
Paqja globale, në rënie për të 12-in vit radhazi, Shqipëria renditet e 36-ta në botë
9 Qershor 2026, 14:47
Prokuroria e Vlorës sekuestron 5 mln euro pasuri
9 Qershor 2026, 14:29
Foto/ Dyshohet se u rrëmbye, kjo është fotoja e fundit 34-vjeçarit para zhdukjes
9 Qershor 2026, 14:20
Kopjac i Vuçiçit dhe në krizë
9 Qershor 2026, 14:11
Zhdukja e Eglant Koçit, arrestohet një person me urdhër të Prokurorisë
9 Qershor 2026, 13:23
Protesta përplas Ramën me mediat botërore, rreziku i krizës së imazhit!
9 Qershor 2026, 13:01
Dhunuan drejtorin e AKU-së në Shkodër, arrestohet njëri prej autorëve
9 Qershor 2026, 12:43
Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!
9 Qershor 2026, 12:36
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
9 Qershor 2026, 12:24
Kush e komandon sot Edi Ramën?!
9 Qershor 2026, 12:14
Rama del 'blof'/ Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri
9 Qershor 2026, 12:00
Si e bindi Rama Perëndimin se fati i Shqipërisë lidhet me emrin e tij
9 Qershor 2026, 11:20
Berisha në konferencën e EPP: Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës
9 Qershor 2026, 10:27
Nga kullat te lumenjtë: kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
9 Qershor 2026, 10:04
Operacioni në Vlorë, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
9 Qershor 2026, 09:44
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot
9 Qershor 2026, 09:26
Transmetoi 'live' protestën, Balla sulmon Reuters: Kanë hall tjetër, jo Shqipërinë
9 Qershor 2026, 09:13
Policia zbarkon në Vlorë, disa të arrestuar, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht
9 Qershor 2026, 08:56
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
9 Qershor 2026, 08:40
Shpopullimi alarmant/ Në një vit, Shqipërisë i ikin 33 mijë të rinj
9 Qershor 2026, 08:28
Mot i paqëndrueshëm dhe vranësira, parashikohen reshje shiu në disa zona
9 Qershor 2026, 07:59
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
9 Qershor 2026, 07:45
Kritikoi Ramën, Zegjine Çaushi sulmon influenceren: Të bësh ironi ti shëmtirë...
8 Qershor 2026, 22:37
Nard Ndoka jep lajmin: Sali Berishës i është hequr “non grata”
8 Qershor 2026, 21:59
Rekord firmash në peticionin “Rama Out”, mbi 1 mln e 700 mijë nënshkrime nga shqiptarët
8 Qershor 2026, 20:59
Notarja Eva Buzo i bashkohet protestës: Jeni frymëzues, bota po e dëgjon zërin tuaj!
8 Qershor 2026, 20:48
Kaja Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
8 Qershor 2026, 20:28
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Reuters raporton “live” protestën nga Tirana
8 Qershor 2026, 19:07
35-vjetori i PS-së, Rama pritet me protesta në Shkodër
8 Qershor 2026, 18:07
Tensione mes Iranit dhe Izraelit, BE: Rajoni i bllokuar mes luftës dhe armëpushimeve
8 Qershor 2026, 17:42
Shi dhe rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, kufizohet qarkullimi në një krah
8 Qershor 2026, 17:21
Mosha e pensionit akoma më e vështirë se jeta në punë
8 Qershor 2026, 17:03
Zgjedhjet në Kosovë, asambleja parlamentare e KE: Pati ndërhyrje nga Serbia
8 Qershor 2026, 16:54
Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve
8 Qershor 2026, 16:34
Sondazh/ A mendoni se protestat e fundit kanë dëmtuar imazhin e qeverisë Rama?
8 Qershor 2026, 16:22
Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët
8 Qershor 2026, 16:15
Vrasja në Kamëz, autori qëlloi me 10 plumba, në shënjestër ishte edhe shoku i viktimës
8 Qershor 2026, 16:07
Nga kullat te lumenjtë/ Kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
8 Qershor 2026, 15:56
Miratohet në parim amnistia penale, 380 të dënuar lirohen mënjëherë
8 Qershor 2026, 15:11
Abuzimet me fondet “SASPAC”, Apeli lë në burg Ilir Beqajn
8 Qershor 2026, 14:58
FIFA ndryshon traditën historike, ja si do të prezantohen skuadrat në Botërorin 2026
8 Qershor 2026, 14:46
U vra pas një konflikti në Kamëz, ky është 27-vjeçari që u nda nga jeta
8 Qershor 2026, 14:43
Të shtëna me armë zjarri në Velipojë
8 Qershor 2026, 14:38