Flash News

OP-ED

Opozita duhet të zgjedhë: studentët ose sistemin

Opozita duhet të zgjedhë: studentët ose sistemin

Gentian Gaba

Hera e parë në të cilën jam rreshtuar si protestues në krah të bashkëmoshatarëve të mi ka qenë në Itali. Ishte viti 2001 dhe viti im i dytë i Liceut, dhe sapo ishte thirrur një protestë kombëtare e studentëve. Kujtimet e protestave shqiptare më kishin shtyrë drejt një dyzimi mbi pjesëmarrjen. Fundja, çka mbaja mend nga mitingjet ishin pamjet e viteve të tmerrshme ’96, ’97 dhe ’98. Mbi “frikën” triumfoi solidariteti me klasën time.

Atë ditë marshova në rrugët e qytetit duke mbajtur pankarta e kënduar kore. Protesta zgjati disa orë dhe për surprizën time të madhe, në fund të saj, të gjithë u tërhoqëm nëpër shtëpi. U çudita! Prisja që diçka të ndodhte gjatë atij vrulli njerëzor që ishte derdhur në të gjitha qytetet kryesore. Prisja reagimet energjike të qeverisë për të bllokuar protestën, ose “flamurin e bardhë” të dorëzimit gjatë orëve në të cilat rinia zhurmonte në rrugët plotë histori të vendit fqinj. Ndryshe nga unë, organizuesit ishin tejet të kënaqur. Mesazhi u përcoll te mazhoranca e kohës dhe, për ta përforcuar atë, të nesërmen protestuam përsëri. Këtë radhë me një tjetër formë. E quanin “Occupazione”, ishte zënia e shkollës nga studentët. Nuk lejuam zhvillimin e leksioneve dhe, ata që ishin në moshë madhore, kaluan natën nëpër klasa. Një pushtim paqësor që zgjati derisa kërkesat u morën në konsideratë.

Ishte diçka e zakontë për ata, një “revolucion Kopernikan” për mua.

Kuptova në mënyrë empirike atë që më vonë do të mësoja në librat e shkencave politike. Protestën si manifestim i kundërshtisë ndaj një politike, ekonomike apo sociale, nëpërmjet së cilës jepet një mesazh pakënaqësie përfaqësuesve që iu delegojmë pushtetin. Këta të fundit, sipas rregullave të lojës (demokracisë përfaqësuese), përgjigjen në bazë të raportit të llogaridhënies që krijohet midis votuesit dhe të votuarit. Për të shmangur ndëshkimin ditën e votimit, përfaqësuesit politikë kanë prirjen t’i përgjigjen pakënaqësive që artikulohen në protesta. Për pasojë, ushtrojnë trysni ndaj qeverisë.

Kështu rrjedh jeta politike në një demokraci normale. Një dialektike që ka në thelb marrëdhënien e besimit midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve; e më andej, midis të zgjedhurve dhe qeverisë që ata zgjedhin të mbajnë në këmbë me votën e tyre.

Një koncept ky, që nuk po e kalon dot dimrin e tranzicionit në vendin tonë; gjithmonë në pritje të një pranvere, të një stinë politike që mund të sjellë një ndryshim të shumëpritur. E tillë mund të jetë protesta e studentëve që po mbushin rrugët e Tiranës, duke u përballur me murin e indiferencës kryeministrore.

Një indiferencë që nuk i ka rrënjët te tipologjia e veçantë e Ramës si politikan, por te sistemi politik, i cili i lejon atij të luajë në këtë mënyrë jo vetëm me studentët, por me gjithë ata që luftojnë kundër arrogancës së tij në kërkim të çka iu takon, apo iu është premtuar.

Një sistem i themeluar në vitin 2008, falë të cilit deputetët nuk përfaqësojnë më vullnetin e të zgjedhurve, por atë të atij që ai ka zgjedhur për të qenë në listë. Sigurisht, mund të ketë përjashtime, si qëndresat me nuanca karakteriale të Pandeli Majko, por që sidoqoftë konfirmojnë rregullin. Kësodore, një mazhorancë njëngjyrëshe, nën hyqmin e një Kryeministri që është edhe kryetar i partisë fituese në zgjedhjet e fundit, asgjëson ndarjen midis Parlamentit dhe Qeverisë, midis legjislativit dhe ekzekutivit.

Për këtë arsye, Rama qëndron me qesëndi përballë studentëve dhe valës emocionale të prodhuar nga kryengritja e tyre. I mjafton të mbajë nën kontroll 74+ mandatet që ka në dispozicion, pjesa tjetër është thjesht menaxhim i një krize që, herët apo vonë, do të mbarojë.

Dikush mund të flasë për një problem moral të socialistëve në pushtet, kur ata nuk bëzajnë përballë mijëra studentëve që dëshmojnë se ky nuk është “drejtimi i duhur”. Apo të thuhet se ata veprojnë të shkëputur nga përgjegjësia politike dhe nga elektorati; pasi aty ku nuk arrin propaganda i’a del Niçja, miku i Dakos (jo filozofi). Sidoqoftë, kjo nuk do të ishte e gjithë e vërteta.

Historia politike na mëson se, në të njëjtat kushte (sistem), çdo forcë politike do të sillej në të njëjtën mënyrë. Ndoshta me dritëhije të ndryshme, gjithmonë sipas portretit të liderit që e drejton, por asnjëherë pranë vullnetit të votuesit, përherë të prirur ndaj maksimalizmit të pushtetit të tyre.

Për këtë arsye, debati hamletian “të dialogosh apo të mos dialogosh”, nuk ka vlerë, sepse çdo zgjidhje do të ishte e përkohshme, një përmirësim kushtesh, por pa goditur kolonën kryesore të ngrehinës politike mbi të cilën stërzgjatet një sistem i atrofizuar.

Për të vendosur në shënjestër këtë objektiv, nuk mjaftojnë studentët, të cilët e bënë gjerësisht dhe me sukses detyrën e tyre qytetare, duhet opozita. Është detyra e saj të tregojë se kërkon të ndryshojë jo vetëm arsimin në Shqipëri, por gjithë jetën politike të vendit. Mjeti për ta bërë këtë është “Reforma zgjedhore”. Hapja e listave dhe, bashkë me to, gjithë sistemit politik.

Anipse vala e krizës për partitë tradicionale mund t’i shtyjë ato ta konsiderojnë hapjen një rrezik. Momentumi i krijuar nga nervi i rigjetur i protestës kërkon një qasje kurajoze, për t’i dhënë energji të reja jetës politike. Ashtu si në interpretimin e dyfishtë të fjalës 'krizë' në gjuhën kineze, rrezik/shans, opozita duhet të ketë guximin për t’i paraprirë ndryshimit që po troket. Një ndryshim që nis me një zgjedhje të detyrueshme nga ana e përfaqësuesve të saj: Studentët ose sistemin.

Nëse zgjedh studentët, ka shanse të shpëtojë edhe veten. Nëse zgjedh sistemin, rreziku është të perëndojë, dalëngadalë, bashkë me atë.

 

Të fundit